Kursi drejt Nato-s i Ukrainës
Parlamenti ukrainas ndryshon strategjinë kombëtare dhe heq statusin e neutralitetit. Me kursin drejt Nato-s Ukraina pranon konfrontime të tjera me Moskën.
“Ky ligj do të na ndihmojë të mbrojmë pavarësinë tonë”: ministri i Jashtëm ukrainas Pavel Klimkin përdori këto fjalë në paraqitjen e tij emocionale në parlamentin në Kiev heqjen e neutralitetit. Parlamenti i ri ukrainas miratoi pak më pas ndryshimin e ligjit për bazat e strategjisë kombëtare të sigurisë me votat e koalicionit proevropian. Më shumë se dy të tretat e deputetëve votuan për heqjen dorë nga neutraliteti për Ukrainën dhe kështu për një kurs drejt Nato-s të vendit të tyre.
Kthesa pas ndryshmit të pushtetit
Kjo do të jetë përpjekja e dytë për Kievin: nën presidentin properëndimor Viktor Jushçenko Ukraina ishte përpjekur që në vitin 2008 për një perspektivë në Nato. Atëherë megjithatë përpjekja e Ukrainës dhe Gjeorgjisë për një “Membership action plan” nga Aleanca ushtarake dështoi, pas kundërshtimit të disa anëtarëve të Nato-s, ndër ta edhe Gjermanisë. Kievi dhe Tbilisi morën në samitin në Bukuresht vetëm një premtim të vakët: “Ukraina dhe Gjerogjia do të bëhen anëtarë të Nato-s”, u tha atëherë në deklaratën përmbyllë të samitit.
Dy vjet më vonë Parlamenti në Kiev me inisiativë të Presidentit prorus Viktor Janukoviç rishikoi kursin drejt Nato-s dhe sanksionoi me ligjin për bazat e sigurisë kombëtare, neutralitetin e Ukrainës. Në të njëjtin vit Kievi zgjati stacionimin e flotës rusë në Krime dhe mori në këmbim nga Rusia një ulje bujare çmimi në faturat për gazin, të cilat atëherë ishin më të lartat në Evropë.
“Neutraliteti ishte krejt i papërshtatshëm”
Por ndërkohë Janukoviç është në arrati në Rusi dhe Moska ka aneksuar Krimenë. Nato ka konfirmuar informacionet për praninë e tankeve ruse në Lindje të Ukrainës. Neutraliteti ka rezultuar i papërshtatshëm si strategji sigurie për Ukrainën, mendon ambasadori ukrainas në Nato, Ihor Dolgov në bisedë me Dë: “Neutraliteti që detyroi presidenti Janukoviç tregoi se ishte krejt i papërshtatshëm për të garantuar sigurinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Heqja dorë nga neutraliteti është një nga kushtet që të mos ketë përsëri agresione kundër vendit tonë.”
Rusia reagoi e acaruar ndaj kursit drejt Nato-s të vendit fqinj. “Kjo është kontraproduktive”, deklaroi ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në bisedë me mediet ruse. Moska paralajmëron për një shkallëzim të konfliktit me separatistët në Lindje të Ukrainës. Kryeministri Dimitri Medvedev shkon edhe më tej dhe e përshkruan Ukrainën si “kundërshtar potencial”. Por pikërisht Rusia është ajo që po e çon Ukrainën në drejtim të Nato-s mendon eksperti për sigurinë Karl-Heinz Kamp nga Akademia Federale për Politikën e Sigurisë në bisedë me DW. “Nëse synimi i aneksimit të Krimesë ishte të pengohej një afrim i Ukrainës me Nato-n atëherë Moska ka arritur pikërisht të kundërtën.”
Anëtarët e Nato-s jo në në një mendje në çështjen e Ukrainës
A kërcënon tani sërish një shkallëzim i krizës së Ukrainës? Për këtë paralajmëroi ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier. Ai nuk e sheh Ukrainën në rrugën drejt Nato-s. “Ne jemi në mes të një konflikti të rrezikshëm” tha politikani socialdemokrat në bisedë me dpa. Nuk duhet të “hidhet benzinë në zjarr” tha Steinmeier. Ashtu si në vitin 2008 Ukraina me ambiciet e saj e ndan në dy kampe Nato-n. Njëri nuk do ta provokojë Rusinë me një zgjerim të Nato-s në kufijtë e vendit. Kampi tjetër ku bën pjesë edhe ministri polak i Mbrojtjes Tomasz Siemoniak, theksojnë të drejtën sovrane të Ukrainës për të vendosur e lirë për politikën e jashtme. “Heqja dorë nga neutraliteti është një hap i parë. Do të vijë koha që Ukraina të jetë anëtare e Nato-s”, tha Siemoniak në intervistë me radion polake “Radio Zet”. Por edhe në Varshavë Ukrainën e shohin ende shumë larg ndaj një kërkesë për anëtarësi në Nato: fillimisht duhet të përmbushen të gjitha standardet e aleancës ushtarake dhe të zbatojë reforma demokratike.
“Pyetja është vetëm: kur?”
Edhe Karl-Heinz Kamp e sheh Ukrainën një ditë anëtare të Aleancës ushtarake megjithë dyshimet në politikën gjermane. Për ekspertin e sigurisë vlen vetëm premtimi i samitit të Nato-s në Bukuresht. “Pyetja është vetëm: kur? Këtu Nato ka gjithë fleksibilitetin e mundshëm. Kjo do të vendoset nga fakti se sa është gati Ukraina për këtë. Dhe aktualisht ajo me siguri nuk është ende gati”, thotë Kamp. Kërkesa ruse për një garanci nga Nato që të mos e pranojë asnjëherë Ukrainën në Aleancë cilësohet nga eksperti i sigurisë si “absurde”. Në një perspektivë anëtarësimi në Nato dhe BE ai sheh një nxitje të rëndësishme në Ukrainë.
Me reformat Ukraina e ka këtë herë seriozisht, siguron ambasadori ukrainas në Nato, Ihor Dolgov. Kur vendi i tij shkoi dëm shansin e parë pas “Revolucionit portokalli” dhjetë vjet më parë ai ishte ambasador në Berlin. Ai e di shumë mirë se sa i madh ishte atëherë zhgënjimi në kryeqytetet evropiane për dështimin e kursit të reformave në Kiev. Këtë herë ai do ta bëjë gjithçka më mirë. “Ukraina do të reformojë me themel ushtrinë dhe do ta përshtasë me standardet e Nato-s”, siguron diplomati. Aleanca ushtarake mbështet reformën e forcave të armatosura ukrainase me ekspertizë dhe ndihmë financiare, katër milionë euro janë vënë në dispozicion nga aleanca për katër vitet e ardhshme. Modernizimi i ushtrisë që ende funksionon sipas standardeve sovjetike do të kushtojë megjithatë miliarda. Këto miliarda Kievi nuk i ka edhe për shkak të luftës në lindje të vendit, pranon Dolgov. Eksperti i sigurisë i referohet Krimesë së aneksuar dhe separatizmit në Lindje të Ukrainas: për sa kohë këto probleme nuk do të jenë zgjidhur nuk mund të flitet për një perspektivë anëtarësimi për Ukrainën. Pasi pranimi i Ukrainës në Nato nuk duhet të nënkuptojë vetëm për Ukrainën por edhe për Aleancën ushtarake më shumë siguri.