Kush i nxjerr sekretet e hetimit që heton nxjerrjen e sekreteve?
Regjimi kishte edhe “gjyqin popullor”, ku procesi gjyqësor shoqërohej me demaskimin publik të të akuzuarit.
Po nga dalin të gjitha këto materiale që paraqiten si pjesë e dosjes hetimore? Si mbërrijnë te gazetarët? Apo janë vetëm “kocka” që i hidhen publikut të uritur për të ushqyer pikërisht “hetimin dhe gjyqin popullor”?
Rasti i Vlora Hysenit është interesant pikërisht për këtë. Drejtuesja e shkarkuar e SHISH-it është nën hetim nga SPAK, ndër të tjera edhe për “zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete”. Akuza është serioze dhe nëse provohet, po aq serioze është edhe përgjegjësia. Ndërkohë, në media po dalin komunikime, deklarime dhe hollësi që paraqiten si pjesë të dosjes hetimore.
Madje, “gojët e liga” thonë se nuk ka mbaruar ende. Do të dalin gjëra të tjera shumë të rënda dhe në tetor do të ketë arrestime të tjera nga SPAK-u, bash për “muajin e Enverit”. Se nga e dinë çfarë do të zbulojë SPAK-u dhe kë do të arrestojë muajin tjetër, kjo është një nga ato misteret që vetëm “hetimi popullor” di t’i zgjidhë.
Këto zhvillime janë paradoksale, pasi po hetohet rrjedhja e sekreteve nga institucioni që ruan sekretet e shtetit, ndërsa në publik po dalin informacione nga hetimi që po zhvillohet për nxjerrjen e këtyre sekreteve. Kush i nxjerr pra, sekretet e hetimit që heton nxjerrjen e sekreteve?
Nuk kam ndër mend t’ia faturoj këtë SPAK-ut. Nuk kemi prova se prej nga kanë dalë materialet hetimore dhe me to mund të jenë njohur edhe persona të tjerë gjatë procedurës. Madje, përpara se të flasim për sekret hetimor të nxjerrë, duhet të dimë nëse ato që po publikohen janë vërtet autentike.
Unë i besoj SPAK-ut. E konsideroj institucion serioz dhe profesional. Prandaj, për sa kohë nuk është bërë publik ndonjë hetim për daljen e materialeve të çështjes Hyseni, më lind natyrshëm pyetja: mos vallë ato që prej disa ditësh po na paraqiten si përgjime, komunikime dhe pjesë të dosjes së SPAK-ut nuk janë autentike?
Mirë do të ishte ta dinim. Sepse, po të mos jenë autentike, atëherë kemi një problem tjetër. Publikut po i paraqiten si pjesë të dosjes së SPAK-ut materiale që nuk janë të tilla. Po të jenë autentike dhe ende të mbrojtura nga sekreti hetimor, dikush i ka nxjerrë. Atëherë pse nuk po shohim të njëjtin reagim të SPAK-ut? Apo këtë herë është më e vështirë të gjendet se nga rrjedhin sekretet?
Ndërkohë hetimi dhe gjyqi popullor vazhdojnë punën. “Ka rënë shteti”, thërret opozita. Lloj-lloj konspiracionesh hidhen në qarkullim. Fundja, përvojën e “vijës së masave” e kemi.
Dosja penale nuk është serial televiziv, si ato telesehiret turke të përmbrëmshme. Ajo përmban informacione që duhen verifikuar dhe materiale që marrin kuptim vetëm kur shihen në tërësi. Kur prej saj dalin vetëm disa fragmente, publiku krijon një pamje të çështjes që mund të jetë krejt tjetër nga ajo që më vonë do të përballet në gjykatë.
Për të mos ngjallur ndonjë keqkuptim, faji nuk është i gazetarëve. Gazetaria kërkon informacion dhe kur e siguron, e publikon atë. Gazetarit mund t’i kërkosh të verifikojë burimin dhe ta paraqesë materialin me përgjegjësi. Por, kur një material që supozohet të jetë i mbrojtur përfundon në redaksi, pyetja e parë nuk është pse e botoi gazetari, por kush ia dha.
Në rastin Hyseni kjo ka edhe më shumë peshë. Kemi të bëjmë me drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe me një hetim që prek pikërisht informacionin sekret. Nëse dyshimet e SPAK-ut provohen, përgjegjësia është e rëndë. Pozicioni që ka mbajtur jo vetëm që nuk e mbron nga ligji, por e bën edhe më të madhe përgjegjësinë për informacionin që i është besuar. Por atëherë le të jemi konsekuentë edhe me sekretin hetimor.
Ajo që të bën përshtypje është se SPAK-u duket sikur është mësuar me këtë bashkëjetesë. Hetimi zyrtar zhvillohet në prokurori, ndërsa “hetimi popullor” kudo e nga gjithkush. Në njërin mblidhen provat, në tjetrin ndërtohet historia nga copëza që paraqiten si të dala nga dosjet hetimore të SPAK-ut.
Duket sikur edhe vetë SPAK-u po e shijon këtë spektakël. Ose së paku, nuk po shqetësohet shumë prej tij. Nuk po them se SPAK-u i nxjerr vetë materialet, pasi nuk kam asnjë provë për këtë. Mos vallë heshtja e tij nënkupton se i intereson kjo gjë apo se materialet e dala nuk janë autentike? Se edhe kështu mund të lexohet, për sa kohë nuk kemi parë të njëjtin reagim që SPAK-u ka dëshmuar se di ta bëjë kur e konsideron të nevojshme..
Shoqëria në një vend demokratik nuk ka nevojë as për “vijën e masave”, as për hetues e gjyqtarë popullorë. Ajo ka nevojë për institucione drejtësie që punojnë në mënyrë të përgjegjshme edhe pse nuk i kanë marrë ende rrogat e muajit të fundit dhe që kujdesen që hetimet e tyre të mos zhvillohen paralelisht në studio televizive, me materiale që pretendohet se rrjedhin nga dosjet e tyre hetimore.
Përndryshe, hetimin dhe gjyqin popullor e kemi bërë.
U kry!
Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.