Ekonomia

Kushte të reja për licencimin e “exchange”-ve

Agjencia-e-Kembimit-Valutor-295x300-1-314x320Regjistri

Të regjistrohen dhe të ruhen në një regjistër të posaçëm të gjitha transaksionet e shërbimeve të pagesave.

Komisionet

Subjekti informon klientin nëpërmjet “Deklaratës për njohjen paraprake me komisionin e aplikuar”

Ambienti

Kambisti nuk e ushtron veprimtarinë e këmbimit valutor jashtë ambienteve të zyrës së këmbimit valutor.

Tani mund të kryejnë shërbime të pagesave. Për komisionet, deklaratë nga klien

Nga Zamir Alushi

Para çdo këmbimi valutor ose transaksioni parash, “exchange”-t do të marrin një deklaratë të firmosur nga klienti, që vërteton se ai ka marrë dijeni për komisionin e aplikuar. Ky rregull i ri i vendosur nga Banka e Shqipërisë, vjen në kuadrin e forcimit të mbikëqyrjes për transparencën në pikat e këmbimit valutor. BSH e vendosi këtë kusht, ndërkohë që iu njeh të drejtën zyrave, që si aktivitet shtesë, krahas transferimit të parave, të mund të kryejnë edhe shërbimet e pagesave për llogari të institucioneve financiare jobankare. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së ka miratuar disa shtesa dhe ndryshime në rregulloren “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”, të cilat hyjnë në fuqi në datën 10 gusht 2014.

Deklarata e klientit

Ndryshimi në nenin 16, që flet për transparencën në zyrat e këmbimit valutor, ka të bëjë me shtesën e një paragrafi që detyron subjektet të përpilojnë një deklaratë me firmën e klientit. Rregullorja detyron subjektet “për të informuar klientin përpara kryerjes së transaksionit, në rast të aplikimit të komisioneve, nëpërmjet “Deklaratës për njohjen paraprake me komisionin e aplikuar”, të përcaktuar në aneksin bashkëlidhur kësaj rregulloreje. Subjekti e ruan deklaratën, jo më pak se një muaj pas nënshkrimit të saj nga klienti”. Gjithashtu, në këtë nen, shtohen si detyrim për t’u afishuar edhe “komisionet”, krahas kurseve të këmbimit që aplikon zyra. Pra, deklarata përpilohet dhe ruhet krahas faturës së transaksionit të këmbimit valutor dhe shërbimit si agjent. Banka njofton edhe sanksione për shkeljen e këtij kriteri. Në nenin 20 të rregullores vendosen edhe dy raste kur zyrat e këmbimit valutor mund të dënohen me gjobë deri në 100 mijë lekë. Njëri është kur “subjekti” nuk e informon klientin nëpërmjet “Deklaratës për njohjen paraprake me komisionin e aplikuar”, ndërsa tjetri, kur “kambisti ushtron veprimtarinë e këmbimit valutor jashtë ambienteve të zyrës së këmbimit valutor.”

Shërbimet e pagesave

Zyrat e këmbimit valutor do të funksionojnë edhe si sportel apo agjenci bankare, për institucionet financiare jobankare për kryerjen e shërbimeve të pagesave. Këto shërbime janë shtuar në rregullore, në renditje me togfjalëshin “transferimi i parave”. Megjithëse Kodi Civil ua njeh zyrave të këmbimit valutor të drejtën për të kryer veprimtari shtesë për llogari të të tjerëve, mungonte një përcaktim i saktë nga rregullorja për këtë aktivitet. BSH ka ndërhyrë fillimisht në saktësimin e termit “agjent”. Me ndryshimin e bërë, kemi një nen të ri me këtë përmbajtje: “‘Agjent’ është personi juridik, i cili merr përsipër të drejtat dhe detyrimet për ushtrimin e veprimtarisë financiare të shërbimeve të pagesave dhe të transferimit të parave, të përcaktuara në kontratën përkatëse të agjencisë me subjektin financiar jobankë, sipas parashikimeve të bëra në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë dhe kërkesave të kësaj rregulloreje”. Sigurisht, është i nevojshëm autorizimi i BSH-së për kryerjen e kësaj veprimtarie. Në nenin 7 të rregullores, që përshkruan dokumentacionin e kërkuar për miratimin e veprimtarisë shtesë, shtohet një kërkesë me këtë përmbajtje: “Informacion mbi mënyrën e regjistrimit dhe ruajtjes në një regjistër të posaçëm të të gjitha transaksioneve të shërbimeve të pagesave dhe të transferimit të parave që kryhen në emër dhe për llogari të subjektit financiar jobankë”.

Kushtet e sigurisë dhe mjetet e punës

Banka e Shqipërisë kërkon informacion nga çdo zyrë për kushtet e sigurisë dhe ambientin e punës. Dokumenti që duhet përpiluar nga administratori dhe u duhet dërguar autoriteteve të BSH-së, quhet “Informacion mbi pajisjet tekniko-administrative”. Sipas rregullores, duhen përshkruar kompjuterët, fotokopjet, makinat e numërimit dhe të verifikimit të parave, tabelat e shfaqjes për publikun të kursit të këmbimit dhe të komisioneve, faturat tip për veprimet në sportel, tabelat e jashtme të shoqëruara me emërtimin ligjor të zyrës. Dokumenti tjetër që kërkohet titullohet “Informacion mbi mjediset dhe kushtet e sigurisë”. Administratori duhet të informojë për kushtet dhe disponueshmërinë e hapësirave të zyrës, ndarjes së arkës nga zona e klientëve, vlerat monetare që mbahen në kasafortë, monitorimin nga telekamerat, pajisjet për regjistrimin dhe mundësinë e filmimit të pandërprerë.

Adresa

Zyrat duhet të kenë email

Banka e Shqipërisë, me ndryshimin e rregullores “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”, ka vendosur të shtojë elemente të reja në të dhënat identifikuese për kambistët dhe zyrat e këmbimit valutor. Tashmë, në kushtet kur kërkohet komunikim i menjëhershëm me bankën, duhet regjistruar jo vetëm vendndodhja e lokalit ku ushtrohet aktiviteti, por edhe adresat elektronike dhe emrat e aksionerëve ose ortakëve të zyrës, pavarësisht se këta të fundit janë të shënuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Për zbatimin e vendimit është ngarkuar Departamenti i Mbikëqyrjes i Bankës së Shqipërisë.

Transparenca

Klienti merr dijeni dhe firmos

Dokumenti quhet “Deklaratë për njohjen paraprake me komisionin e aplikuar”. Teksti i dokumentit nis me pohimin: “Deklaroj se u informova paraprakisht mbi aplikimin e komisionit në transaksionin e mëposhtëm”. Më tej vijojnë detajet e transaksionit, kursi i këmbimit, shuma e konvertuar apo e transferuar, shuma pas veprimit, komisioni në përqindje dhe në vlerë. Klienti deklarohet me emër dhe mbiemër dhe nënshkruan dokumentin.

Këshilli

BSH do të diskutojë normën bazë të interesit

A do të ndryshojë sërish norma bazë e interesit të lekut, apo do të qëndrojë në vend? Këtë do ta vendosë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (BSH), i cili do të diskutojë javën që vjen raportin e politikës monetare për gjashtëmujorin e parë të vitit 2014 dhe do të marrë vendimin për ndryshimin ose jo të normës bazë të interesit për lekun. Banka e Shqipërisë ka ulur gjatë vitit 2014 normën bazë të interesit për lekun, duke e vendosur atë në nivelin 2,50%, në minimumin e ri historik, si politikë që do të shërbejë për nxitjen e kreditimit dhe lëvizjen e zhvillimit ekonomik të vendit. Mbledhja e radhës e Këshillit Mbikëqyrës, pritet të marrë në shqyrtim edhe informacionet mbi vrojtimin e aktivitetit bankar, ndërsa në vëmendje do të jetë ecuria e treguesve ekonomikë në vend për këtë periudhë. Guvernatori i Bankës Qendrore, Ardian Fullani, është shprehur se politika monetare e BSH-së hartohet në funksion të përmbushjes së objektivit kryesor të Bankës së Shqipërisë: arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit të çmimeve. Ajo përfshin ndërhyrjen ose qëndrimin e Bankës së Shqipërisë ndaj tregjeve financiare për të arritur objektivin e saj kryesor ruajtjen e treguesve makroekonomikë të vendit në periudhë afatgjatë

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button