Kuvend/ Gjoni: Veriu po përballet me diskriminim në investimet publike. Karakaçi: Hyrja e Shkodrës gati në nëntor, fituesi për aksin Milot–Balldren shpallet së shpejti
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi gjatë interpelancës me deputetin e opozitës Gjin Gjoni se projektet kryesore infrastrukturore në veri të vendit po ecin sipas afateve të përcaktuara dhe se qeveria e ka në vëmendje maksimale zhvillimin e kësaj zone.
Duke folur për projektin e hyrjes së qytetit të Shkodrës, Karakaçi tha se kontrata është lidhur në dhjetor të vitit 2024 dhe ka një afat zbatimi prej 18 muajsh, deri më 23 qershor 2026.
“Jemi tërësisht në përputhje me kushtet e kontratës. Segmenti rrugor është tashmë i aksesueshëm në të dyja korsitë, ndërsa po vijojnë punimet për përfundimin e plotë të tij. Me përfundimin e Urës së Baçallëkut do të kemi lehtësim të ndjeshëm të qarkullimit. Punimet vazhdojnë dhe ky investim pritet të përfundojë në nëntor 2026”, u shpreh ministri.
Ministri u ndal edhe te aksi Milot–Balldren, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, duke pranuar vonesën në shpalljen e fituesit të procedurës së koncesionimit. Sipas Karakaçit, projekti parashikon ndërtimin e 17 kilometrave rrugë të kategorisë A, si dhe një rruge alternative të kategorisë C pa pagesë. Ai shtoi se procedura ndodhet në fazën përfundimtare dhe shpallja e fituesit është çështje ditësh.
“Sa i përket aksit Milot–Balldren, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, fituesi i procedurës duhej të shpallej brenda datës 20 maj. Është e vërtetë që më 28 prill, gjatë inaugurimit të aksit Tiranë–Durrës, kam deklaruar se brenda dy javësh do të shpallej fituesi koncesionar për ndërtimin e aksit Milot–Balldren. Kërkoj ndjesë për vonesën në shpalljen e fituesit të projektit, por dua t’ju siguroj se ky proces tashmë është drejt përfundimit dhe shumë shpejt do të finalizohet.
Aksi Milot–Balldren parashikon ndërtimin e 17 kilometrave rrugë të kategorisë A, si dhe ndërtimin e një rruge alternative të kategorisë C, pa pagesë. Procedura e koncesionimit është në fazën përfundimtare dhe shpallja e fituesit është çështje ditësh. Qeveria e ka në vëmendje maksimale zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë qarkun verior të vendit”, tha Karakaçi.
Nga ana tjetër, deputeti i PD-së Gjin Gjoni akuzoi qeverinë për diskriminim të veriut në shpërndarjen e investimeve publike, duke deklaruar se rajoni vazhdon të përballet me mungesë infrastrukture dhe premtime të pambajtura.
“Veriu po përballet me diskriminim të vazhdueshëm në investimet publike. Veriu është një zonë e madhe me potencial ekonomik, por është kthyer në një simbol të neglizhencës, ku premtimet kanë mbetur pa asnjë rezultat konkret.”, tha Gjoni.
Ai ngriti shqetësimin edhe për tarifat e koncesioneve rrugore, duke theksuar se banorët e veriut përballen me kosto të shtuara për përdorimin e akseve kryesore.
“Mbi qytetarët rëndon një kosto shtesë nga tarifat e koncesionarëve për përdorimin e rrugëve, e cila është e dyfishtë për banorët e veriut, si në rrugën e Kombit ashtu edhe në Thumanë. Sikur të mos mjaftonte kjo, me projektet Milot–Balldren dhe segmentin që lidhet me Malin e Zi pritet të shtohen edhe dy tarifa të tjera nga koncesionarët.
Kjo situatë krijon një padrejtësi, pasi nga njëra anë ka mungesë infrastrukture, ndërsa nga ana tjetër vendosen kosto shtesë për qytetarët. Mungesa e një autostrade të mirëfilltë ka sjellë pasoja të rënda: trafik të rënduar dhe të rrezikshëm, vonesa të gjata, si dhe kosto shtesë për banorët dhe bizneset.”, u shpreh deputeti.
Sipas Gjonit, mungesa e një autostrade të mirëfilltë ka sjellë trafik të rënduar, vonesa të gjata dhe kosto shtesë për banorët dhe aktivitetin ekonomik në veri të vendit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.