Kuvendi i PD-së mbyll votimet. Berisha: Fitorja mund të vijë dhe para z
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka mbyllur sot, rreth ores 18:20 procesin e votimeve për zgjedhjen e 150 anëtarët e rinj. Po sot, rreth ores 21:10 ka nisur zyrtarisht procesi i numërimit të fletëve të votimit, ku u votua me parimin ‘një anëtar-një vote’.
Në funksion të procesit të votimit ishin ngritur 10 komisione me nga tre anëtarë dhe 300 vend votime, ndërsa 7500 delegatë kanë votuar mes 285 kandidatëve për 150 vendet në Këshillin Kombëtar. Mësohet se gjatë dy ditë kanë votuar 70% e delegatëve. Numërimi i fletëvotimeve do të fillojë sot, por rezultatet e tij do të dalin në ditët në vijim.
Në ditën e parë të Kuvendit votuan rreth 55 për qind e delegatëve. Sot u votua nga delegatët që nuk kishin votuar, nga ku pritet të zgjidhen emrat e një numri të madh funksionarësh të Partisë Demokratike, duke nisur nga sekretari i përgjithshëm dhe sekretarët funksionalë, deri tek drejtuesit e departamenteve, përgjegjës për përgatitjen e platformave politike në PD, përfshi këtu edhe programin qeverisës dhe elektoral të partisë.
Rivotimi nisi sot në mesditë ku morën pjesë delegatët që nuk kishin votuar, e ndërsa në Kuvendin e demokratëve kanë mbajtur fjalë, disa prej të zgjedhurve në degët kryesore të PD, por edhe figura të tjera të opozitës.
Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha iu drejtua kutive të votimit rreth orës 17:18 të mbasdites së sotme, për të hedhur votën e tij për delegatët dhe anëtarët e rinj të kësaj partie.
Dje, në ditën e pare te punimeve te Kuvendit u mbajtën fjalimet kryesore nga kryetari aktual i kësaj partie Lulzim Basha dhe ish-kreu i saj Sali Berisha. Po kështu dje u miratuan ndryshimet në statut si dhe u votua për 150 vende në Këshill.
Vazhdon procesi i numërimit të votave
Ndonëse ishte parashikuar që procesi i numërimit të votave të niste rreth orës 20:00, ai ka nisur për më shumë se 1 orë me vonesë. Ndërkohë, nuk dihet se kur mund të përfundoi ky proces, ndërsa në dispozicion janë vënë 10 komisione numërimi.
Berisha: Fitorja mund të vijë dhe para zgjedhjeve
Fitorja e demokratëve mund të vi dhe para zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vitin 2015. Kështu ka deklaruar ish-kreu i PD-së, Sali Berisha fill pasi hodhi votën e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ku po mbahen zgjedhjet për anëtarët e rinj dhe delegatët e kësaj partie. Në një deklaratë për mediat, Berisha la të nënkuptuar se mund të ketë dhe zgjedhje të parakohshme, opsion të cilin ai nuk e mohoi.
“Fitorja mund të vije edhe shumë kohë para zgjedhjeve lokale. Kur vjen fitorja nuk i thotë kush mos hajde, përkundrazi njëlloj si bleta që me punën e saj të imët krijon një nga arkitekturat më mahnitëse të natyrës, po kështu edhe demokratët arkitektojnë fitoren e bukur të ardhshme ne kohen më të parë të mundshme.”-tha Berisha. Berisha vlerësoi numrin e lartë të pjesëmarrësve në Kuvendin Kombetar të PD-së, duke shtuar se tashmë mazhoranca ka kaluar në anën e të djathtëve.
“Kuvendi i PD tregoi se mazhoranca ka kaluar në krahun e demokratëve. Do përcaktohen pikat dhe do bëhen publike.”-tha Berisha. Duke u ndalur tek vota e sotme, ish-lideri i Partisë Demokratike shtoi se lista e anëtarëve ishte më përfaqësuesja e më dinjitozja. “Ndjen keqardhje dhe kënaqësi. Kënaqësi, se ishte se votoja në një listë të shkëlqyer, keqardhja ishte se duhet të votoja 150 dhe jo të gjithë listën që do e votoja të gjithën. Jam i sigurt se këtë vështirësi timen dhe këtë keqardhje e kanë ndjerë të gjithë ata që votuan si unë. pasi ishte një listë që mund te them se ishte më përfaqësuesja, më dinjitozja që mund të përpilohej. Ajo që të vjen ndërmend kur e mbyll, thua se pse të mos i votojë të 280”-tha më tej Berisha.
Duke u ndalur tek fjalimi i kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili i kërkoi falje publike të gjithë demokratëve për humbjen e zgjedhjeve dhe gabimet e kësaj force, Berisha thekoi se ajo ishte fjala e përgjegjësisë së madhe të liderit. “Mendoj se kryetari shprehu në mënyrën më të sinqertë më të qartë në fjalën e tij mendimin e demokratëve shqiptare, të të gjitha prurjeve, të të gjithë spektrit, kështu që gjykoj se ai aty nuk foli vetëm për vete, por foli për të gjithë demokratët shqiptar. Fjalimi ishte fjala e përgjegjësisë se madhe e kryetarit të PD e vendosmërisë se madhe për tu paraqitur shqiptareve realitetin dhe për të udhëhequr demokratët drejt fitores së sigurt të pashmangshme.”-shtoi ish-kryeministri Sali Berisha.
Ndërsa komentoni thirrjet e opozitës për protestë, Berisha theksoi se kjo parti është gati të vërshojë, por dhe qytetarët, nëpër sheshe e bulevarde. Ndërkohë pyetjes së gazetarëve për bojkotin e opozitës nga Kuvendi, Berisha shtoi se vendimin për rikthim i takon kryetarit të partisë. “E rëndësishme është që protesta dhe revolta është në shpirtin dhe zemrën e çdo demokrati shqiptarë është dhe me zor po pret te vërshoje rrugicave, bulevardeve, sokaqeve të Tiranës dhe më gjerë”-shtoi Berisha.
Më tej Sali Berisha shtoi se: “Me përgjegjësi dhe saktësi do t’ju thotë kryetari në momentin e parë që të gjendet pranë jush por ajo qe kuptova unë , që opozita e cila de fakto është mazhoranca sot, sepse Kuvendi i PD tregoi se mazhoranca është spostuar ka kaluar në kahun e demokratëve dhe po pret me shpejtësi, pra do të përcaktohen pikat dhe do të bëhen publike”.
Duke u ndalur tek marrëveshja mazhorancë-opozitë, nëse do të zgjasë apo jo, nëse arrihet, Berisha shtoi se “Po më pyete mua, unë do t’ju them se nuk ka njëri në këtë tokë që nuk ka ligj as moral , ky quhet Edvin Kristal Rama, por këto janë të tjera punë dhe nuk pengojnë. ”. Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha iu drejtua kutive të votimit rreth orës 17:18 të mbasdites së sotme, për të hedhur votën e tij për delegatët dhe anëtarët e rinj të kësaj partie.