Kuvendi i Shqipërisë miraton projektin për portin e Durrësit
Kuvendi i Shqipërisë miratoi marrëveshjen për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”, që sipas Qeverisë, do të jetë porti më i madh turistik i Mesdheut.
Në seancën e së enjtes, e cila zgjati rreth 14 orë, pas mesnate u miratua marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe investitorit nga Dubai, Mohamed Alaabar.
Në favor të kësaj marrëveshjeje votuan 76 deputetë, ndërsa 35 deputetë votuan kundër këtij projekti.
Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë, ndërsa në momentin e votimit të pranishëm në sallë ishin 111 deputetë.
Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në momentin e votimit.
Seanca u shoqërua me debate të ashpra dhe u ndërpre dy herë, për shkak të tensioneve të krijuara gjatë fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend, e mbrojti projektin, duke e cilësuar atë si historik.
“Investimi kap vlerën e 1.2 miliard eurove. Do të jetë një motor i jashtëzakonshëm ekonomik për Durrësin e mbarë Shqipërinë”, tha Rama duke iu përgjigjur kritikave dhe akuzave të opozitës për marrëveshjen.
Opozita e konsideron projektin e Portit të Durrësit si një nga aferat më të mëdha të Qeverisë Rama.
“Marrëveshja shkel me të dy këmbët Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, shkel Kushtetutën e Shqipërisë. Marrëveshja është një mashtrim fund e krye ligjor”, tha Berisha.
Shefi i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha se në Portin e Durrësit do të pastrohen paratë e krimit.
Marrëveshja për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina” u nënshkrua më 11 gusht të këtij viti ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe investitorit arab, Muhammed El Alabbar.
Disa ditë pas nënshkrimit, pati një reagim nga zyra e delegacionit të Bashkimit Evropain në Tiranë, duke kërkuar më shumë transparencë dhe qartësi.