Kuvendi ngrin pagat e deputetëve të PD
Rivlerësimi i pagave të demokratëve do të bëhet në shtator nga Byroja e Kuvendit
NGA HERION MESI
Vendimi i 10 korrikut për të ndërprerë pa afat marrëdhëniet me Parlamentin duket se u ka kushtuar shtrenjtë deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët mësohet se Kuvendi u ka bllokuar pagat e tyre për muajin e kaluar. Burime nga grupi parlamentar demokrat bëjnë me dije se deri mesditën e djeshme në numrin e tyre të llogarive nuk ka kaluar paga e korrikut, edhe pse ajo duhej të kalonte brenda datës 8 gusht. “Për shkak të bojkotit të Kuvendit, ende nuk na është transferuar paga në llogaritë bankare. Nuk e di nëse do përfitojmë pagën e plotë apo të pjesshme, pasi bojkotin e Kuvendit ne e kemi shpallur në datë 10 korrik”, thanë dje burime nga grupi demokrat. Ndërkohë, sa i përket çështjes së pagave të deputetëve, Kuvendi sqaroi dje për gazetën “Shqip” se deputetët do të trajtohen sipas ligjit për statusin e deputetit, i cili u njeh pagat atyre vetëm për pjesëmarrjen, ndërsa për sa i përket mungesës aplikohet mosdhënia e pagës për ditët që ata nuk marrin pjesë në aktivitetet parlamentare dhe në komisionet e përhershme parlamentare. E vetmja mundësi për të përfituar pagë të plotë është se deputetët duhet t’i drejtohen Kryetarit të Kuvendit për të miratuar justifikimin e tyre për mungesat në Kuvend. Por sipas Zyrës së Trajtimit të Deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, demokratët nuk kanë paraqitur ndonjë kërkesë të tillë, duke lënë në fuqi heqjen e pagave të tyre për ditët e bojkotit. Por, mungesa e demokratëve në komisionet parlamentare apo dhe në seancat e tjera mund të detyrojë Byronë e Kuvendit të rivlerësojë nëse deputetët e opozitës duhet të marrin pagën e plotë ose jo. Por për shkak se administrata e Kuvendit dhe deputetët e saj ndodhen me pushimet e sezonit të verës, e bën të pamundur mbledhjen e Byrosë së Kuvendit deri në muajin e ardhshëm, duke shtyrë në këtë mënyrë dhe rivlerësimin pagave të demokratëve në nisjen e sesionit të ri parlamentar. Ndërkohë që sipas ligjit “Për statusin e deputetit”, në nenin 13 të tij parashikohet që “mospjesëmarrja pa shkaqe të përligjura të deputetit në seancë, në komisione ose në veprimtari të tjera parlamentare, sjell ndalesën e pjesshme të pagës ose të shpërblimit. Raportet e pagës, masës së dietës, të shpërblimit, si dhe norma për transportin që përfiton deputeti, kryetari i komisionit, nënkomisionit dhe kryetari i grupit parlamentar përcaktohen me vendim të Kuvendit”, thuhet në nenin 13 të ligjit.
Statusi i deputetit
Ligji “Për statusin e deputetit” parashikon që deputeti duhet të trajtohet financiarisht, duke u përfshirë kreditimet e pagën e muajit janar. Në nenin 13, në pika të këtij ligji theksohet se paga e deputetit përbëhet nga paga për pjesëmarrjen e tij në seancë, në komisione dhe në veprimtari të tjera parlamentare. Gjithashtu, ai gëzon të drejtën e shpërblimit për pjesëmarrje në komisione, si drejtues i komisionit apo si drejtues i grupit parlamentar. Sipas vendimit të Kuvendit, deputetit që mungon pa arsye në seancën plenare i mbahet nga paga shuma prej 4 mijë lekësh të reja. Kurse për pjesëmarrjen në komisionet parlamentare deputetët marrin si bonos shumën prej 2 mijë lekësh të reja. Në çdo fillim seance parlamentare, deputetët janë nën monitorimin e punonjësve të Zyrës së Trajtimit të Deputetëve, të cilët mbajnë në shënim prezencën e deputetëve. Gjithashtu mësohet se në paraqitjen e listëprezencës së deputetëve merren në konsideratë edhe tabulatet e votimit të projektligjeve. Kjo për të faktuar pjesëmarrjen e të zgjedhurve në seancën plenare. Në rast se konstatohet mungesa, deputeti duhet të faktojë nëse ajo është me arsye ose jo. Nëse nuk faktohet, Kuvendi i heq nga paga e deputetit shumën prej 4 mijë lekësh. Në rast të kundërt është kur Byroja e Kuvendit merr vendim për përjashtimin e deputetit për sjellje jo brenda normave. Këtu masa financiare ndëshkimore është heqja e ditës së punës.
Vendimi i Kuvendit
Ndryshojnë pagat, deputetët pa ditë pune për mungesa në seancë
Në seancën plenare të 26 nëntorit, Parlamenti miraton vendimin e ri për trajtimin financiar të deputetëve. Sipas vendimit të ri, paga e një deputeti do të jetë fikse dhe e palidhur me pjesëmarrjen e tij në komisionet parlamentare. Në pikën e parë të këtij akti thuhet se “paga ditore e deputetit llogaritet mbi pagën bazë, pa përfshirë shpërblimet dhe mbulimin e shpenzimeve. Për çdo mungesë pa shkaqe të përligjura në seancat plenare të Kuvendit deputetit i ndalohet paga ditore. Mungesa pa shkaqe të përligjura për efekt page quhet çdo mungesë, përjashtuar rastet kur me miratimin e Kryetarit të Kuvendit, deputeti merr pjesë në veprimtari parlamentare brenda ose jashtë vendit”. Sipas këtij vendimi, paga mesatare e një deputeti është 150 mijë lekë (dita e punës është 6800 lekë, duke llogaritur 22 ditë pune në muaj), atij për çdo mungesë në seancë plenare do t’i mbahen pikërisht 6800 lekë.