Kuvendi vijon debatet
Dekreti i Presidentit që kthen për rishqyrtim në parlament ligjin “Për shërbimin e jashtëm” është çështja e radhës në rendin e ditës së seancës së sotme plenare, ndërsa diskutimet e deputetëve, në prag dhe të nisjes së fushatës zgjedhore, janë përqëndruar në akuzat e ndërsjella mes palëve për projektet e parealizuara gjatë qeverisjeve respektive.
Në këtë kuadër, deputetja e Partisë Demokratike(PD), Albana Vokshi denoncoi atë që ajo e cilësoi ‘vjedhje e fondit të ilaçeve përmes recetave false’. Sipas saj, kjo përbën skandalin më të madh të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, i përllogaritur “në një dëm ekonomik prej rreth 1.5 miliard lekësh”. Kjo skemë vjedhje, tha Vokshi, aplikohet përmes recetave false, pikërisht me kartën e shëndetit, dhe ka nisur tre muaj pas marrjes së pushtetit nga qeveria ‘Rama’.
Ligji “Për standartizimin”, Harito:Reforma në administratë me ecurinë më të mirë
Kuvendi në nisje të seancës së sotme Diskutoi disa ndryshime në ligjin “Për standardizimin”, që synojnë përqasjen e tij me ligjin “Për nëpunësin civil”.
Në fjalën e saj, ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito vlerësoi se reforma në administratë ka njohur ecurinë më të mirë, krahasuar me reformat në fusha të tjera. Ky fakt, sipas saj, është konfirmuar edhe nga Komisioneri Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn.
Në përgjigje të akuzave të opozitës për largimin nga puna të punonjësve të administratës, Harito tha se janë futur në administratën publike duke përfituar statusin e nëpunësit civil 10 mijë të punësuar që janë gjetur në vendin e tyre të punës, nën një monitorim të rreptë nga Bashkimi Europian.
Ministrja hodhi poshtë edhe akuzat e deputetit demokrat Oerd Bylykbashi, i cili foli në emër të grupit parlamentar të PD-së, për moszbatim të vendimeve të gjykatave lidhur me administratën.
Sipas Haritos, ishte pikërisht kjo qeveri e cila solli amendimet në ligjin “Për nëpunësin civil” në janar të këtij viti, të cilat e bënin të detyrueshme zbatimin e vendimeve të gjykatave.
“Çdo vit qeveria paguan 20 milionë dollarë vetëm nga moszbatimi i vendimeve të gjykatave”, deklaroi ministrja.
Më herët në fjalën e tij, deputeti Bylykbashi akuzoi qeverinë për largim me motiv politik të rreth 7 mijë të punësuarve në administratë. Sipas tij, për të spastruar administratën nga profesionistë dhe për të emëruar militantë, qeveria nuk e futi në fuqi ligjin “Për nëpunësin civil” në tetor të 2013-s, ligj ky i miratuar me konsensus në prag të zgjedhjeve të dy viteve më parë.
“Nëse ligji do të hynte në fuqi në atë kohë atëherë do të kishin përfituar statusin 17 mijë punonjës të administratës dhe pushtetit vendor”, u shpreh Bylykbashi.
Demet nga breshëri, Ulqini:Fermerët do të dëmshpërblehen sipas ligjit
Deputeti socialist i Qarkut të Elbasanit, Musa Ulqini shprehu sot shqetësimin në parlament për dëmet e mëdha që shkaktuan ditët e fundit reshjet e dendura të breshërit në zonën e Belshit dhe sidomos në fshatin Sulovë. Duke shprehur solidaritetin me fermerët e goditur nga kjo fatkeqësi natyrore, deputeti socialist i garantoi ata se “pavarësisht axhendës së nxehtë politike për shkak të zgjedhjeve, ata nuk janë braktisur nga qeveria dhe institucionet, të cilët po monitorojnë gjithshka. Evidentimi i dëmit do të bëhet në gjithë hapësirën dhe dëmshpërblimi do të jetë sipas ligjit, larg çdo avashllëku dhe politizimi’, tha ai.
“Janë dëmtuar rëndë 250 hektarë të mbjella me vreshta dhe po ashtu qindra hektarë me pemë frutore. Sot, ekipe me specialistë të bujqësisë janë në terren për të vazhduar monitorimin e dëmeve në zonën e prekur më rëndë”, vërejti Ulqini.
Kuvendi zgjedh sot nënkryetarin e ri nga PDIU
Gjithashtu Kuvendi pritet të votojë sot dhe propozimin e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), për zgjedhjen e Shpëtim Idrizit, kryetar i kësaj force politike, në postin e zëvendëskryetarit të Kuvendit.
Në këtë mënyrë, organeve drejtuese të parlamentit i shtohet dhe nënkryetari i tretë, (dy nga të cilët i përkasin maxhorancës parlamentare), krahas Vangjel Dules të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ). Ndërsa nënkryetari i tretë i takon opozitës parlamentare.
Në fund të seancës pritet të miratohet dhe kalendari 3 javor (22 maj-12 qershor 2015) i punimeve të Kuvendit.