Kronika

Bllako dhe Koka refuzojnë akuzat për inceneratorin e Tiranës, ish-ministri: Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël!

15 personat e akuzuar nga SPAK për inceneratorin e Tiranës kanë dalë para GJKKO për tu njohur me masat e sigurisë, teksa të gjithë i kanë mohuar akuzat duke pretenduar se kanë bërë vetëm detyrën…

Të akuzuarit për aferën me inceneratorin e Tiranës kanë mohuar akuzat. SPAK mori të pandehur 15 persona dhe ata dolën sot para gjykatës për tu njohur me masat e sigurisë.

Mes të akuzuarve janë Lefter Koka dhe Alqi Bllako. Të dy  i kanë rrëzuar pretendimet e SPAK.

Lefter Koka ka vijuar të akuzojë Berishën dhe LSI për akuzat ndaj tij. Ai u kërkoi të falur ish-vartësve. “Kërkoj ndjesë gjithë stafit nëse janë këtu për shkakun tim. Ata kanë bërë më të mirën që mund të bënin. Akuzat janë ngritur mbi bazë të opinionit politik e mediatik. Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël. Ndjesë të gjithë juve (personave që janë akuzuar në dosjet ku ai është pjesë)”, është shprehur ai.

Ndërsa Bllako ka pretenduar se për blerjen e makinerisë së birrës me vlerë 119.755 disponon fatura.

E kam blerë personalisht në Çeki. Disponoj fatura që mund t’jua vë në dispozicion. Nuk kam përfituar blerje të tillë nga Klodian Zoto”, tha Bllako.

Për punësimin e Vladimir Bezhanit, Alqi Bllako tha: “Është një kontratë e ligjshme me sektorin privat. As me rregullore as me ligj nuk ndalohet. Është një nga tre ekspertët më të mirë në republikë sa i përket studimeve për trajtimin e mbetjeve. Paga e personit të punësuar është e ligjshme, sa kohë është e ligjshme s’ka motiv për të ngritur akuzë“.

Sa i takon komunikimeve të disa prej zyrtarëve me Klodian Zoton apo punonjës të kompanisë së tij, të akuzuarit kanë pretenduar se në rastin e ofertave të pakërkuara duhet të ketë komunikim, bisedime e kontakte mes firmës që ka shfaqur interes dhe kontraktorëve.

SPAK ndërkohë ka kërkuar burg për Pëllumb Abeshin, i cili është në arrest në shtëpi. Edhe në mungesë SPAK ka kërkuar burg për Abeshin dhe Etleva Kondin. Për Abeshin është rrëzuar, pasi është 65 vjeç, ndërsa Kondi ka fëmijë të mitur. Në fund masat u lanë në fuqi sikundër ishin caktuar më herët.

Është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ për:

1- Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit, Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’ Masa iu komunikua në burg
2- Alqi Bllako, ish sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, – Akuzohet për ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë të shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’
3- Mirel Mërtiri, pronari i Albteckenergy – Në kërkim – Akuzohet për ‘Mashtrim’ e ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale’
4- Klodian Zoto, administrator i kompanisë koncensionare, – Në kërkim – Akuzohet për ‘Mashtrim’
5- Erjon Murataj, anëtar i Komisioni Prokurimit për Inceneratorin e Tiranës,- Në kërkim – Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
6- Bledar Karoli, ish-zyrtar i Ministrisë së Energjisë, arrestuar- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
7- Taulant Tusha drejtor i Infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës, i vetëdorëzuar- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
8- Namik Simixhiu, Ish anëtar i Komisioni Prokurimit Inceneratorit të Tiranës, arrestuar- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
9- Jetmir Llapaj punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, arrestuar- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’

Iu është caktuar masa ‘Arrest shtëpie’:
1- Pëllumb Abeshi, ish-zyrtari i ministrisë së Mjedisit, i komunikohet masa ‘arrest shtëpie’,- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
2- Alba Thoma, ish-Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit, – Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
3 Valbona Ballgjini, anëtare e Komisionit të dhënies së koncesionit,- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
4- Sidita Temali, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, – Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
5- Etleva Kondi, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, – Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’
6- Silena Tola, punonjëse e Qendrës Kombëtare të Biznesit,- Akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button