Lajmet në rrjetet sociale: trend apo rrezik?
Të rinjtë nuk dalin nga kufijtë e informacionit, por e përshkojnë atë në mënyra të ndryshme. Në dhjetë vitet e fundit, informimi te grupmosha 18–24 vjeç është zhvendosur nga faqet editoriale drejt platformave ku lajmi konkurron me përmbajtje të tjera dhe tërheq vëmendjen brenda një rrjedhe të vazhdueshme, shkruan adnkronos.it.
Pikërisht këtu matet ndryshimi i regjistruar nga Reuters Institute: publiku i ri ka kaluar nga një model “online-first” në një model “social-first”.
Dhjetë vite më parë, për 18–24-vjeçarët, hyrja kryesore në informacion kalonte ende përmes faqeve dhe aplikacioneve të mediave; sot kalon kryesisht nga rrjetet sociale.
Sipas Reuters Institute, në vitin 2015, 36% e të rinjve tregonin faqet dhe aplikacionet e mediave si burimin kryesor të lajmeve, kundrejt 21% të rrjeteve sociale.
Në vitin 2025, raporti është përmbysur: 39% tregojnë rrjetet sociale si hyrjen e parë, ndërsa faqet dhe aplikacionet zbresin në 24%. Edhe televizioni ka rënë, duke u ndalur në 21%.
Marrëdhënia me markën mediatike dobësohet, sepse takimi me lajmin ndodh gjithnjë e më shpesh në ambiente të ndërmjetësuara nga platforma që përzgjedhin, rendisin dhe shpërndajnë përmbajtje të ndryshme shumë herë edhe të pabesueshme.
Observatori Agcom 2025 tregon se mes moshave 14–24 vjeç, 38.5% informohen vetëm online, ndërsa në grupmoshën mbi 65 vjeç, rreth një në dy persona vazhdon t’u besojë vetëm mediave tradicionale.
Diferenca mes brezave nuk ka të bëjë vetëm me preferencën për një mjet, por me mënyrën se si ndërtohet raporti me lajmet.
Raporti i Reuters Institute tregon katër platforma tashmë qendrore për 18–24 vjeçarët: Instagram me 30%, YouTube me 23%, TikTok me 22% dhe X me 20%.
Të dhënat më domethënëse lidhen me rënien e Facebook, i cili tek të rinjtë kalon nga 53% në 16% në më pak se një dekadë. /os/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.