Lamtumira për 127 viktimat e gjenocidit në Srebrenicë
Në Qendrën Memoriale në Potoçari po bëhen homazhet për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe më vonë gjatë ditës do të vazhdojë ceremonia e varrimit të 127 viktimave të identifikuara të gjenocidit. Në mesin e viktimave janë edhe 12 të mitur. Viktima më e re është Avdija Memiq, që ishte vëtëm 14-vjeçar kur u vra, ndërkaq më i vjetri Mustafa Haxhoviq, i vrarë në moshën 77-vjeçare.
Anëtarët e mbijetuar të familjeve po bëjnë nderimet e fundit për më të dashurit e tyre që prej dy ditësh, prejse arkivolet me eshtrat e viktimave janë sjellë në Potoçari dhe janë vendosur në ish-fabrikën e baterive. Shumë familje edhe këtë vit do të varrosin vetëm disa eshtra të të vrarëve që janë identifikuar dhe që janë gjetur në varrezat primare dhe sekondare.
Në Bosnjë sot shënohet përvjetori i vrasjes së mijëra boshnjakëve. Asnjë institucion i Serbisë, as këtë vit, nuk do ta shënojë zyrtarisht përvjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. Njëzetenjëvjetorin e vrasjes masive të boshnjakëve edhe kësaj radhe e shënojnë vetëm organizatat joqeveritare.
Organizata joqeveritare anti-luftë “Gratë në të zeza”, të shtunën mbrëma, ka bërë një performancë në qendër të Beogradit, nën masa të rrepta të sigurisë. Performanca është quajtur “Srebrenica 8372”, shifër që aludon në numrin e viktimave të Srebrenicës. “Përgjegjësi”, “Solidaritet”, “Kurrë nuk do të harrojmë gjenocidin në Srebrenicë” kanë qenë mesazhet që janë përçuar nga tubimi.
“Këto janë mesazhe për shtetin që sa më parë të miratojë rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, sepse me një gjë të tillë do të shkëputej nga politika e krimit, që ka ndjekur regjimi i mëparshëm”, ka thënë Stasha Zajoviq, përfaqësuese e organizatës “Gratë në të zeza”. Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në qytetin e Srebrenicës, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që pasuan, ata vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.
Ekzekutimet ishin mirë të planifikuara dhe ushtria serbe ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të fshehur të bëmat e saj. Derisa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdon ende. Masakra, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si mizoria më e keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në vitin 2004, gjykata e Kombeve të Bashkuara që ka trajtuar krimet në ish-Jugosllavi, i ka emërtuar vrasjet në Srebrenicë si gjenocid. Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar në muajin mars me 40 vjet burg për krime lufte në Srebrenicë, ndërsa ish-udhëheqësi ushtarak, Ratko Mlladiq, është ende në gjyq në Hagë.
Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë ka miratuar një rezolutë historike, me të cilën ka kërkuar falje për masakrën e Srebrenicës. Rezoluta thotë se Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë.
Në 21-vjetorin e masakrës, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se kujtimi i këtij krimi të tmerrshëm është i rëndësishëm, por “edhe më e rëndësishme është të parandalohet një gjë e tillë në të ardhmen”.
”Kujtimi i asaj që ka ndodhur në Srebrenicë duhet të forcojë vendosmërinë tonë që dallimet t’i kapërcejmë në mënyrë paqësore dhe duke respektuar dinjitetin e çdo personi, pavarësisht nga kombësia e tij, raca, gjinia apo feja”, ka thënë Kerry. Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të veprojnë ngjashëm.