Lati: Lufta ndaj informalitetit, jetike për konkurrencën
Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati vlerësoi të martën se lufta ndaj informalitetit është jetike për zhvillimin e konkurrencës së ndershme në vend. Pas prezantimit të raportit vjetor një javë më parë në komisionin e Ekonomisë, Kryetarja e AK-së, Lati është sot përballë deputetëve për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre lidhur me zhvillimet në vitin 2015 mbi zhvillimin e konkurrencës.
Sipas Latit, gjatë vitit 2015, AK ka gjetur fakte të cilat vërtetojnë se kompanitë komunikojnë mes tyre për vendosjen e çmimeve të njëjta në treg. Por, shtoi ajo, gjykatat nuk i kanë marrë parasysh faktet e sjella nga AK, duke mos i konsideruar të tilla.
Shpesh, shtoi Lati, gjykatat kanë dhënë vendime të ndryshme për të njëjtin vendim të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës. Lidhur me këtë, deputetët e maxhorancës i kërkuan AK-së të rrisë bashkëpunimin me gjykatat dhe qeverinë duke krijuar një ‘konsorcium’ transparence.
Lati komentoi edhe marrëveshjen e arritur mes kompanisë Tirana Airport Partners (TIA) me qeverinë shqiptare për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve. Sipas saj, Autoriteti i Konkurrencës vlerëson marrëveshjen e arritur nga qeveria shqiptare me kompaninë TIA, por është kundër zgjatjes së afatit. “Komisioni i Konkurrencës nuk ra dakord për shtyrjen edhe me dy vite të marrëveshjes koncesionare, duke argumentuar se në kushtet e reja ekonomike që ushtron veprimtarinë e vet kompania ‘Tirana Airport Partners’ ka hapësirë për lejimin e një aeroporti të ri që operon me linja low cost, sikurse mund të jetë potencialisht ai i Kukësit. Ndërsa kryetari i komisionit të Ekonomisë dhe Financave informoi se marrëveshja e arritur me TIA-n do të shqyrtohet nga qeveria dhe Parlamenti.
Braçe i kërkoi po ashtu Autoritetit të Konkurrencës kontrollin e transaksioneve të kompanive të mëdha, pasi sipas tij, shqetësimi po thellohet. Por, Lati tha se AK nuk kishte informacion të pasqyrave financiare të kompanisë GFI. GFI Technologies është një nga kompanitë shqiptare që figuron në megaskandalin e publikuar nga mediat ndërkombëtare, ku liderë shtetesh, biznesmenë, sportistë dhe artistë kanë shmangur taksat dhe kanë pastruar para nëpërmjet firmës juridike panameze Mossack Fonseca. GFI Albania, ishte kompania e specializuar në shënimin dhe monitorimin e hidrokarbureve deri në dhjetor të vitit që shkoi.
Kryetari i Komisionit, z Braçe komentoi edhe shërbimin e ofruar nga kjo kompani në vendin tonë. “Ishte një turp vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila pas kërkesës nga Shoqata e Hidrokarbureve nuk shfuqizoi vendimin e qeverisë, që i dha të drejtën dy kompanive austriake të markojnë dhe kontrollojnë karburantet, duke u shprehur se nuk gjeti argumente bindëse për mundësinë e cënimit të interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve si rrjedhojë e zbatimit të menjëhershëm të këtij vendimi”, tha ai.
Qeveria e djathtë miratoi në 13 mars të vitit 2013, kontratën e koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G.