Legalizimet/ ALUIZNI ndan 10 mijë leje, ja si merret tapia brenda 15 ditëve
Brenda këtij viti janë pajisur me leje legalizimi rreth 10 mijë ndërtime pa leje në të gjithë vendin. Për ta shndërruar lejen e legalizimit në certifikatë pronësie, gjithë procedura ndiqet nga ALUIZNI dhe Hipoteka.
Dosja e plotë dërgohet në Hipotekë nga ALUIZNI dhe brenda 15 ditëve duhet që tapia të jetë gati. Përfituesi njoftohet për mbylljen e procesit dhe mund ta tërheqë tapinë në çdo moment.
Udhëzimet
Me udhëzimin e firmosur nga ALUIZNI dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përgjegjësinë për t’i shkuar deri në fund procesit të dhënies së lejes së legalizimit dhe hipotekës e kanë marrë pikërisht këto dy institucione.
Sipas këtij udhëzimi, “aplikimi do kryhet nga ALUIZNI, por në emër të personit që ka aplikuar për leje legalizimi.
Drejtoritë e varësisë të ALUIZNI-t, paraqesin aplikimin për regjistrim të lejes së legalizimit dhe për lëshim të certifikatës së pronësisë, në emër të përfituesit të lejes.
Aplikimi për regjistrim bëhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t nëpërmjet formularit-tip, pa pagesë, “aplikim zero”, në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit dixhital”.
Aplikimi
Aplikimi për regjistrim përmban emrin, mbiemrin, orientimin faktik të vendndodhjes, numrin e telefonit celular, dhe ka të përcaktuar si datë aplikimi, atë të plotësimit të tij në sistemin dixhital. Njëkohësisht, me aplikimin elektronik, drejtoria e ALUIZNI-t përcjell dokumentacionin e përcaktuar.
“Aplikimi kryhet vetëm një herë dhe është i vlefshëm për zënien e afatit të kërkesës për regjistrim, në kuptim të nenit 38, të ligjit nr. 33/2012, datë 21.3.2012, ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’. Veprimet e mëtejshme për plotësimin e mangësive/pasaktësive të mundshme në dokumentacionin bashkëlidhur ‘kërkesës për regjistrim’, kryhen nëpë-rmjet korrespondencës shkresore mes dy institucioneve”, thuhet në udhëzim.
“Regjistruesi, brenda 10 ditëve punë nga data e paraqitjes së kërkesës, është i detyruar të kryejë regji-strimin, pasi ka verifikuar nëse dokumentacioni i dorëzuar është i plotë dhe i saktë, mbështetur në përcaktimet e kreut II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1095, datë 28.12.2015. Brenda 5 ditësh nga data e regjistrimit të lejes së legalizimit, ZVRPP-ja i kërkon ALUIZNI-t të njoftojë subjektin përfitues për të kryer pagesën e tarifave të shërbimit në llogarinë bankare të ZVRPP-së.
Regjistruesi, në rast se konstaton se ka mangësi në dokumentacionin që shoqëron lejen e legalizimit apo pasaktësi që e detyrojnë të mos kryejë regjistrimin, njofton drejtorinë e ALUIZNI-t për plotësimin e tyre brenda afatit”, përcakton udhëzimi.
“Me konfirmimin e kryerjes nga subjekti të pagesës për tarifat e shërbimit, ZVRPP-ja dërgon në rrugë postare certifikatën përkatëse të pronësisë. Regjistruesi vijon me regjistrimin e lejes së legalizimit të ngritur mbi truallin e një objekti që rezulton i shembur, mjafton që subjekti të depozitojë pranë ALUIZNI-t deklaratën noteriale të prishjes së objektit, shoqëruar me vërtetimin nga njësia administrative që ky objekt nuk ekziston më”, orienton udhëzimi.
Objektet në proces
Të dhënat zyrtare nga Agjencia e Legalizimeve pasqyrojnë se numri i vetëdeklarimeve për legalizim në vitet 2006-2015 është 323.082 banesa, teksa kanë marrë leje vetëm 40% e tyre. Mirëpo më shumë se gjysma e këtyre objekteve që kanë marrë lejen e legalizimit nuk kanë arritur të marrin hipotekën. Kështu që objektet, edhe pse me leje legalizimi, nuk janë të tregtueshme.
Sipas të dhënave nga ALUIZNI, numri i lejeve për legalizim për periudhën 2006-qershor 2017 është 132.000 banesa, nga të cilat 108.240 janë banesa dhe pjesa tjetër, 23.760 janë objekte biznesi. Siç shihet nga të dhënat, mbeten për t’u legalizuar edhe rreth 190 mijë objekte ose 60 për qind e objekteve gjithsej.
Ndërtimet pa leje
Gjatë tri viteve janë lëshuar në total rreth 90 mijë leje, nga këto rreth 51 mijë vetëm vitin e kaluar. “Në një analizë krahasuese të performancës së Agjencisë gjatë 4 viteve (2014-2017), numri i lejeve të legalizimit arriti në 132.000”. Ajo që nuk dihet është se sa prej këtyre lejeve janë regjistruar deri më tani në Hipotekë, duke finalizuar në tërësi procesin.
Për këtë vit, ALUIZNI parashikon që të përmbyllë procedurat e legalizimit edhe për 40 mijë objekte të tjera, duke e çuar në 150.000 numrin e përgjithshëm të ndërtimeve të legalizuara.
“Objektiv i institucionit për vitin 2017 dhe në perspektivë për të ardhmen e veprimtarisë është përfundimi i procedurave administrative dhe legalizimi i 40.000 objekteve, duke e çuar numrin e përgjithshëm të lejeve të dhëna në 150.000 në fund të vitit”.