Legalizimet: Çmimet favorizuese të shitjes së parcelave, falas invalidëve
Qeveria cakton tarifat e shitjes së trojeve të objekteve që legalizohen. Mënyra e pagesës dhe zbritjet
Nga Zamir Alushi
Qeveria miraton vendimin për çmimet favorizuese të shitjes së parcelës ndërtimore për objektet pa leje për banim ose të përzier. Ata që kanë ndërtesa për legalizim në zonat urbane do të kenë ulje 50% të çmimit të truallit, por nëse paguajnë brenda 45 ditëve, marrin një tjetër ulje të shumës, në 20%. Favori tjetër lidhet me letrat me vlerë. Përfituesit kanë të drejtë të paguajnë me bono deri në 50% të vlerës së parcelës që legalizohet. Por lehtësitë janë vetëm për shtëpitë informale, jo për lokalet e biznesit. Në rastin kur ndërtesa është edhe shtëpi edhe lokal, qeveria jep favor vetëm për pjesën e banuar.
Çmimet
Çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion banimi, përfshirë dhe shtesat në pallate, sipas vendimit të qeverisë, llogaritet si përqindje mbi vlerën e pronës, sipas llojit “tokë truall”, i miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Nëse qeveria nuk do të nxjerrë një hartë të re të tarifave të trojeve, pagesat do të llogariten mbi bazën e katalogut të tarifave të miratuara nga Këshilli i Ministrave në vitin 2013. Për ndërtimet pa leje me funksion banimi, çmimi i shitjes për një metër katror është 50% e vlerës së përcaktuar për pasurinë “tokë truall”, në njësinë administrative dhe zonën kadastrale përkatëse. Por, jo të gjitha zonat përfitojnë ulje 50% për legalizimin. Për ndërtimet pa leje të ndërtuara brenda territorit administrativ të komunave, kur çmimi për metër katror është më i vogël se 400 lekë apo më i madh se 1 500 lekë, tarifa që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi. Për ndërtimet pa leje, të ndërtuara brenda territorit administrativ të bashkive, kur çmimi për metër katror është më i vogël se 500 lekë apo më i madh se 2 000 lekë, çmimi që do të aplikohet për shitjen e parcelës ndërtimore do të jetë në këto vlera kufi. Për shtesat anësore ose në lartësi në ndërtime me leje, me funksion banimi, pavarësisht nga territori ku ato janë ngritur, kur çmimi për metër katror është më i vogël se 1 000 lekë apo më i madh se 3 000 lekë, çmimi që do të aplikohet për sipërfaqen përkatëse do të jetë në këto vlera kufi. Ndërsa për objektet me funksion të përzierë, banim dhe social-ekonomik, çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore llogaritet në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje, që shfrytëzohet për secilin nga funksionet. Sipërfaqja e parcelës ndërtimore, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për funksion social-ekonomik, shitet sipas vlerës së pronës, të llojit “tokë truall”, i miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. Ndërsa, sipërfaqja e parcelës që legalizohet, në raport me sipërfaqen e ndërtimit pa leje që shfrytëzohet për banim, shitet sipas çmimit favorizues, pra me 50% zbritje.
Ata që e përfitojnë falas
Vendimi i qeverisë veçon disa kategori që e përfitojnë falas parcelën e legalizuar. Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë statusin e invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, me paraqitjen e dëshmisë zyrtare përkatëse pranë Drejtorisë së varësisë së ALUIZNI-t, detyrimi financiar për vlerën e parcelës ndërtimore falet. Ndërsa, atyre që kanë në përbërjen familjare persona me statusin e invalidit paraplegjik ose tetraplegjik, detyrimi financiar për parcelën ndërtimore u zbritet në masën 50% nga vlera e llogaritur. Përfitues të faljes janë edhe poseduesit e ndërtimeve pa leje, që janë subjekte të ndihmës ekonomike. Ata përfitojnë zbritje në masën 30% nga detyrimi i llogaritur.
Mënyrat e pagesës
1 Shlyerja e vlerës së parcelës ndërtimore nga poseduesi i ndërtimit pa leje bëhet pas njoftimit me shkrim nga ALUIZNI
2 Pagesë e menjëhershme është shlyerja e vlerës së parcelës ndërtimore, brenda 45 ditëve nga data e njoftimit me shkrim
3 Për pagesën e menjëhershme përfitohet 20% zbritje nga vlera e detyrimit, pavarësisht nga funksioni i objektit
4 Pagesa mund të kryhet: a) në lekë, në vlerë të plotë; b) me bono privatizimi, deri në 50% të vlerës së parcelës
5 Për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, pagesa e vlerës së parcelës ndërtimore bëhet menjëherë
6 Për ata që dëshmojnë shlyerjen e faturave të energjisë, mbi vlerën e parcelës ndërtimore të objektit, aplikohet zbritje 10%
Lehtësitë
Ulje 20% edhe për shtëpitë e dyta
Sipas vendimit të qeverisë, zbritje 20% përfitohet edhe për vlerën e parcelës ndërtimore për objektet e dyta pa leje, kur bëhet pagesë e menjëhershme. Ndërsa, nëse poseduesi i ndërtimit pa leje nuk e shlyen plotësisht detyrimin financiar për parcelën ndërtimore brenda një viti nga data e njoftimit, sipas ligjit, humb të drejtat për favorizime. Gjithsesi, legalizimi i ndërtesës bëhet, por detyrimi mbartet si barrë hipotekore deri në shlyerjen e tij.