Legalizimet, Lame: Nuk do ketë më asnjë lëshim për deklarimet, në total janë 427 mijë ndërtime pa leje
Në përmbyllje të procesit të vetëdeklarimit të ndërtimeve pa leje, kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame bëri të ditur se në total janë 427 mijë ndërtime pa leje, të ndërtuara nga viti ’92-’93 e deri më sot.
Në një konferencë për mediat, Lame theksoi se tashmë nuk do të ketë më asnjë lëshim për deklarimin e ndërtimeve pa leje, ndërsa qytetarët duhet të plotësojnë dokumentacionin e kërkuar dhe të presin grupet e ALUIZNI-t për të kryer matjet.
“Shqiptarët e morën seriozisht shtetin e tyre që pas këtij regjistrimi nuk do të ketë më lëshime të tjera. U bëj thirrje qytetarëve që tashmë me qetësi të plotësojnë dokumentacionin, të presin grupet e ALUIZNI-t që u trokasin në shtëpi për të bërë matjet. Asnjë shqiptar nuk ka më kurajën të dalë dhe të thotë më ka shteti borxh se nuk arrita të bëj dot vetëdeklarimin, u lanë 6 muaj, u shty dhe një muaj, u njoftua”- deklaroi Lame.
Faza e re e vetëdeklarimeve u çel në shtatorin e vitit të kaluar dhe planifikonte të mbyllej në muajin dhjetor. Por, fluksi i madh i qytetarëve në sportelet e ALUIZNI-t, si dhe nevoja për tu dhënë një mundësi emigrantëve që u kthyen për festat e fundvitit në vend, bëri që ALUIZNI të shtynte afatin deri më 31 janar.
Nga data 1 shkurt 2015 hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, ku për ndërtimet pa leje është hequr koncepti i dënimit me gjobë, duke u zëvendësuar me dënimin me burg. Është shtuar koncepti i pasojave të rënda qoftë në tokë private, ashtu dhe në atë shtetërore, duke vendosur një dënim maksimal deri në 5 vjet. Është shtuar dënimi për personat që japin ndihmë për ndërtimet e paligjshme, duke vendosur si masë dënimi burgim deri në 3 vjet, ku përfshihen edhe sipërmarrësit, ndërtuesit apo zbatuesit e punimeve. Procesi i vetëdeklarimeve është hapi i parë në procesin e legalizimit të banesave. Më pas strukturat e ALUIZNI-t marrin përsipër kryerjen e të gjitha procedurave në terren.