Lehtësohet zhdoganimi i farave për mbjellje të importuara nga BE-ja
Lehtësohet zhdoganimi i farave dhe fidanëve për mbjellje, të importuara nga BE-ja dhe vendet nënshkruese të konventës së UPOV-it.
Me disa ndryshime që propozohet të bëhen në ligjin “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, krijohen lehtësira për importuesit dhe prodhuesit të materialit mbjellës e shumëzues bimor.
Projektligji që ka mbërritur në Kuvend do të shmangë kohën e gjatë të pritjes në pikat doganore, duke hequr detyrimin për testim të hibrideve të perimeve, detyrimin për testim të hibrideve dhe varieteteve të bimëve bujqësore që përdoren si material mbjellës e shumëzues bimor, të importuara në vendet e BE-së apo vendet që kanë nënshkruar konventën e UPOV-it, pa pasur nevojë për të kryer procedurën e testimit që kërkon kohë dhe shpenzime.
Kështu, drafti propozon heqjen e detyrimit ligjor për të paraqitur njoftim pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) 15 ditë para kryerjes së importit, me arsyetimin se në çdo pikë doganore AKU-ja ka gjithmonë të pranishëm inspektorët e saj. Po ashtu, hiqet detyrimi ligjor për pajisjen e materialit mbjellës e shumëzues bimor që importohet me dokumentacion në gjuhën shqipe dhe angleze. Gjithashtu, për importuesit e farave të perimeve mundësohet regjistrimi pa testim në Katalogun Kombëtar të hibrideve.
Projektligji sanksionon regjistrimin e varieteteve apo hibrideve të bimëve bujqësore që importohen nga vendet e BE-së, apo vendet që kanë nënshkruar konventën e UPOV-it pa qenë nevoja e kryerjes së procesit të testimit, por me kushtin që importuesi në rolin e furnizuesit të shoqërojë materialin mbjellës e shumëzues bimor me skedë për provën për dallueshmëri, uniformitet dhe stabilitet.