Letërsia autobiografike e Ferrës
Shkrimtari nga Durrësi ka botuar romanin e parë në gjermanisht “Hije tymi” / Një libër i nisur nga një histori personale.
“Ka njerëz me fantazi si Dostojevski. Por unë nuk e kam atë lloj fantazie, ndaj përdor jetën time si laborator.” Prusti shprehej kështu teksa shpjegonte tisin autobiografik që ndihej në librat e tij. Ilir Ferra, shkrimtar shqiptar i njohur në gjuhën gjermanofolëse, e nisi letërsinë nga një histori personale. Duket sikur ai e projektoi atë çfarë do të shkruante, duke e vendosur veten si në një laborator për të prodhuar historinë. “Hije tymi” quhet romani që pak kohë më parë u vlerësua me çmimin “Chamisso”, çmim i cili mban emrin e poetit Adelbert von Chamisso (1781 – 1838), që ndonëse ishte francez shkruante në gjermanisht, është i vetmi i këtij lloji në hapësirën gjermanofone dhe qysh nga viti 1985 jepet nga Fondacioni “Robert Bosch” pikërisht për ata shkrimtarë të gjuhës gjermane, të cilët nuk e kanë gjermanishten gjuhë amtare. “Për romanin tim shumë njerëz mendojnë se është autobiografik. Problemi është se unë kam shkruar për një lotosport ku kam punuar. Dhe treguesit i kam dhënë në background-in tim. Fakt është sidoqoftë që unë e nisa atë punë për të shkruar romanin. Pra, ishte një autobiografi e sajuar, por sërish mbetet autobiografi. Dashje pa dashje njeriu lidhet me atë që shkruan dhe ajo i kthehet në jetën e tij. Në këtë lotosport përplasen njerëz me prejardhje të ndryshme, shqiptari me serbin, boshnjaku me austriakun, nigeriani me çeçenin. Por më pëlqen të mendoj si Prust për sa i përket dozës së autobiografisë. Ai thotë se ka njerëz me fantazi si Dostojevski. Por unë nuk e kam atë lloj fantazie, ndaj përdor jetën time si laborator për shkrimet …”, thotë Ferra. I larguar fillimisht për në Vjenë kur ishte 16 vjeç, djaloshi nga Durrësi do të lidhej shpejt me gjermanishten. Studimet për përkthim do ta mprihnin më shumë atë ndjeshmërinë ndaj gjuhës. Kujton se vargjet e para nisi t’i shkruante në anglisht, i tërhequr nga një ndjenjë dashurore, që e shtynte vetëm të shkruante. Më pas, lidhja me gjuhën gjermane, do ta çonte drejt një lidhjeje tjetër të pashmangshme, siç ishte ajo me librat. Mësimi i gjuhës ishte si një lundrim në një oqean, nga i cili merrte pafund mësime. Fjala ishte për të një mundësi ndryshimi, jo vetëm e vetmisë, por dhe e së nesërmes. “Fillova të lexoja sa më shumë. Lexoja çdo libër që profesori i letërsisë përmendte në shkollë. Leximi më pëlqente më shumë se çdo gjë dhe në fakt, ishte mënyra më e mirë për të kaluar kohën dhe për të mësuar gjuhën. Lexoja vetëm gjermanisht”, thotë Ferra. Marrëdhënia me gjuhën do ta çonte drejt një tjetër marrëdhënie, që sot ai e quan dashuri. “Kisha filluar ta dashuroja letërsinë më shumë se çdo gjë. Më kujtohej që dikur në Durrës në lagje kishim dikë që lexonte dhe e quanim me humor Shekspiri … papritur unë isha si ai”, kujton sot Iliri. Si në një lojë ai u ndie i kapur nga shkrimi, i cili u kthye në realitetin e tij. Kur kishte vetëm disa vite që shkruante, dikush i tha që ti nuk je Dostojevski. “I thashë nuk jam, por po mos të kisha shpresën që mund të jem, nuk do të merresha me shkrimin …”, thotë Ferra. Në një tjetër formë letërsia është dhe këmbëngulje, të ndjekësh rrugën që të çon drejt asaj që ti do aq shumë, siç është e shkruara. Romanin e parë e shkroi ashtu natyrshëm në gjuhën gjermane dhe pse do të donte ta kishte edhe në gjuhën shqipe. Lexuesi dhe kritika gjermane e ka pritur mirë, kjo e ka shtyrë të vazhdojë më tej. “Sa mirë që në sallë depërton dritë natyrore, mendon Lundrimi dhe sakaq ndien në kyçet e duarve mbërthimin e hekurt të prangave. E zbehur nga perdet e rënda ngjyrë qielli drita vezullon mbi bojën e kuqërremtë të rimesos mbi mur, ndërsa aparatet përgjuese më të ndjeshmet në botë regjistrojnë çdo detaj të perëndimit të tij. Gjithçka solemne. Ç’m’u desh? Pyet teksa emri i tij hidhet tutje e tëhu nëpër radhët e karrigeve si një top i gungët pingpongu”, janë disa pasazhe nga romani i tij. Por çfarë është romani për të?” Flitet ndonjëherë për romanë të dështuar ose që nuk janë tërheqës. Si lexues, romani është i barabartë me jetën. Të paktën për kohën e leximit dhe kohën që lexuesi kalon duke menduar për të. Prandaj është tragjike nëse shkrimtari nuk është i sinqertë në çdo fjalë që shkruan apo zgjedh. Kur shkruhet është akt dashurie që zgjat me vite dhe kthehet në dhembje, dështim, lodhje, mundim dhe pastaj fal momente në të cilat autori si njeri është më shumë se ç’është në të vërtetë. Është më shumë se autor, më shumë se njeri, më shumë se fëmija i prindërve që ka ose se babai i fëmijës së tij. Është krijues. Por këto janë momente që paguhen shtrenjtë”, thotë Ferra. Në “Hije tymi” ai sjell një rrëfim prekës, i cili nuk ka si të jetë ndryshe i shkruar nga një shkrimtar që e la vendin e tij kur ishte shumë i ri. Dhe pse adoleshent në vitet ’90 kur udhëtoi drejt Vjenës, Shqipëria e së shkuarës ishte si një paketë kujtimesh që nuk mund të ikë asnjëherë nga kujtesa, shumë e fortë për të depërtuar në zgjedhjet e personazheve. Kjo, pasi e shkuara në një farë mënyre drejton jetët tona dhe kur mendojmë se e kemi shmangur atë. “Libri i autorit shqiptar Ferra “Rauchschatten” (Hije tymi) është një rrëfim prekës mbi një familje shqiptare në vitet tetëdhjetë, një jetë nën mbikëqyrjen e vrazhdë të Enver Hoxhës, përmendoret e të cilit bëjnë rojë në të gjitha sheshet e Shqipërisë (…). Ilir Ferra e përshkruan këtë botë të rrezikshme ngjyrë gri me një gjuhë të mëvetësishme dhe të figurshme, si dhe me një ndjenjë për detajin”, do të shkruante gazeta “Wiener Zeitung”. Por Ferra e sheh letërsinë tashmë si shtëpinë nga e cila nuk do të dalë më, tek e cila ka gjithë forcën e duhur për ta dashur më shumë të ardhmen. Të botuarit në një gjuhë me një lexues më të madh siç është gjermanishtja, i jep një tjetër dimension librit, por takimi me lexuesin e vendit tënd, me kritikën e vendit tënd, mbetet një takim i shumëpritur për Ferrën. Ai thotë se do ta përkthejë vetë në shqip librin, i bindur se njohja me gjuhët e tjera thjesht e ka përsosur raportin e tij me shqipen.