Libri

Letërsia është shpëtimi

Italo Svevo

“Letërsia duhet të jetë shërimi dhe një formë mbrojtjeje nga jeta”, kështu e shihte letërsinë një prej personazheve më të njohura të letërsisë italiane, Italo Svevo. Me një ndikim të jashtëzakonshëm nga studimet mbi teoritë e Frojdit dhe të psikanalizës, ai e shihte “neurozën” si shenjë pozitive të refuzimit të qenies njerëzore për t’iu nënshtruar qytetërimit modern. Në këtë mënyrë, thotë ai, lind figura e “të sëmurit”, i cili nuk arrin dot të bëhet njësh dhe të përshtatet me shoqërinë dhe që psikanaliza më kot kërkon ta shërojë, duke mos i dhënë rëndësi faktit që ai është një qenie njerëzore autentike. Një tjetër autor që do të ndikonte te Svevo ishte dhe filozofi gjerman, Schopenhauer, prej të cilit mori “idenë për vullnetin”, forcën e padukshme, e cila na shtyn të jetojmë jetën. Tjetër karakteristike e Svevos është edhe interpretimi që shkrimtari italian i bën teorisë se Darvinit. Sipas këndvështrimit të tij, nuk janë më të fortët ata që mbijetojnë, por të sëmurët dhe të paaftët, madje janë këta të fundit që falë paaftësisë së tyre arrijnë të përshtaten më lehtë me ndryshimet e botës që i rrethon. Të tria veprat kryesore të Svevos paraqesin mënyra investigimi mbi të mashtruarit e vetvetes, duke krijuar alibi morale mbi arsyetimet që lindin nga impulset e pavetëdijshme të mendjes njerëzore. Në veprat “Një jetë” dhe “Senilita”, autori merr rolin e gjykatësit të jashtëm kur rrëfen, dhe gjatë rrëfimit ai ndërhyn me gjykime që nënvizojnë ndryshimin ndërmjet fakteve reale dhe ndërgjegjes së personazhit kryesor për të tilla ngjarje. Këtë gjë nuk e gjejmë te “Ndërgjegjja e Zenos”, ku ai që rrëfen dhe ndërgjegjja e personazhit kryesor janë në një linjë me njëri-tjetrin. Në të tria veprat na shfaqet figura e “Të paaftit”, që në dy librat e parë është një letrar i vogël borgjez i pakënaqur me pozicionin e vet në shoqëri, ndërsa në librin e tretë “I paafti” i përket botës se financave dhe tregtisë dhe është i kënaqur me pozicionin e vet në shoqëri. Sa i përket stilit të të shkruarit të Svevos, ai është i ndryshëm te veprat. Kemi raste kur personazhi kryesor pushon se rrëfyeri në vetën e parë dhe e kalon atë në vetën e tretë, duke i dhënë mundësi autorit të ndërhyjë duke na rrëfyer një këndvështrim të ndryshëm nga ai i personazhit. Në raste të tjera, rrëfimi ndjek rrjedhën e kujtimeve të protagonistit, ngjarje të renditura në mënyrë kronologjike dhe logjike sipas tij, por nga ana tjetër gjejmë edhe ngjarje të radhitura sipas mënyrës së autorit. Në raste të tjera ekziston një dopio “Unë” që rrëfen (Zeno), i cili përpiqet të justifikojë veprimet e veta, ndërkohë që “Uni” që rrëfen i vë ato në dyshim. Gjuha e përdorur në veprat e Svevos, si pasojë edhe e ndikimit të gjuhës gjermane të studiuar në rini, na shfaqet me një strukturë që u përket gjuhëve të ndryshme. Pika e tij më e fortë është gjuha joletrare e përdorur në vepër. Personazhi kryesor nuk përdor një gjuhë të pastër letrare, por atë të shfazuarën, e cila në fakt përcakton gjuhën e ndërgjegjes. Italo Svevo, emri i vërtetë i të cilit është Aron Ettore Schmitz, ka lindur në Trieste, në vitin 1861, në një familje borgjeze tregtarësh me origjine hebreje dhe ishte vëllai i shtatë nga tetë vëllezërit. Gjyshi i tij kishte jetuar në Renania, Gjermani. Ai zgjodhi ta thërrisnin Italo për t’u deklaruar italian dhe Svevo për të treguar origjinën e tij gjermane. Prej dëshirës së babait të tij, studimet e para i kreu në Gjermani, ku krijoi dhe kontaktet e para me klasikët e letërsisë gjermane. Në vitin 1887 u kthye për të vazhduar studimet në Trieste, duke treguar një pasion të madh për letërsinë. Pas krizës financiare që goditi familjen e tij, Svevo ndërpret studimet dhe fillon punë në bankë. Svevo nuk ishte vetëm romancier, por edhe një kritik letrar, dramash dhe muzike, por që nuk pati shumë sukses si i tillë, edhe pse u mundua t’i përngjante modelit të De Sanctis. Svevo ka shkruar edhe vepra teatrale (thuajse gjithmonë të papërfunduara dhe të pabotuara gjatë jetës së tij), por pa qenë i suksesshëm. Romani i tij i parë “Një jetë”, në të cilin për herë të parë përdor pseudonimin Italo Svevo, u botua me shpenzimet e tij në vitin 1892, por nuk pati sukses. Ai tregon historinë e një të riu, Alfonso Nitit, i ardhur nga provinca në Trieste për të punuar në një bankë. Personazhi bën një jetë të dyfishtë. Atë të të punësuarit, me të cilin nuk është shumë i kënaqur dhe atë të studiuesit që thur ëndrra për letërsinë. Më pas ai bie në dashuri me Anetën, vajzën e pronarit të bankës, por jo çdo gjë shkon siç duhet, derisa në fund të veprës, pas vdekjes së të ëmës dhe fejesës së Anetës me një djalë tjetër, dhe pas një autoanalize të pamëshirshme ndaj vetes, Alfonsi vret veten. Vepra e Svevos ka një hyrje realiste dhe natyrale drejt zhvillimit të saj, por përfundon në mënyrë psikologjike, emotive. Në vitin 1898, Svevo publikon librin e tij “Senilita”, por edhe ky pa sukses. Protagonisti i veprës është Emilio Brentani, një i punësuar nga Trieste. Edhe ky një intelektual me prirje për letërsinë, i cili dashurohet me Anxholinën, një femër e ulët, por që ai e sheh si të padjallëzuar dhe të pastër. Kur e kupton gabimin mundohet ta kthejë të shoqen në rrugë të drejtë, por nuk ia arrin. Më pas kërkon të gjejë justifikim për sjelljen e saj, duke e quajtur viktimë të shoqërisë. Emilio nuk vetëvritet, por humbet dëshirën për të ecur përpara, si pasojë e pamundësisë për të krijuar një realitet të ri. Kalimi në heshtje i kësaj vepre, e demoralizoi aq shumë shkrimtarin, sa për 25 vjet nuk shkroi më asgjë tjetër. Për të dalë nga gjendja ku e kishin futur dështimet në letërsi, ai filloi të mësonte violinën dhe të studionte gjuhën angleze. Mësuesi i tij ishte James Joyce, i cili më vonë (1905) u bë një ndër shkrimtarët më të mëdhenj irlandez dhe një ndër më të njohurit e viteve 1900. Mes tyre lindi një miqësi e madhe. Atij i lexoi edhe librat “Një jetë” dhe “Senelita”, të cilat nuk u pëlqyen nga Joyce. Pas Luftës së Parë Botërore, gjatë së cilës mbronte me fanatizëm idealet e Italisë, shkroi romanin e tij të fundit, “Ndërgjegjja e Zenos”, i cili u botua më 1923-shin dhe që prekte shumë nga polemikat rreth ideve te Frojdit. Montale do të bënte një analizë për këtë vepër, duke nënvizuar “nderime për Italo Svevon” … Por jeta e tij do të ishte si një libër, i cili përfundon pikërisht atëherë kur jeta bëhet e bukur … Svevo humb jetën në një aksident automobilistik më 1928-n.

Përgatiti: Eglantina Lanaj

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button