Letrat e Tolstoit mbi dashurinë, dhunën dhe të vërtetën e shpirtit njerëzor
Bota nuk ka nevojë as për kushtetuta, as për revolucione, as për kongrese apo konferenca, as për nëndetëse, eksplozivë të fuqishëm, shkolla apo universitete, as për shtim të librave apo kinematografisë, por ka nevojë të pranojë një të vërtetë të thjeshtë, se në jetën tonë vetëm një ligj është i rëndësishëm: DASHURIA
Letërkëmbimi
‘Kushtetuta’ njëligjore
“Dashuria është e vetmja mënyrë për të shpëtuar humanitetin nga sëmundjet”.
Në vitin 1908, revolucionari indian, Taraknath, Das i shkroi Tolstoit, atëherë një nga figurat më të njohura në botë, për t’i kërkuar autorit mbështetje për pavarësinë e Indisë nga kolonizatori britanik.
Më 14 dhjetor, Tolstoi, i cili i kishte kaluar 20 vitet e fundit duke kërkuar përgjigje për pyetjet më të mëdha morale, iu përgjigj në një letër të gjatë, që Das e publikoi në gazetën e përditshme “Lironi Industanin”.
Kaluar dorë pas dore, mesazhi arriti te Mahatma Gandi që sapo kishte nisur karrierën si lider i paqes në Afrikën e Jugut. Ai i shkroi Tolstoit dhe i kërkoi leje që ta ribotonte në gazetën e tij “Opinioni Indian”. Letra e Tolstoit u botua më pas nën titullin “Letër një indiani”.
Kjo nxiti një korrespondencë mes të dyve që zgjati deri në vdekjen e Tolstoit – një takim i dy mendjeve dhe shpirtrave të mëdhenj të përmbledhur në librin “Korrespondenca e Tolstoit dhe Gandit”.
Letrat e shkrimtarit rus bëjnë thirrje për një rezistencë jo të dhunshme, ai u del kundër ideologjive false, si pseudofetare dhe pseudoshkencore, që nxisin dhunë, një akt që ai e sheh si jonatyral për shpirtin njerëzor dhe mbron kthimin në gjendjen tonë themelore dhe natyrale, në atë që mbështetet te dashuria.
E keqja, argumenton Tolstoi me pasion, luftohet jo me dhunë, por me dashuri, diçka që Maja Anxhelou e përshkroi aq bukur dekada më vonë.
Gandi nga ana e tij e cilësonte Tolstoin si një nga mendimtarët më të kthjellët në botën perëndimore, një nga shkrimtarët më madhështorë. Ai u bënte thirrje njerëzve të kuptonin të vërtetën qendrore të fjalëve të autorit. “E vërteta e vjetër që Tolstoi prezanton, është e freskët për nga forca. Arsyeja e tij është e pakundërshtueshme. Ai është i sinqertë dhe serioz. Ta thith vëmendjen”.
Fjalët e shkrimtarit të papërsëritshëm rus edhe sot janë tepër me vend, në çastin kur bota po përballet me një situatë jo të qetë politike, me dhunë etnike dhe konflikt global.
Ai shkruante: “Arsyeja për faktin befasues përse shumica e atyre që punojnë i dorëzohen një grushti personash që kontrollojnë punën dhe jetën e tyre është gjithnjë dhe kudo e njëjtë – pavarësisht nëse shtypësit dhe të shtypurit janë të një race apo të një kombësie tjetër.
Arsyeja shtrihet te mungesa e mësimeve fetare të logjikshme që duke dhënë shpjegime për kuptimin e jetës do të ofronin një ligj suprem për sjelljen dhe do të zëvendësoni perceptimet e dyshimta të pseudofesë dhe pseudoshkencës me përfundimet që nxirren prej tyre që njihen si ‘civilizim’”.
Kur flet për mësimet fetare, Tolstoi u referohet më shumë atyre të drejtimit shpirtëror.
Te çdo individ manifestohet një element shpirtëror që i jep jetë gjithë ekzistencës dhe ky element orvatet të bashkojë gjithçka që i ngjan natyrës së tij, dhe e arrin këtë përmes dashurisë… Fakti i thjeshtë që ky mendim ka çarë mes shteteve të ndryshme në kohë të ndryshme lë të kuptohet se është i trashëguar në natyrën njerëzore dhe se përmban të vërtetën. Por kjo e vërtetë u është bërë e njohur njerëzve që hamendësonin se një komunitet mund të mbahet i bashkuar nëse disa kontrollojnë të tjerët, ndaj duket i pakuptimtë në kuadër të rregullit ekzistues të shoqërisë.
Tolstoi tregon rastet kur sa e sa herë ideologjitë politike e kanë keqpërdorur këtë ligj të dashurisë në historinë e njerëzimit dhe e kanë zëvendësuar atë me dhunën. Ata që mbajnë pushtetin e cilësojnë këtë të vërtetë si një kërcënim për pozitën e tyre dhe e kundërshtojnë shpesh me dhunë të hapur.
“E vërteta se dashuria është morali më i lartë njerëzor është mohuar ose kundërshtuar, por e vërteta ishte aq e fortë saqë kundërshtimet mbetën vetëm fjalë. U është mësuar njerëzve se dashuria duhet të jetë vetëm për përdorim shtëpiak, dhe se në publik duhet të mbizotërojnë format e dhunës si burgosja, ekzekutimet dhe luftërat, të cilat përdoren si mbrojtje të shumicës kundër pakicës së keqe.
Është bërë e zakonshme që disa burra të vendosin se kush do të jetë subjekt i dhunës që të tjerët të përfitojnë, e këta që e pësojnë dhunën arrijnë nën të njëjtin përfundim se dhuna është zgjidhja për të hequr qafe ata që i dhunuan. Pavarësisht mësimeve shpirtërore të dashurisë, njeriu ka mësuar t’i përgjigjet dhunës me dhunë.
Sipas Tolstoit, një është e vërteta e vjetër dhe e thjeshtë: “Natyra e njeriut është të ndihmojë dhe ta dojë tjetrin, dhe jo ta torturojë apo vrasë shoku-shokun”.
Si shkenca, ashtu edhe feja, argumenton Tolstoi, mund të rezultojnë dogma të rrezikshme që na verbojnë nga ligji themeltar i dashurisë. Ai i kthehet pikës kyçe të mbrojtjes së rezistencës jo të dhunshme të Gandit duke shkruar:
Dashuria është e vetmja rrugë për ta shpëtuar njerëzimin nga çdo sëmundje dhe në të ti ke të vetmen mënyrë për të shpëtuar njerëzit e tu nga skllavëria… Dashuria dhe rezistenca e dhunshme ndaj keqbërësve, përmbajnë një kontradiktë të përbashkët për ndjenjën dhe kuptimin e konceptit dashuri.
Kur njerëzit të jetojnë sipas ligjit natyral të dashurisë që kanë në zemër, jo qindra njerëz, por as miliona, nuk do të arrijnë të skllavërojnë as edhe një person të vetëm.
*Marrë nga Brain Pickings