Lëvizja Vetëvendosje dënoi dhunën në Astir, Bashkia e Tiranës: Është votuar të qeverisë Kosovën, jo të bëjë djalin e Fahriut
Mbi postimin në fjalë ka reaguar Bashkia e Tiranës, e cila përmes një deklarate shprehet:
“Bashkia e Tiranës është thellësisht e keqardhur për degradimin e rëndë në të cilin ka përfunduar Lëvizja Vetëvendosja dega Tiranë, e cila sot ndërhyri në punët e brendshme të qytetit për një projekt lokal, por jetik për kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve. Unaza e Madhe është projekt 30 vjeçar, nuk i shërben qeverisë, por ndërtohet për të mirën e qytetarëve të saj, që kërkojnë të venë në punë, shkolla e spitale të pa penguar me muaj të tërë nga një grup dhunuesish.
Bashkia e Tiranës e cilëson deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje si të pakuptimtë, dashakeqe dhe të nxituar. Për këtë arsye, përfitojmë nga rasti të informojmë edhe Lëvizjen Vetëvendosja mëmë, se familjet që preken nga projekti i Unazës së Madhe dhe që kanë ndërtuar pa leje, ndër vite, në gjurmë të saj, po trajtohen me përparësi sipas ligjeve shqiptare në fuqi, shumica prej të cilëve janë dëmshpërblyer, madje shumë prej tyre i kanë marrë tashmë paratë e dëmshpërblimit në llogaritë e tyre bankare. Kurse, aktivistët, të cilëve kjo lëvizje iu referohet, janë të njëjtët aktivistë bllokues e sherrxhinj që janë përpjekur me të njëjtin zell të bllokojnë çdo punë të mirë në Tiranë, duke nisur që nga këndi i lodrave të Liqeni, Sheshi Skënderbej, Pazari i Ri, Bulevardi i Ri etj., e për më tepër nuk janë as banorë të zonës së Astirit.
Ne dimë se Vetëvendosja është votuar të qeverisë Kosovën dhe jo të bëjë djalin e Fahriut apo suflerin e Orjolës në Tiranë. Nëse Vetëvendosja kërkon të marrë votat e një PD-je të degraduar, kjo nuk bëhet duke e imituar atë, por duke treguar se bën tjetër lloj politike! Kurse sa për dhunën shtetërore ndaj dhunuesve të policisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës s’ka mbështetur dhe as ka ndërmend të mbështesë ndonjëherë ata që mund të sulmojnë policinë me gurë e me shishe në Kosovë për llogari të shkelësve të ligjit kur Albini të jetë në detyrë. Por, ka detyrë t’ia thotë publikisht kryeministrit në ardhje të Kosovës se Tirana është shtëpia e çdo shqiptari, jo shesh për përsheshet e atyre shqiptarëve që shkelin ligjin apo atyre që frymëzojnë dhe mbështesin shkelësit e ligjit, në Shqipëri, në Kosovë apo kudoqofshin në globin tokësor!”