Kosova

Liberalizimi i vizave nuk ndihmohet me deklarata

Deklarata e komisionerit të Bashkimit Evropian (BE), për Politikat e Fqinjësisë dhe Negocim të Zgjerimit, Johannes Hahn, se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal është mbështetur edhe nga njohësit e procesit të integrimeve evropiane, por sipas tyre kjo deklaratë nuk i ndihmon procesit të liberalizimit të vizave.

liberalizimi-i-vizave-nuk-ndihmohet-me-deklarata_hdNjohësi i integrimeve evropiane, Fatmri Curri, duke e komentuar vizitën e komisionerit Johannes Hahn, në Prishtinë, dhe deklarimet e tij se “liberalizimi i vizave për Kosovën s’ka asnjë lidhje me migrimin ilegal”, ka theksuar se vizitat e tilla janë të mirëseardhura, sepse i japin shenja pozitive procesit, duke e ditur se Hahn sipas tij, nuk është vetëm komisioner i Zgjerimit, por edhe për marrëdhëniet fqinjësore.

Sipas tij, vala e migrimeve të kosovarëve në vendet e Bashkimit Evropian (BE), ndikon negativisht në procesin e liberalizimit e vizave, duke shtuar se “dy kriteret që do të maten për çështjen e liberalizimit të vizave është numri i azilkërkuesve edhe atyre personave që qëndrojnë ilegalisht në vendet e BE-së”.

“Procesi i liberalizimit të vizave nuk ndihmohet me deklarata, me komisione, me strategji, duke shtuar se dihet çfarë e ndal migrimin ilegal, e ajo është ulja e papunësisë edhe zhvillimi ekonomik”, ka thënë Curri.

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, mendon se vizita e komisionerit Johannes Hahn në Kosovë është e një rëndësie të veçantë për perspektivën evropiane të Kosovës, meqë është një dëshmi që Kosova mbetet prioritet në portofolin e zgjerimit, në kuadër të prioriteteve të reja të Komisionit Evropian.

Ai ka theksuar se janë dy gjëra që duhet vendosur në raport me ato që ka deklaruar deri më sot komisioneri Hahn sa i takon Kosovës: një, që Kosova duhet të tregohet më serioze në adresimin e reformave evropiane, dhe për këtë KE-ja nuk do të bëj koncesione politike. Dhe, dy, që KE-ja sipas tij, mbetet i përkushtuar që Kosova të avancojë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA-së) sa më parë të jetë e mundur, pasi që të merret autorizimi edhe nga Këshilli i BE-së.

“Në të dyja këto, komisioneri Hahn duket të jetë i përkushtuar që të punojë më për së afërmi me Qeverinë e Kosovës, por gjithashtu duket që është një figurë politike që nuk i kapërcen lehtë kushtet që Kosova duhet t’i përmbush ndaj agjendës evropiane. Kjo gjë është e dukshme edhe në fjalimet e tij të mëhershme ndaj Kosovës. Në raport me vizat, besoj që theksi i komisionerit Hahn ishte që të ndante procesin e liberalizimit të vizave me procesin e migrimit të paligjshëm, më shumë kjo një inkurajim që të mos dëshpërohemi që e kemi dëmtuar imazhin tonë së tepërmi me fluksin e fundit migrues nga vendi ynë”, ka thënë Korenica.

Ai më tutje ka theksuar se sido që të jetë, duke njohur edhe të kaluarën e komisionerit Hahn në Qeverinë austriake, ai sipas tij, mbetet një përkrahës shumë i fuqishëm i rrugës evropiane të Kosovës.

“Mendoj që do të ndjek një agjendë integruese shumë më pozitiv ndaj Kosovës krahasuar me komisionerin e kaluar Fule. Por kjo kërkon edhe një prezencë shumë më të fuqishme diplomatike të Kosovës në Bruksel, e që në nivelin aktual, një prezencë e tillë është tepër e dobët”, ka shtuar Korenica.

Ndryshe, komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negocim të Zgjerimit, Johannes Hahn tha të mërkurën në Prishtinë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me migrimin ilegal dhe theksoi se procesi i vlerësimeve të përmbushjes së kritereve për liberalizim do të vazhdojë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button