Bota

Libi, forcat besnike të qeverisë së unitetit po zmbrapsin ISIS-in

Forcat kundër ISIS-it kanë avancuar ndjeshëm në Libi dhe, që prej fillimit të ofensivës në muajin maj, kanë arritur të depërtojnë më shumë se kurdoherë tjetër në fortesën e ekstremistëve, Sirtë.

Trupat ushtarake hynë mbi një kilometër në rajonet e mbajtura deri vonë nga militantët e dhunshëm islamikë e kanë rimarrë nën kontroll disa zona rezidenciale. Humbje raportohen në të dyja krahët, me dhjetëra të vrarë si në radhët e forcave qeveritare, ashtu dhe në ato të luftëtarëve të Shtetit Islamik.

Sirta, bastioni më i rëndësishëm i ISIS-it në Libi, u pushtua shkurtin e vitit 2015. Trupat besnike ndaj qeverisë së unitetit, të krijuar në Tripoli në fillim të këtij viti, mundën të rimarrin nën kontroll portin e qytetit.

Brigada të përbëra kryesisht prej luftëtarësh nga qyteti i Misratës e nisën fushatën e tyre anti-ISIS një muaj më parë, duke avancuar me shpejtësi drejt Sirtës nga krahu perëndimor. Javën që shkoi, ato ndeshën në rezistencën e militantëve të grumbulluar në qytet, të cilët kanë përdorur snajper, mina toke e autobomba për t’i detyruar ushtarët të zmbrapsen.

Trupat qeveritare raportohen t’u kenë hequr militantëve nga duart edhe një depo të dytë armatimesh. Që prej mbërritjes në Tripoli në muajin mars, qeveria e pajtimit kombëtar, e mbështetur nga OKB-ja, është përpjekur t’i afrojë fraksionet e copëtuara të vendit e ka krijuar disa salla operative për të koordinuar fushatën kundër Shtetit Islamik, që shtrirjen në Libi e nisi në 2014-n duke përfituar nga vakuumi i sigurisë dhe kaosi politik në vend.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button