Librat e rinj
Giorgio Bassani
“Kopshti i Finci-Kontinëve”
Përktheu: Beti Njuma
Botimet: IDK
“Kopshti i Finci-Kontinëve” përfaqëson atë pjesë magjepsëse të së shkuarës sonë që aq shumë e duam, por që pikërisht për këtë arsye, ndiejmë aq nevojë të çlirohemi prej saj në mënyrë që të kemi mundësi të vazhdojmë të jetojmë e të jemi ata që jemi në të vërtetë”, shkruan për këtë libër Alberto Asor Rosa. Libri është historia e një dashurie fatkeqe në sfondin e Italisë fashiste në prag të Luftës së Dytë Botërore.
Albatros Rexhaj
“Bombë në Beograd”
Botimet: “Pegi”
Kosovë, verë e vitit 1998. Lufta sapo ka filluar. Një armë e shkatërrimit në masë ka nisur rrugëtimin drejt Beogradit. Nëse bomba shpërthen, kjo do të shënojë fundin e luftës në Kosovë, por njëherësh edhe fillimin e mundshëm të Luftës së Tretë Botërore. “Bombë në Beograd”” është një rrëfim i zhanrit triller, i shkruar në stilin e prozës filmike, plot aksion, ankth dhe intriga spiunazhi, ku përfshihet edhe CIA amerikane. Në sfond të gjithë kësaj është dashuria mes dy heronjve kryesorë. Një dashuri me shumë ndjenja dhe pak fjalë.
Një ngjarje e imagjinuar, por megjithatë ngjashmëritë me persona dhe ngjarje reale janë të mundshme.
Istref Haxhillari
“Pretenca”
Botimet: “Asdreni”
Romani tregon për luftën pa kompromis kundër fenomeneve banale të shtruara këmbëkryq në jetën e përditshme. Përmes linjës specifike të formës së shkrimit me stil, të themi të tipit aksion, autori u shmanget grackave të kohës dhe i bën akuzën shoqërisë në një pretencë kokëfortë. Ngjarjet mund të vendosen në cilindo qytet të Shqipërisë së viteve 2000 apo 2014, pasi është e njëjta gjendje, të njëjtat klithma dhe shtangie përpara morisë së padrejtësive shoqërore. Përpara se të vinte për lexuesin me një roman, Haxhillari ka botuar novela dhe tregime, të cilat janë vlerësuar dhe me çmim. Letërsia e tij është një përshkrim i realitetit.
Luixhi Pirandelo
“Turni”
Përktheu: Antoneta Basha
Botimet: “Bota shqiptare”
Një baba i kursyer, don Ravi; një vajzë pa prikë dhe një kandidat i mundshëm, i shkëlqyer por i varfër. Lind kështu një planifikim okult për vijimësinë e rolit martesor: në fillim një burrë i pasur e i moshuar dhe pastaj, pas vdekjes së tij (mundësisht të shpejtë), një dashnor i ri. Jemi në Sicilinë e viteve 1900, ku martesat me shkuesi ishin një zakon që zhvillohej sipas ligjeve natyrore të shkakut dhe pasojës. Por në ujërat e ndenjura të përditshmërisë shfaqet elementi anormal, i papritur, Rasti. Kështu, programimi racional i të atit përjeton ndërhyrje të papritura, ndryshime e komplote. Mes rreshtave gjejmë edhe shikimin ironik të një rrëfimtari, i cili ka bërë pakt me djallin, duke i dhënë dorë të lirë përshkrimit të shijes dredharake e të hareshme të qejfeve dhe të kaosit.