Librat e rinj
Darien Levani
Dopiogjashta
Botimet: “Pegi”
Çmimi: 700 lekë
Bardhyl Nini, një ish-polic dhe tashmë detektiv privat gjendet rastësisht i ngatërruar në një histori të rrezikshme korrupsioni. Ai gjendet mes dy zjarresh, në kuptimin e vërtetë të fjalës: një grup brenda Policisë së Shtetit, i ngarkuar me kapjen e kriminelëve të kërkuar nga Interpoli, por nga ku është zhdukur çdolloj skrupulli dhe ndershmërie, dhe një grup të interesuar për vendosjen e drejtësisë, por jo duke përdorur ligjin. Të gjithë kërkojnë diçka: një dosje të fshehtë, në të cilën një burrë i ndershëm, Jorgo Nushi, ndryshe nga gjithë kasta shoqërore së cilës i përket, ka mbledhur me durim të dhënat që tregojnë qartazi korruptimin, zvetënimin e krerëve më të lartë të shtetit dhe lidhjet e shumëfishta mes policisë dhe kriminelëve.
Umberto Eco
Numri zero
Përktheu: Ledia Dushi
Botimet: “Dituria”
Një redaksi që mbledh lajme dhe që përgatit një gazetë të përditshme, e cila më shumë sesa informacionit i kushtohet shantazhit, hedhjes baltë ndaj të tjerëve, për interesat e ulëta të botuesit të saj. Një redaktor paranojak që, duke ardhur rrotull nëpër një Milano të dalldisur (ose i dalldisur nëpër një Milano normale), rindërton historinë e pesëdhjetë vjetëve të fundit të Italisë në sfondin e një plani fluturak që sillet rreth kufomës së kalbur të një pseudo Musolini. Dhe në hije shfaqet Gladio, P2, vrasja e Papa Luçianit, grushti i shtetit i Xhunio Valerio Borgezes, CIA, terroristët e kuq të manovruar nga zyrat e shërbimeve të fshehta, 20 vjet masakra dhe maskime, një mal me fakte të pashpjegueshme që ngjajnë si të sajuara, derisa në një emision të BBC provohet që janë të vërteta ose që të paktën tashmë janë rrëfyer nga goja e vetë autorëve. Dhe pastaj një kufomë që hyn befas në skenë, në rrugën më të ngushtë dhe më famëkeqe të Milanos.
Ismail Kadare
Uragani i ndërprerë, ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe
Botimet: “Onufri”
Sprova për Migjenin, e titulluar fillimisht “Uragani i ndërprerë”, u shkrua si parathënie e gjerë për botimin e veprës “Novelat e qytetit të veriut”, në Francë, në fund të viteve tetëdhjetë. Meqenëse me tekstet e botimeve të veprave të letërsisë shqipe në gjuhë të huaja merrej shtëpia e botimeve politike “8 Nëntori”, përkthimi në frëngjisht, si edhe miratimi i tekstit nuk mund të bëhej veçse prej saj. Sprova për Migjenin kaloi kështu nëpërmjet një shtëpie botuese që shquhej për dogmatizmin e saj të skajshëm. Kjo ka kushtëzuar ndoshta edhe më fort një pjesë të kufizimeve të këtij teksti, që gjithsesi ishte vështirë të shmangeshin. Ndërkaq, duhet thënë se me datën e botimit të kësaj sprove është kryer, me dashje ose pa dashje, një dizinformim publik, i cili për herë të parë po sqarohet në këtë shënim.
W. G. Sebald
Austerlici
Përktheu: Pandeli Pani
Botimet: “Dudaj”
Zhak Austerlic quhet i huaji i çuditshëm që rrëfimtari e has në një sallë të errët stacioni. Teksa rastësia i takon sërish të dy burrat në vendet më të pagjasa, hap pas hapi zbulohet historia e jetës së këtij udhëtari të guximshëm. Austerlici, që jeton prej vitesh në Londër, nuk është anglez. Në vitet ’40 të shekullit të kaluar kishte mbërritur në Uells, kur ishte një fëmijë i arratisur hebre. I riu u rrit nga një predikues dhe e shoqja dhe pas shumë vitesh, pasi mori vesh origjinën e tij të vërtetë, kuptoi për se ndihej aq i huaj në mes të njerëzve të tjerë. W.G. Sebald, një nga rrëfimtarët më të veçantë e kuptimplotë të kohës sonë, ndjek në këtë libër historinë e një të çrrënjosuri që nuk mund të gjejë më një atdhe…