Librat e rinj
Avni Nezaj
“Vajza e luginës së gjelbër”
(roman)
Botimet: “Mediaprint”
Çmimi: 600 lekë
Një histori dashurie, e cila na shpie pas në kohë, për të treguar lidhjen e dy të rinjve këtej dhe përtej kufirit gjatë regjimit komunist. Fshatrat kufitare janë të mbushura me histori, që ndonjëherë e shpjegojnë kohën më mirë se librat e historisë. Nezaj ka marrë një nga këto histori, për ta treguar në faqet e këtij romani. Personazhet në këtë roman e ndjekin rrugën e dashurisë dhe pse ajo u shfaqet mundimshëm dhe plot sfida. Me bashkimin e dy të rinjve pas një ndarjeje të gjatë, autori duket se u ka bërë sfidë kufijve që shpesh ngrihen para nesh.
Enver Bytyçi
“Shqipëri-Kinë, dështimi i një bashkëjetese”
Instituti i Studimeve të Europës Juglindore
Çmimi: 1200 lekë
Parathënie
Ky libër studimor i kushtohet një periudhe historike të rëndësishme të zhvillimeve të dy dekadave të marrëdhënieve e lidhjeve shqiptaro-kineze. Kur shqiptarët, pas prishjes së këtyre marrëdhënieve përjetuan pasojat tragjike të izolimit, atëherë kuptuan shumë më mirë dëmin e madh që i solli vendit sjellja kryeneçe e udhëheqjes komuniste të Tiranës. Pas divorcit me Kinën, për shqiptarët filloi një kalvar i vërtetë vuajtjesh e privacionesh, si rezultat i krizës së izolimit dhe mbylljes hermetike në raport me botën që na rrethonte. Është një histori e dhembshme, një tragjedi e njëkohësisht një komedi e absurditetit të llojit tonë. “Për këtë arsye jam i bindur se, unë si autor dhe ju si lexues, pra të gjithë ne, do të pajtohemi me faktin se pasojat e politikës së gabuar të diktaturës komuniste në Shqipëri në marrëdhëniet e saj me Republikën Popullore të Kinës i vuajtëm me dhembje të mëdha për ekonominë dhe zhvillimin e vendit”, shprehet Bytyçi.
Arta Peraj
“Fishta në tri botë femërore”
Botimet: “Fiorentina”
… Në letërsinë tonë ishin të njohura gjithashtu imazhet e gruas engjëll, e gruas viktimë, dhe në mënyrë më të kufizuar edhe të gruas luftëtare. Natyrisht që Fishta i njihte tërë këto modele. E veçanta e figurave të grave që ai krijoi është se ato janë modele të ndryshme nga ato të romantizmit. Tringa, Silja dhe Jerina janë modele të jetës shqiptare, janë imazhe vajzërore shqiptare që kishte krijuar poezia popullore. Këto tri figura, që për mendimin tim përbëjnë elitën e të gjitha figurave të tjera femra që ai pikturoi, janë mishërim i idealit të tij për gruan shqiptare, pavarësisht se ai asnjëherë nuk e trajtoi atë në planin erotik apo amësor, sikurse bëri N.Mjeda. Ndoshta nisur nga zhguni që mbante mbi supe apo nga shëmbëlltyra e Virgjëreshës Mari, të tria këto figura (Tringa, Silja, Jerina) janë figura virgjëreshash, duke personifikuar në këtë mënyrë dëlirësinë e femrës dhe virtytet e saj …”, shkëputur nga libri.
Sophie Kinsella
“Mbretëresha e shtëpisë”
Përktheu: Mira Kroqi
Botimet: “Dituria”
Mbretëresha e shtëpisë … Historia e një vajze që ka nevojë të pushojë. Të gjejë veten. Të dashurohet. Dhe të mësojë si hekuroset … Sophie Kinsella (Madeleine Wickham) është autorja që në shtator të vitit 2000 hyri në listën e bestsellerëve në Mbretërinë e Bashkuar, me romanin e saj të parë të serisë “E fiksuar pas dyqaneve …” Heroina e librit, Beki Blumvud, një gazetare financiare e këndshme dhe gazmore, që vdes për të bërë pazar, por është e pashpresë sa u përket parave, bëri për vete zemrat e lexuesve në mbarë botën. Beki Blumvud erdhi në shqip me librin e parë të kësaj serie më 2007-n; qysh atëherë ajo është kthyer në autoren e dashur e të shumëpëlqyer edhe të mjaft lexuesve shqiptarë. Veç serisë “E fiksuar pas dyqaneve …” që i dha famë dhe popullaritet, Sophie Kinsella është autore edhe e pesë romanëve të tjerë në shqip, jashtë kësaj serie, të gjitha bestsellerë, një prej të cilave është “Mbretëresha e shtëpisë”.