Libri

Librat e rinj

Met Dervishi

“Intertekstualja dhe disidentja te ‘Dimri i madh’”

Studim

Botimet: “Saras”

Çmimi: 800 lekë

disidentjaI botuar për herë të parë në vitin 1973, “Dimri i vetmisë së madhe” u refuzua nga kodi socrealist, u rrethua për tre vjet me një heshtje kërcënuese së bashku me autorin, dhe pastaj u ribotua me titull tjetër tre vjet më vonë, kinse i ripunuar, në të vërtetë i trukuar. Ky roman është një ndër kulmet e Kadaresë. Fakt është që 20 000 kopjet e këtij botimi të parë janë tërhequr nga lexuesi brenda ditës. Ndaj këtij romani, fill pas botimit, është orkestruar një fushatë kritike që ka zgjatur disa muaj. Në këtë fushatë, tipike për fushatat e vendeve të ish-Lindjes komuniste kundrejt veprave disidente, janë përfshirë si asnjëherë tjetër në historinë e letrave shqipe nën diktaturë, punëtorë, fshatarë, studentë, ushtarë, oficerë, reparte ushtarake, kritikë, studiues, zyrtarë të lartë, shkurt, i gjithë mekanizmi i propagandës komuniste. Dhe, gjithashtu, për herë të parë në historinë e raporteve të pushtetit komunist me letërsinë, në këtë fushatë është përfshirë edhe lideri komunist, Enver Hoxha, duke qenë dhe vetë personazh i këtij romani.

Fay Weldon

“Vajzat e rritura nuk qajnë”

Përktheu: Ilir I. Baçi

Botimet: “Pegi”

Çmimi: 800 lekë

Në një mbrëmje të butë të vitit 1971, pesë gra mblidhen në një dhomë ndenjje të vogël në rrethinat e Londrës. Të pakënaqura me burrat dhe të lodhura me jetët e tyre të pakëndshme, ato krijojnë Meduzën, një shtëpi botuese e bazuar mbi parimin e hakmarrjes. Megjithatë ato janë njerëzore dhe është njerëzore të gabosh, ndaj ato bëjnë gabime e armiq, përleshen e shahen, pajtohen e dashurohen, lindin e dështojnë, duke u shpërqendruar

kështu, pak nga pak, nga betejat e tyre të dikurshme. Me një humor të mençur dhe ironik, autorja na shoqëron përmes vijimit njëzetvjeçar të jetës së këtyre grave, teksa qëllimet e mira lihen mënjanë, pre e politikës, seksit dhe tradhtive.

Oriana Fallaci

“Një burrë”
Përktheu: Yllka Beshirja
Botimet: “Dudaj”
Çmimi: 1200 lekë

“Një burrë” është romani për jetën e Aleksandër Panagulisit. Gjithçka nis teksa Oriana Fallaci niset për Greqi për të intervistuar këtë luftëtar të paepur kundër diktaturës dhe që mbron fjalën e lirë. Në atë takim lind befas një ndjenjë e panjohur më parë për nga forca e madhe që ajo përçon për Orianën, një dashuri e madhe që e bën t’u futet me kokë sakrificave të tejskajshme për të shpëtuar dashurinë e jetës së vet. Jeta e Panagulisit rrezikohej për vdekje nga regjimi i atëhershëm grek e po ashtu edhe dashuria e saj për të zgjati pikërisht deri në vdekje. Një dashuri aspak e lehtë, plot tallaz e uragan, mes grindjesh të furishme e një lumturie po aq të madhe.
Jerzy Lukowski, Hubert Zawadzki

“Historia e Polonisë”
Përktheu: Erblina Kërçishta
Botimet: “Dituria

Kjo është një histori koncize e Polonisë. Studiuesit e dinë sa shumë detaje janë lënë mënjanë, por lexuesi duhet ta kuptojë se nuk mund të jepet gjithçka në një përmbledhje. Edhe ky botim i Cambridge University Press nuk bën përjashtim. Një libër i shkruar nga dy autorë, njeri specialist i shek. XVIII, tjetri më shumë i familjarizuar me shek. XIX. Polonia ka qenë kryesisht rajon kufitar, me popuj dhe kultura që kanë ekzistuar gati–gati në paqe. Aty nga fundi i Mesjetës e në vazhdim, elitat e saj zhvilluan një kulturë politike mjaft konsensuale, pa të cilën shteti polak ndoshta do të ishte copëtuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button