Ligj i ri për inspektimin financiar publik
Një ligj i ri për inspektimin financiar publik, i depozituar për shqyrtim në parlament, synon të rrisë efektivitetin në luftën kundër keqmenaxhimit të rëndë financiar dhe korrupsionit.
Projektligji, i hartuar nga ministria e Financave me mbështetjen e BE-së, paraqet një rëndësi të veçantë në reformat financiare me fokus intensifikimin e luftës kundër korrupsionit. Ai po ashtu, inkurajon çdo subjekt publik dhe punonjës që të denoncojë këtë fenomen, me qëllim ndëshkimin e praktikave korruptive dhe vënien para përgjegjësisë të shkelësve të ligjit.
Nga vlerësimi i deritanishëm i procesit të inspektimit financiar publik janë hasur një sërë problematikash duke e vlerësuar të nevojshëm rishikimin e ligjit aktual, sidomos në drejtim të rritjes së kapaciteteve inspektuese.
Objektivi i projektligjit është mbrojtja e interesave financiare të njësive publike kundrejt keqmenaxhimit të rëndë financiar, mashtrimit, vjedhjes, shkatërrimit të pronës, shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit, si dhe konfirmimi i zbatimit të ligjshmërisë në përdorimin e fondeve publike dhe dhënia e ndihmës në përmirësimin e menaxhimit financiar publik.
Sipas relacionit shoqërues të draftit, subjekt i inspektimeve financiare publike do të jenë njësitë e qeverisjes së përgjithshme; shoqëritë shtetërore, organizatat jofitimprurëse dhe autoritetet e përbashkëta që zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen financiarisht nga një njësi e qeverisjes së përgjithshme, ose në të cilën, një njësi e qeverisjes së përgjithshme, zotëron apo kontrollon një pjesë të pasurisë. Kjo i jep të drejtën e kontrollit çdo personi fizik apo juridik, vetëm për fondet që përfiton nga buxheti i shtetit, Bashkimi Evropian apo fondet në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, ku përfitues është shteti shqiptar.
Neni 7 përcakton veprimtarinë e inspektimit financiar publik, e cila realizohet pas faktit, për rregullshmërinë e transaksioneve dhe të veprimtarive të tjera të menaxhimit financiar, të kryera nën përgjegjësinë e njësive publike dhe individëve. Kjo veprimtari do të kryhet nga punonjësit e njësisë përgjegjëse për inspektimin financiar publik në Ministrinë e Financave.
Në pr/ligj përcaktohet se fillimi i inspektimit financiar publik bazohet vetëm në kërkesat nga: institucionet shtetërore, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe nga Prokurori i Përgjithshëm, nga informacionet për parregullsitë nga strukturat e auditimit të brendshëm apo të menaxhimit financiar dhe kontrollit, kërkesat nga Zyra Evropiane kundër Mashtrimit për fondet e Bashkimit Evropian, apo ankesat nga punonjës/persona fizikë/juridikë/individë, etj.
Në nenin 24 parashikohet që, nëse përfundimet e inspektimit financiar publik tregojnë dyshime të arsyeshme për ekzistencën e një vepre penale, nëpunësi autorizues informon ministrin e Financave dhe bën kallëzim me shkrim në prokurori. Neni 26 i pr/ligjit përcakton të drejtën e ankimimit gjyqësor të subjekteve ose individëve subjekte inspektimi, ndaj masave të marra nga ministri i Financave.