Politika

Ligj i ri për të çarë “bunkerin” e KLD-së

kld-ligjiri10 deputetë të mazhorancës janë bërë nismëtarët e ndryshimit të ligjit për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndryshime që u miratuan në parim në Komisionin e Ligjeve.

Sipas tyre nuk është bërë asgjë më shumë se sa kthimi në ligj i rregullores së brendshme të KLD-së, por që nuk është zbatuar prej kësaj trupe. Ndryshimi i parë i rëndësishëm është ndalimi i praktikës që një anëtar i KLD-së të transferohet apo ngrihet në detyrë si gjyqtar, ndërsa mban funksionin e anëtarit të KLD-së.

“U zgjodhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë do t’i shërbesh drejtësisë dhe jo vetes”, tha

deputeti socialist, Pandeli Majko.

Pandeli Majko, që lexoi ndryshimet e propozuara në emër të grupit nismëtar i parapriu një paragjykimi të mundshëm politik për nenin dy të këtyre propozimeve, i cili parashikon shkarkimin e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi dhe atyre nga Konferenca Gjyqësore për shkelje të Kushtetutës dhe ligjit.

“Unë e kuptoj që mund të ketë trajtime të mënyrave të ndryshme, sikur parlamenti po ndërhyn në debatin e nxehtë mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por nuk besoj se mund të ketë dikush sot që të na thotë që këtu janë dy fjali të gabuara sepse ndryshe i bie të themi që anëtarët e zgjedhur të Kuvendit mund të bëjnë edhe shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit”, shtoi Majko.

Ndryshimi tjetër që u bë çështje e mprehtë në rastin Gjin Gjoni, kur megjithëse i kallëzuar penalisht, KLD nuk votoi propozimin e Ministrit të Drejtësisë për pezullimin e tij. Ndryshimet ligjore nuk e lënë më këtë çështje në vullnetin e KLD-së.

“Nuk mund të vazhdoj të qendrojë gjyqtar apo anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë një gjyqtar ndaj të cilit ka nisur një çështje penale”, u shpreh deputeti i mazhorancës, Armando Subashi.

Ndryshimet e tjera parashikojnë afate konkrete të shqyrtimit të procedimeve disiplinore të propozuara nga Ministri i Drejtësisë, të cilat në mungesë të afatit të përcaktuar kanë qendruar për një kohë të gjatë në sirtarin e KLD-së, thanë nismëtarët e këtyre propozimeve. Ndryshimet prekin funksionimin e Inspektoriatit KLD-së për ta bërë më efikas dhe llogaridhënës.

Transparenca e institucionit që nga deputetët e mazhorancës u cilësua, “bunker” është një tjetër pikë që ndryshon, duke i dhënë medias akses më të madh dhe duke e detyruar këtë trup gjyqtarësh të bëjnë publike vendimet.

Diskutimi i projekt-ligjit për KLD u bë në mungesë të opozitës e cila është duke respektuar vendimin për bojkot të Kuvendit. I vetmi përfaqësues i saj ishte Nard Ndoka që paraqiti një shqetësim dhe një propozim.

Nard Ndoka, deputet: Ta shtyjmë këtë projekt-ligj për faktin që sot nuk kemi kolegët e Partisë Demokratike që janë në një bojkot.

Bashkim Fino, deputet i PS: Po i presim dhe dje u bëmë prap thirrje që të vijnë. Epo ne nuk jemi këtu për të pritur opozitën. Ne jemi këtu sepse kemi marrë votën e njerëzve të drejtojmë dhe të udhëheqim.

Nard Ndoka: Unë personalisht i konsideroj ndryshime që cënojnë pavarësinë e KLD-së.

Bashkim Fino: Kemi një vit në pushtet dhe mund të kishim hequr nja tre, që nga nënkryetari dhe nja dy të tjerë. Por nuk e bëmë një gjë të tillë. Sot po kërkojmë që rregullorja e tyre të kthehet në ligj, të ketë më shumë transparencë.

Ndryshimet ligjore për KLD nuk janë pjesë e reformës në drejtësi sqaroi kryetari Fatmir Xhafa nëse do të ishte kështu do të shihej edhe formula e KLD-se dhe roli i saj.

Reforma në drejtësi, tha ai do të bëhet pas reformës territoriale përmes një komisioni të posaçëm parlamentar, duke i dhënë përgjigje edhe pyetjes se përse nuk u prit reforma e plotë në drejtësi, por ndryshimet u sollën në këtë moment.

“Kemi një situatë emergjente në sistem, kemi abuzim skandaloz në disa çështje të rëndësishme në sistem për mënyrën se si funksionon Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Po çfarë do të bëjmë ne do të presim 6 muaj, 1 vit që kryetarët e gjykatave të mos emërohen por të komandohen?! Do presim ne që Këshilli i Drejtësisë të rrijë në bunker?! Do presim që gjyqtarë të larë në flori të vazhdojnë të gjykojnë ndërkohë që drejtësia jo vetëm jepet, por duhet edhe të besohet?! Çfarë duhet të bëjmë ne në këtë situatë emergjente? Patjetër do të ndërhyjmë dhe këtu është fjala për disa ndryshime të pjesëshme emergjente që të çbllokojnë një situatë konkrete”, deklaroi kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button