Ligj kundër Koços, PD propozon amendament. PS: Shkak kundër reformës
Në këto dy legjislatura, raste kur deputetëve u është hequr mandati se kanë përfituar fonde publike, janë ai i Ilir Beqjas dhe i Koço Kokëdhimës.
Por kur foli për amendamentin që u heq mundësine atyre të kandidojnë në të ardhmen, opozita foli për mënyrën sesi e sheh ajo shtetin që ka ndërtuar Edi Rama.
“Është shteti që kalon nga Saimir Tahiri te Habilajt, nga Koço te Balilajt, nga çunat e Balës tek Veliaj, nga Rama te Shullazi”, deklaroi kreu i grupit parlamentar, Edi Paloka.
Përgjigjia e mazhorancës i erdhi me të njëjtën monedhë.
“Për cilin shtet përgjëroheni ju?! Për 98-ën që bëtë grusht shteti ndaj shtetit?! Për cilin shtet përgjëroheni ju?! Për atë shtetin që bëri Gërdecin?! Pra për cilin shtet flisni, për shtetin e 21 janarit?!”, u përgjigj Ruçi.
Por në kohën e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, amendamenti i opozitës mund të jetë një moment i ri për të prishur dialogun.
Gramoz Ruçi: Ju në vend që të jepni atje kontributin çdo ditë e më shumë, nxirrni ndonjë sebep. Ju nuk jeni dakord, se nuk jeni dakord me moskapjen e drejtësisë, se e dini që të ndëshkuarit e parë do të dilni pikërisht ju.
Edi Paloka: Ministrat janë shumë nervozë nga kjo reformë, ministrat dridhen nga kjo reformë! Dje u tha!
Edi Rama: Lidhur me çfarë tha ambasadori amerikan në mbledhje me ju, unë ju them vetëm kaq: ju jeni ata të cilët i shmangeni reformes në drejtësi si djalli temjanit. Ju i ikni reformës në drejtësi se strukturat dhe mekanizmat që ju sot i kontrollloni, bien! Lërini alibitë se nuk ju shpëton nga reforma në drejtësi as frroku, rroku, as shulla, as hazi, as shullazi, as Saliu.
Sali Berisha: Ne do të votojmë, por jo reformën që ju bën ju kryeprokuror, kryehetues dhe kryegjykatës. Të harrojë se mund të imponojë kush një reformë të tillë. Ne jemi garantë të një reforme të vërtetë për drejtësinë. Edi Rama ka fiks 170 minuta të folur telefonike me gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për të shpëtuar sivëlla Kokëdhimën.