Kosova

Ligji antimafia, nisma pas dështimit me ligjin e konfiskimit të pasurive

Rezultatet e dobëta në luftën kundër krimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, ka shtyrë Kuvendin e Kosovës që të kërkojë hartimin e një ligji të ri anti mafia.

Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane nga një monitorim që i ka bërë ligjit ekzistues për konfiskim të pasurisë së paligjshme, ka vërejtur mangësi të mëdha ligjore, andaj deputetja e këtij Komisioni, Vjosa Osmani, ka treguar për Top Channel se po kërkojnë ligj të ri.

“Tani nevoja lind ose për hartimin e një ligji të ri anti mafia ose për ndryshime shumë të mëdha të ligjit ekzistues. Sepse do të jetë esenciale që ligji të merret jo vetëm me pasurinë që paligjshëm fitohet tash e tutje, por me pasurinë që është fituar paligjshëm që nga viti 1999 sepse keqpërdorimet më të mëdha janë bërë qysh në vitet e para të pasluftës”, thotë Vjosa Osmani, deputete e Kuvendit të Kosovës.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë dashur të flasin për nisjen e hartimit të projektligjit anti mafia, por Top Channel ka mësuar se Ministria e Drejtësisë tanimë e ka hartuar draftin e koncept dokumentit për hartimin projektligjit por ende nuk e ka proceduar në Zyrën Ligjore të Kryeministrit.

Mësohet se koncept dokumenti për hartimin e projektligjit anti mafia është punuar nga ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe ekspertë ndërkombëtarë që kanë ndihmuar vendet e rajonit në krijimin e legjislacionit anti-mafia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button