Ligji misterioz i Taulantit
Me shumë gjasa, ligji për të cilin bëhet fjalë në përgjimet e publikuara nga media, mes një bande dhe politikanit Taulant, është ligji për lojërat e fatit, që shtyu afatin e mbylljes së kazinove elektronike.
Në mars të vitit 2015, Parlamenti miratoi një ligj për lojërat e fatit, i cili shtrëngonte kriteret për kumarin. Sipas ligjit, kazinotë elektronike ose shek-sheket siç njihen ndryshe, do të lejoheshin deri në 31 dhjetor 2016, pra dhe dy vjet, pastaj do të mbylleshin të gjitha.
Pra, nga 1 janari i vitit 2017, në Shqipëri nuk do të lejohej më asnjë shek-sheke, por vetëm kazino në hotele dhe resorte me 5 yje.
Përveç kësaj, projektligji në variantin fillestar kufizonte në 500, numrin e pikave që mund të kishte një shoqëri bastesh si dhe vendoste detyrimin që duke filluar nga 1 janari 2017, pikat e basteve të ishin minimalisht 200 metra larg njëra-tjetrës.
Por këto dy kriteret për pikat e basteve u këputën në minutat e fundit para votimit në seancë, me një amendament të Esmeralda Shkjaut dhe Robert Bitrit duke u bërë 1 mijë pika bastesh për çdo shoqëri dhe 100 metër distancë larg njëra-tjetrës.
Nejse. Dy vjet kaluan shpejt. Shoqëritë e kumarit filluan lobimin dhe në nëntor të vitit 2016, pra vetëm një muaj para se të mbylleshin kazinotë elektronike dhe pikat e basteve që nuk ishin në përputhje me kërkesat e ligjit, në parlament mbin një projektligj i bëftë.
Projektligji u propozua nga 6 deputetë të mazhorancës, që ishin Ervin Bushati, Ervin Koçi, Blerina Gjylameti, Luan Duzha, Ylli Shehu dhe Tahir Muhedini. Ky projektligj e shtynte dhe me dy vjet të tjera afatin për mbylljen e kazinove elektronike dhe kufizimin e pikave të basteve, pra deri në 31 dhjetor 2018.
Në relacionin propozues, 6 deputetët e mësipërm theksonin se mbyllja e kazinove elektronike do të varfëronte Buxhetin e shtetit si dhe do të linte me mijëra vetë pa punë. Pra, kishin merakun e popullit.
Pasi drafti u publikua në media, Blerina Gjylameti u tërhoq si propozuese. Gjithsesi, mazhoranca e votoi ligjin në 22 dhjetor 2016. Por, në radhët e deputetëve socialistë, pati disa që nuk votuan. Mes tyre ishin Shkëlqim Cani dhe Erion Braçe.
Duhet parë se sa autentike janë përgjimet dhe koha kur kanë ndodhur ato. Por nëse janë të vërteta dhe kanë ndodhur në gjysmën e dytë të vitit 2016, atëherë është e qartë se për cilin ligj bëhet fjalë. Pra ky është rasti i qartë kur parlamenti voton për të mirën e popullit.
Siç thoshin dhe deputetët propozues në relacion, do të mbeten pa punë me mijëra vetë dhe do të varfërohet Buxheti