Liria ekonomike, Shqipëria përmirësohet lehtë
Liria ekonomike e Shqipërisë shënoi një përmirësim të lehtë vitin e kaluar. Sipas “Heritage Foundation” dhe “Wall Street Journal”, Shqipëria është ekonomia e 59 më e lirë në botë nga 186 shtete të marra në shqyrtim. Vitin e kaluar vendi renditej i 63-ti.
“Është edhe reflektim i reformave që janë në vazhdimësi dhe treguesit brenda na tregojnë dhe detyrojnë të mendojmë që nuk i kemi përfunduar ende këto reforma, por përkundrazi kemi edhe shumë për të bërë”, deklaron ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Sipas raportit Shqipëria ka shënuar përmirësim në dy treguesit më problematikë të saj, liria nga korrupsioni dhe e drejta e pronës.
“Çështja e pronave ka 25 vite që debatohet dhe partitë politike kanë mbajtur qëndrime të ndryshme. Unë mendoj që ligji i ri i jep një mundësi të madhe për të zgjidhur këtë çështje. Mendoj që në tryezë të zgjidhim një padrejtësi të madhe me një instrument që të jetë më i miri i mundshëm”, shton Ahmetaj.
Indeksi e vlerëson lirinë ekonomike përmes katër fushave; zbatimit të ligjit, madhësisë financiare të qeverisë, eficencës së rregullatorëve dhe hapjes së tregjeve.
Pavarësisht përmirësimeve, korrupsioni dhe e drejta e pronave mbeten, sipas raportit, dy treguesit më problematië, që pengojnë lirine e biznesit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.