Lirohen të dyshuarit e rastit “Transportuesi”
Këshilli Penal e ndërpreu masën e paraburgimit për dy të dyshuar në rastin ‘Transportuesi’; në vend të paraburgimit, ua caktoi masën e sigurimit të prezencës, gjegjësisht konfiskimit të pasaportave, obligimit për t’u paraqitur në Gjykatën në Manastir dhe ndalesën për ta lëshuar vendbanimin. Me këtë vendim, tashmë asnjë i dyshuar nga kjo lëndë nuk gjendet në paraburgim.
Në rastin “Transportuesi” janë të dyshuar 22 persona, ndërkaq për 11 persona PSP ka propozuar masë paraburgimi, trnansmeton Portalb.
Prokurorja Fatime Fetai, më 14 prill 2016, tregoi detajisht se si është kryer akti i krimit si dhe sa para e kanë dëmtuar buxhetin komunal dhe shtetëror drejtorët e shkollave fillore dhe mesme, pronarët e kompanive të transportit të udhëhequr nga kryetari i Komunës së Manastirit.
“Gjatë vitit 2012-2014, kryetari i Komunës së Manastirit ka zgjedhur mjete për transport të nxënësve gjë që ka kushtuar 205 herë më shumë se një pagë mesatare në Maqedoni”, tha Fetai.
Fetai, tha se bëhet fjalë për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga kryetari i Komunës së Manastirit, me dije të ministrit të Financave, Zoran Stavreski. Ata kanë bërë disa marrëveshje për transportimin e nxënësve në mënyrë të paligjshme që njëkohësisht shtetit i kanë bërë dëm rreth 360.000 euro.
“Kryetari i Komunës së Manastirit, Vladimir Taleski nuk mundet të arrestohet pasi që presidenti Ivanov e fali, por atij mund t’i merret prona dhe patundshmëritë”, shpjegoi Fetai.