Liroi lordin e drogës, gjyqtari Petraq Çuri nuk justifikon 700 milionë lekë (të vjetra) pasuri: Ka punuar vjehrra në Greqi, fitova në firmat piramidale
Gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri drejt shkarkimit nga detyra. Nuk justifikon me të ardhura të ligjshme disa apartamente, garazhe, makinë dhe qindra mijëra euro të ardhura. Gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri rrezikon të shkarkohet nga detyra për mungesë justifikimi të një pjese të pasurisë së deklaruar me burime të ligjshme të ardhurash. Gjyqtari u paraqit ditën e djeshme para Komisionit të Vetingut për t’u njohur me rezultatet e hetimit vetëm për kriterin e pasurisë, pasi gjetjet duket se kanë krijuar bindjen tek trupi gjykues për shkarkimin nga detyra të Petraq Çurit, pa u ndalur tek dy kriteret e tjera, profesionalizimi dhe pastërtia e figurës. Nga verifikimi i pasurive të gjyqtarit, trupi gjykues i përbërë nga Roland Ilia, Suela Zhegu, Genta Tafa Bungo, ka arritur në konkluzionit se Petraq Çuri nuk justifikon një pasuri me vlerë rreth 700 milionë lekë të vjetra.
Petraq Çuri ka deklaruar 42 milionë lekë ose rreth 400 mijë USD të ardhura nga puna e tij si avokat për periudhën 1993-2010, të ardhurat nga puna e bashkëshortes nga viti 1987 e në vijim, interesat bankare në vite në ish-firmat piramidale dhe interesa në Bankën e Kursimeve. Nga kjo shumë, Komisioni i Vetingut i ka njohur si të ligjshme vetëm rreth 60 mijë USD. Gjyqtari ka deklaruar edhe rreth 60 mijë USD të ardhura nga qiradhënia e dhomave të banesës në Dhërmi, por KPK-ja i ka konsideruar si fiktive.
Për të justifikuar këtë pasuri, gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri ka pohuar se ka fituar nga qarkullimi i parave në ish firmat piramidale të vitit 1996, ku interesi sipas tij ishte deri në 30 %. Gjyqtari ka theksuar se vjehrra e tij ka punuar në Greqi. Çuri kërkoi nga Komisioni i Vetingut që të njihte 40 mijë euro nga puna vjehrrës së tij në Greqi. Gjyqtari, i cili mbrohej nga avokatja Antoneta Sevdari, e shkarkuar nga Vetingu si prokurore, pretendoi të ardhura nga puna dhe pensioni i prindërve të tij.
Gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri është lakuar në publik në korrik të vitit 2017 pasi liroi nga burgu Alket Hatinë, i konsideruar nga mediat si lordi i drogës në Milano. Alket Hatija u arrestuar në 8 korrik 2017 për llogari të autoriteteve italiane, në funksion të ekstradimit në Itali, ku ishte dënuar me 20 vite burg për trafik droge, pasi vetëm gjatë një viti ka arritur të trafikojë në Milano 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë rreth 40 milionë euro.
Por, në 11 korrik 2017, gjyqtari Petraq Çuri e liroi nga burgu Alket Hatinë. Ministrja e Drejtësisë në atë kohë, Etilda Gjonaj, i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë hetimin disiplinor dhe shkarkimin e gjyqtarit Çuri, me pretendimin se ka kryer shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit në dhënien e vendimit për mosmiratimin e arrestit të shtetasit Alket Hatija dhe lirimin e tij. Kërkesa nuk u pranua nga KLD-ja.
Në korrik të vitit 2015, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Lartë të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave e kallëzoi penalisht gjyqtarin e Durrësit, Petraq Çuri, për të mosdeklarimit të pasurisë.