LIVE- Dita e dytë e protestave në Tiranë, studentët bojkotojnë mësimin! Marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit, bashkohen dhe gjimnazet
Studentët e disa universiteteve në Tiranë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë, një ditë pas protestës së shoqëruar me tensione dhe përplasje me Policinë. Protesta e radhës është paralajmëruar për sot në orën 14:00, ndërsa lëvizjes pritet t’i bashkohen edhe studentë nga Elbasani dhe Durrësi.
Studentë të Universitetit të Mjekësisë, Fakultetit Ekonomik, Fakultetit të Drejtësisë dhe Universitetit Politeknik kanë lënë auditorët dhe kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit.
Gjatë lëvizjes, disa akse rrugore që lidhen me Rrugën Bardhyl janë bllokuar, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në kryeqytet.
Ndërkohë, në rrjetet sociale janë publikuar thirrje të shumta për pjesëmarrje në protestën e sotme. Organizatorët dhe mbështetësit e lëvizjes u bëjnë thirrje qytetarëve dhe studentëve të bashkohen sërish në Rrugën e Durrësit, pas zhvillimeve të tensionuara të një dite më parë.
Edhe gjimnazistët në protestë
Pjesë e lëvizjes janë bërë edhe nxënësit e gjimnazit “Partizani” në Tiranë, të cilët kanë bojkotuar mësimin. Sipas raportimeve, disa prej tyre kanë bllokuar përkohësisht rrugën pranë shkollës me kosha mbeturinash, të cilëve u kanë vënë flakën.
16 të arrestuar pas protestës së 13 tetorit
Në një njoftim për ngjarjet e së martës, Policia bëri të ditur se ka arrestuar 16 persona dhe ka proceduar penalisht 49 të tjerë, pas protestës së zhvilluar para Ministrisë së Arsimit.
Sipas Policisë, gjatë tubimit janë hedhur gurë, sende të forta, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të rendit dhe institucioneve. Si pasojë, janë dëmtuar ambientet e Ministrisë së Arsimit, ndërsa në Rrugën “Ded Gjon Luli” është thyer një derë e godinës së Bashkisë së Tiranës dhe i është vënë flaka katit të parë.
Policia njofton gjithashtu se gjashtë punonjës të saj kanë mbetur të dëmtuar gjatë përplasjeve. Dëme janë raportuar edhe në subjekte private, përfshirë një institucion mikrofinanciar dhe një bankë të nivelit të dytë.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës për dokumentimin e ngjarjeve dhe identifikimin e personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunës.
Protesta e sotme zhvillohet në një klimë të tensionuar, pas përshkallëzimit të situatës një ditë më parë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lëvizjes do t’i bashkohen edhe studentë nga qytete të tjera të vendit.
Shkulja e kangjellave ka tensionuar protestën e studentëve në Tiranë, në ditën e dytë të demonstratave kundër situatës në arsim.
Studentët, të cilët kanë bojkotuar mësimin, janë mbledhur dhe kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit, ku situata është tensionuar me mbërritjen e protestuesve pranë institucionit.
Gjatë protestës, të rinjtë kanë nisur të shkulnin kangjellat, ndërsa grumbullimi vijon mes tensioneve.
Protestës së studentëve të universiteteve u janë bashkuar edhe gjimnazistë, të cilët kanë bojkotuar mësimin për t’iu bashkuar thirrjes për protestë.
Demonstrata e sotme vjen një ditë pas protestës së së martës, e cila zgjati disa orë dhe u shoqërua me tensione e përplasje në kryeqytet.
Studentë, të rinj dhe gjimnazistë të shumtë janë ngritur në protestë edhe këtë të mërkurë një ditë pas tensioneve të regjistruara para Ministrisë së Arsimit. Protestuesit njoftuan të mërkurën se protesta do të vijojë po në të njëjtën orë, në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit.
Por protestuesit sot kanë vendosur të nisin protestën më herët dhe nga universitete të ndryshme të Tiranës kanë dalë në rrugë dhjetëra të rinj. Lidhur me këto protesta, policia ka marrë masa dhe ka blinduar Kryeministrinë. Siç shihet edhe nga pamjet, forca të shumta policie ndodhen në terren në rast përshkallëzimi ashtu si një ditë më parë.
Studentët në Tiranë kanë vijuar këtë të mërkurë bojkotin e mësimit dhe protestat, një ditë pas demonstratës që zgjati rreth nëntë orë dhe u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë dalë në protestë dhe kanë nisur marshimin, ndërsa grumbullime janë raportuar edhe te Fakulteti i Ekonomisë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës.
Në reagim janë përfshirë edhe gjimnazistë. Gjatë zhvillimeve janë djegur kosha mbeturinash, ndërsa situata vijon të ndiqet në terren.
Protesta e së martës nisi para Ministrisë së Arsimit dhe më pas u shtri në zona të tjera të kryeqytetit. Gjatë saj u regjistruan përplasje mes studentëve dhe policisë, si dhe incidente e dëmtime të pronës.
Bojkoti i kësaj të mërkure vjen pas thirrjes së bërë një ditë më parë për mobilizimin e studentëve. Vijimi i protestave në disa institucione arsimore pritet të tregojë shtrirjen e reagimit studentor gjatë ditës.
Studentët e Mjekësisë i janë bashkuar bojkotit të mësimit dhe protestës, në përgjigje të thirrjes së bërë një ditë më parë për mobilizimin e studentëve.
Lëvizja vjen një ditë pas protestës së zhvilluar në Tiranë, e cila zgjati rreth nëntë orë dhe u shoqërua me përplasje mes studentëve dhe Policisë së Shtetit.
Protesta e së martës nisi para Ministrisë së Arsimit, ndërsa më pas situata u përshkallëzua në disa zona të kryeqytetit, ku u raportuan përplasje me efektivët, dëmtime të pronës dhe incidente të tjera.
Një ditë pas protestës së studentëve, e cila zgjati rreth 9 orë në Tiranë dhe u shoqërua me përplasje, tensione dhe akte dhune, reagimi ka vijuar edhe në gjimnaze.
Nxënësit e gjimnazit “Partizani” në Tiranë kanë bojkotuar mësimin, në një zhvillim që vjen pas protestës së gjatë të studentëve një ditë më parë.
Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shoqërimet në polici të të rinjve që morën pjesë në protestën e së martës para Ministrisë së Arsimit. Mësohet se policia ka arrestuar 16 persona.
Sipas njoftimit të policisë, të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjithashtu lidhur me incidentet e regjistruara në protestë, janë proceduar penalisht 49 persona. Më tej në njoftim theksohet se janë dëmtuar 6 punonjës policie nga hedhja e gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovë.
“Tiranë/Ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë, dëmtuan institucione shtetërore dhe subjekte private, si dhe shkatërruan bankomate, kamera dhe rrethime metalike gjatë tubimit të datës 13.10.2026, arrestohen në flagrancë 16 shtetas.
Procedohen penalisht 49 shtetas të tjerë. Gjatë tubimit të zhvilluar më datë 13.10.2026, rreth orës 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit, disa pjesëmarrës të maskuar kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur sende të forta, pllaka guri, kapsolla, kokteje molotovi dhe sende të tjera në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe ambienteve publike.
Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Gjithashtu, janë thyer dhe djegur sende brenda një institucioni mikrofinanciar, dhe është dëmtuar fasada prej xhami e subjektit privat, bankë e nivelit të dytë.
Në rrugën “Ded Gjon Luli”, është thyer me forcë një nga dyert e godinës së Bashkisë Tiranë dhe i është vënë zjarri katit të parë të saj.
Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar me shërbim janë përballur, që prej fillimit të tij, me dhunë të vazhdueshme, përmes hedhjes së gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovë nga grupe pjesëmarrësish të maskuar. Si pasojë, janë dëmtuar 6 punonjës policie.
Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas kryerjes së veprimeve procedurale:
U bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. V., 41 vjeç; F. B., 48 vjeç; A. B., 40 vjeç; G. I., 57 vjeç; E. K., 32 vjeç; I. S., 38 vjeç; B. K., 59 vjeç; D. V., 55 vjeç; E. Z., 30 vjeç; H. B., 52 vjeç; O. V., 35 vjeç; Xh. P., 27 vjeç; K. M., 23 vjeç; B. Gj., 31 vjeç; K. H., 38 vjeç dhe K. A., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
U proceduan penalisht 49 shtetas të tjerë.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 13.10.2026. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të marrin kujdes shëndetësor 6 persona të lënduar gjatë protestës së ditës së djeshme, ku tre janë kalimtarë dhe tre protestues.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, 3 kalimtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore, të cilët vijojnë qëndrimin në spital, ndërkohë njëri prej tyre po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
Sa i përket gjendjes së 3 protestuesve, gjithashtu edhe këta janë në gjendje të mirë shëndetësore. Dy prej tyre do të vijojnë qëndrimin në spital, ndërsa për personin e tretë po kryhet vlerësimi mjekësor për të përcaktuar nëse nevojitet shtrimi.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është paraqitur gjatë natës 1 protestues me shenja intoksikimi, i cili, pas marrjes së trajtimit në urgjencë dhe rekomandimeve mjekësore, është larguar nga spitali.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u uron shërim të shpejtë të gjithë personave të lënduar dhe garanton vijimin e kujdesit mjekësor sipas nevojave të secilit.
I riu që u paraqit mbrëmjen e së martës tek spitali i Traumës me dëmtim të këmbës pritet të futet në sallën e operacionit për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Mjekët bëjnë me dije se momentalisht ai është në gjendje të mirë shëndetësore.
I riu mësohet se ka dëmtim të kërcirit. Ai u dëmtua gjatë protestës por në deklaratat e tij para uniformave blu, por edhe për mikrofonin e Euronews Albania tha se nuk ishte pjesë e protestës por është dëmtuar nga policia. Ai ka deklaruar se po shikonte një ndeshje të Champions League dhe gjithçka ka ndodhur kur ka dale nga lokali.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.