LIVE- Rama reagon pas ngjarjes në Zvërnec: Do të isha njësoj i revoltuar si qytetarët. Policia e Shtetit duhet t’i kishte arrestuar në vend policët privat që tërhoqën zvarrë protestuesin
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në zonën e Zvërnecit, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga policia private pas tubimit të zhvilluara ty nga shoqëria civile për të mos lejuar ndërtimet në zonë. Ngjarja e rëndë ndodhi kur e pranishme ishte edhe Policia e Shtetit, të cilën kryeministri Edi Rama e cilësoi të papranueshme.
Në një mesazh drejtpërdrejt për qytetarët e revoltuar, Rama tha se i ka dëgjuar dhe i kupton shqetësimet e tyre, ndërsa ka dënuar edhe sjelljen e Policisë së Shtetit.
Rama tha se policia e shtetit duhet t’i kishte arrestuar në vend policët privat që tërhiqën zvarrë protestuesin
Kryeministri u ndal edhe te spekulimet për pronat dhe investimet në zonën e Zvërnecit, duke mohuar pretendimet se toka do të jepet për të huajt në mënyrë të padrejtë nga qeveria.
“Dua të flas sot lidhur me situatën e krijuar në zonën e Zvërnecit dhe dua ta nis me një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që janë revoltuar dhe janë rreshtuar edhe kundër meje personalisht, pasi panë aktin e neveritshëm të tërheqjes zvarrë të njërit prej protestuesve në Zvërnec.
Ju kam dëgjuar dhe ju kuptoj shumë mirë. Madje ju siguroj që, në vendin tuaj, edhe unë po njësoj do të revoltohesha dhe do të rreshtohesha kundër qeverisë dhe kundër kryeministrit. Sepse do të më dukej e tmerrshme që disa roje private sigurie, para syve të policisë së shtetit tim, pas një gardhi me tela me gjemba, të ulërinin si kafshë dhe të merrnin nga jashtë brenda një njeri në të drejtën e vet dhe ta tërhiqnin zvarrë nëpër plazhin e rrethuar. E pastaj policia të thoshte se i zvarrituri ishte futur vetë në pronën private dhe të relativizonte dhunën, në një kohë kur duhej t’i kishte arrestuar në vend ata që morën zvarrë protestuesin.
Po të më thoshin se ajo tokë është e shtetit dhe se shteti po ua fal të huajve, dhe kjo të ishte përhapur gjithandej me shumë zell, bashkë me legjendën se shteti po ia fal atë tokë izraelitëve për të sjellë palestinezët në Zvërnec; po të më thoshin që aty janë futur disa rusë që, në bashkëpunim me oligarkët shqiptarë, po rrafshojnë zonën e mbrojtur dhe po ndërtojnë pallate; po të më thoshin se ishte zonë e mbrojtur dhe qeveria e hoqi këtë status për t’ua falur të huajve, për të shkatërruar biodiversitetin e zonës, e të tjera nga ato që ju kanë thënë, që pastaj i keni thënë duke i shpërndarë, janë shkruar duke ngritur një dallgë zemërimi dhe duke bërë thirrje për të mbrojtur atdheun në rrezik.
Po, e kuptoj shumë mirë të gjithë këtë dhe e kuptoj shumë mirë edhe zemërimin tuaj.
Kam dy ditë që pyes veten: a duhet të tregoj unë, një e nga një, anën tjetër të kësaj medaljeje, me prioritetin e lartë që ju të mos më besoni dhe të më thoni mua tradhtar, të shitur te të huajt dhe te oligarkët? Apo mos vallë duhet të them: “Më falni, gabuam, nuk e gjykuam mirë këtë dhe projekti do të anulohet”, që ju të qetësoheni dhe të shijoni fitoren e një kauze që, e parë nga ana juaj, është vërtet fisnike?
Të mendoni se e mbrojtët Shqipërinë nga një e keqe e madhe, ndërsa unë, pasi ta bëj këtë, të vazhdoj të rri në karrige dhe të shtyj kohën e pushtetit me shijen e hidhur të një humbjeje të madhe për Shqipërinë, për fëmijët e sotëm të Shqipërisë, të cilët do të jenë përfituesit nesër të këtij investimi dhe të investimeve të tjera të kësaj natyre.
Heq dorë nga ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që të mos ketë zili askënd. Për ca më duhet pushteti e karrigia? Që të qetësoheni ju e që pastaj nesër të vazhdoni jetën normalisht siç është dhe pasnesër në vend të atij investimi të jashtëzakonshëm që përgatitet atje të bëhet copëtimi i radhës? Golemi i radhës? Se ju do rroni më shumë se unë dhe do shikoni, se aftësia dhe kurajo për ta rikthyer Shqipërinë te Golemi është e gjallë dhe e gatshme. Heq dorë nga vizioni dhe ambicia për ta bërë Shqipërinë një vend që nuk ka frikë të hyjë në ligën e kampionëve të turizmit global dhe të rri në karrige e pushtet sikur bëj që udhëheq një vend që trembet nga sfidat e mëdha të investimeve të kësaj lige? Një vend që s’ka frikë të përballet me rritjen e vetë?”, tha Rama
Ne përditësim…




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.