Ekonomia

Llogaritja e pensioneve për pedagogët me tituj në universitete

Qeveria rishikon skemën e llogaritjes së pensioneve suplementare shtetërore për punonjësit e institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, që gëzojnë tituj shkencor. Sipas përcaktimeve të bëra nga autoritetet përgjegjëse, këto përfitime suplementare do të shkojnë edhe për punonjësit e strukturave jopublike të arsimit të lartë, të cilat do jenë pjesë e listës zyrtare të institucioneve që do të zbardhë MAS. Në vendim, saktësohet se institucionet jopublike, të cilat përfshihen në këtë skemë do të jenë: universitetet, akademitë, kolegjet universitare, kolegjet profesionale të larta, si dhe institutet, qendrat e agjencitë e kërkimit shkencor të akredituara. Lista e këtyre strukturave të arsimit të lartë, punonjësit e të cilave mund të aplikojnë për pagesat suplementare shtetërore hartohet dhe përditësohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, por, sipas kërkesës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Pensionet shtetërore suplementare me datë fillimi, para hyrjes në fuqi të ndryshimeve të përcaktuara në vendimin e zbardhur gjatë ditës së djeshme, do llogariten sipas dispozitave ligjore që kanë qenë në fuqi deri në datën kur vendimi do të zbardhet në fletoren zyrtare, e cila nënkupton dhe hyrjen në fuqi të ndryshimeve të bëra.

 

Përcaktimet mbi pagën referuese që do të përdoret në llogaritje

 

Në procesin e llogaritjes, bëhet me dije se, si “pagë referuese”, do të cilësohet paga bazë për titullin në institucionet publike, duke përjashtuar shtesat që mund të jepen për funksion. Konkretisht, për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të ushtrimit të titullit, ndërsa si pagë bazë do të përdoret paga e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Vendimi i miratuar gjatë ditës së djeshme, saktëson se për efekt të llogaritjes së përfitimit, për titujt: “Profesorë” dhe “Drejtues kërkimesh”, të cilët kanë periudhë ushtrimi të titullit sipas përcaktimeve të bëra në ligjin e 15 majit të 2009-ës, si pagë referuese e titullit, do të merret ajo e përcaktuar për titullin “Profesor” në institucionet e arsimit të lartë. Ndërsa për titujt “Profesorë të asociuar” dhe “Mjeshtër kërkimesh”, të cilët kanë ushtruar profesionin po në të njëjtën periudhë, si pagë referuese e titullit do merret ajo për titullin “Profesor i asociuar” në institucionet e arsimit të lartë publik. Në rastet kur bëhet fjalë për titujt “Docent” dhe “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, të cilët i kanë pasur këta tituj para vitit 1994 dhe i kanë përfituar pasi është fituar më parë grada shkencore “Kandidat i shkencave”, si pagë referuese e titullit, do merret ajo e pozicionit “Lektor” në institucionet e arsimit të lartë. Më tej në vendim sqarohet se masa e pensionit suplementar plus pensionin e pleqërisë, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i masës së pensionit të plotë të pleqërisë. Për personat, të cilëve e drejta për pension suplementar, u lind pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, ndërsa pensioni i pleqërisë u llogaritet sipas dispozitave në fuqi deri në 31.12.2014, shuma e pensionit të pleqërisë plus pensionin suplementar, nuk mund të jetë më e lartë se dyfishi i masës mujore të pensionit të pleqërisë dhe shtesës së pensionit të pleqërisë, në momentin e lindjes së të drejtës për pension suplementar.

Llogaritja e kontributeve

Kontributet suplementare, sipas masës së përcaktuar llogariten nga subjekti punëdhënës dhe derdhen në organet tatimore, sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara për mbledhjen e kontributeve nga skema e sigurimit shoqëror të detyrueshëm. Ndërkohë në vendim sqarohet se organet tatimore dhe të sigurimeve shoqërore nuk do të pranojnë kontribute suplementare për persona që gëzojnë titullin, por e ushtrojnë atë duke punuar në institucione kërkimore publike apo institucione jopublike, të cilat nuk janë të përcaktuara në listën zyrtare të përditësuar nga MAS. Kontributet suplementare paguhen në fondin e sigurimit suplementar shtetëror. Masa e tyre është: 5 për qind  e pagës referuese të titullit për të punësuarit në sektorin publik, si dhe 7 për qind e pagës referuese të titullit për të punësuarit në sektorin jopublik

Si aplikohet për pension suplementar

Personat e interesuar për të përfituar pension suplementar sipas këtyre kushteve, duhet që fillimisht të paraqesin pranë organeve të sigurimeve shoqërore ku kanë qendrën e tyre të banimit kërkesën për përfitim, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm. Pjesë e dosjes së dokumenteve duhet të jenë: “Fotokopje të kartës së identitetit, fotokopje të noterizuar të dëshmisë për dhënien e titullit, ose vërtetim për dhënie titulli nga komisioni i kualifikimit shkencor, apo nga komisioni i vlerësimit të titujve, vërtetim, lëshuar nga qendra e punës, për pagën referuese, si dhe kohën e gëzimit të titullit, në zbatim të ligjit përkatës. Zbatimi i këtij vendimi pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Llogaritja, caktimi dhe pagesa e përfitimeve suplementare bëhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Dokumentet që kërkohen për përfitim

  • Fotokopje e nënshkruar e letërnjoftimit elektronik ose çertifikatë personale.
  • Deklaratë personale, nëse personi merr ose jo përfitime nga skema të tjera suplementare shtetërore.
  • Fotokopje e noterizuar e dëshmisë për dhënien e titullit, ose në mungesë, një vërtetim për titullin shkencor, të lëshuar nga Komisioni i Kualifikimit ose nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve.
  • Vërtetim i pagës referuese.
  • Vërtetim nga qendra e punës për kontributet suplementare të paguara nga data 01.01.2010 deri në datën e lindjes së të drejtës
  • Vërtetim për kohën e gëzimit të titullit.

 

E drejta për përfitim

  • E drejta për pension suplementar nuk parashkruhet.
  • Personit, që kërkon pensionin suplementar, brenda 1 viti nga data që i ka lindur e drejta, i jepet ky pension që nga ajo datë. Në raste të tjera, pensioni paguhet nga data e regjistrimit të kërkesës.
  • Përfitimet e njohura nga ky ligj, por të patërhequra, do të paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se tre vjet.
  • Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për tre vjet.
  • E drejta e organit kompetent për të kërkuar shumat e marra tepër gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se tre vjet nga data e marrjes së tyre, por jo më vonë se gjashtë muaj nga data e konstatimit dhe masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të përfitimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button