Ekonomia

Lokalet e ish-Bllokut, qiraja jo më pak se 10 dollarë/m²

Hapësirat për parkim, çmimet nga 54 deri në 171 lekë/m²

Nga Zamir Alushi 

harta_tiranes_1Sa është qiraja e një lokali në qendër të Tiranës? Po në periferi? Kryeqyteti ndahet në 32 zona urbane, që kanë çmime të ndryshme të pasurisë së patundshme. Deri dje, për efekt të llogaritjes së tatimit mbi të ardhurat, subjektet deklaronin lirisht shumat e fiksuara në kontratat e noterizuara për qiranë. Nga data 15 korrik 2015, çmimi mbi të cilin bëhen përllogaritjet tatimore, nuk mund të jetë më i vogël se sa e ka caktuar tabela e referencës për qiratë.

Qiraja te ish-Blloku

Ndryshimi radikal pritet të ndodhë në tatimin e pronarëve të lokaleve të dhëna me qira në zonën e ish-Bllokut, në zemër të kryeqytetit. Aty çmimet variojnë me nga 1 mijë euro e lart, por deri sot paguhej tatim sa për qiranë e një apartamenti modest në periferi. Tani vendoset minimalja e lejueshme për qiranë e lokaleve në ish-Bllok për efekt tatimi, që është 1 140 lekë/m². Ndërkaq, vlera e qirasë për një garazh të nëndheshëm në këtë zonë do të llogaritet jo më pak se sa 399 lekë/m². Po kaq do të jetë edhe çmimi dysheme për një bodrum të dhënë me qira në një nga ndërtesat e vendosura në ish-Bllok. Kurse qiraja e një zyre do të përllogaritet duke marrë si dysheme vlerën e barabartë me qiranë mesatare mujore të një apartamenti banimi në këtë zonë, që është 570 lekë/m². I njëjti çmim do të pranohet edhe për magazinat e dhëna me qira në këtë zonë. Edhe parkimi kushton shumë në zonën e ish-Bllokut. Për parkimin e hapur, vlera referencë minimale mujore është 171 lekë/m². Më të fituar do të jenë ata që japin me qira ambiente të pallateve të vjetra, të ndërtuara para vitit 1992, të cilat ishin banesa shtetërore dhe u privatizuan në favor të poseduesve. Këto lokale, në pallatet e vjetra të ish-Bllokut, do të trajtohen me qiranë minimale mujore 399 lekë/m².

Periferia

gjelberimi_ne_tr_1Kurse në zonat periferike të Tiranës, ku infrastruktura është zakonisht e nivelit të dobët, qiraja do të jetë më e ulët, bazuar edhe në vlerat e shitjes së apartamenteve në këto zona. Kështu, një dyqan në periferi do ta ketë minimalisht qiranë 360 lekë/m². Të njëjtën dysheme ka qiraja edhe për magazinat dhe zyrat në këto rajone. Ndërsa vlera e qirasë së një garazhi në një ndërtesë larg qendrës së Tiranës do të jetë minimalisht 126 lekë/m² në muaj. Po ashtu, këtë vlerë dysheme kanë edhe qiraja për një bodrum në periferi. Më lirë është edhe parkimi në periferi. Sipas tabelës së referencës, parkimi i hapur e ka qiranë mujore 54 lekë/m². Çmime jo shumë të larta për qiranë llogariten edhe për komunat, që tashmë janë bërë pjesë e bashkisë së Tiranës. Kështu, një lokal në zonën e Kasharit përllogaritet me qiranë mujore minimale 3150 lekë/m². Ndërsa një dyqan në zonën e Dajtit e ka qiranë jo më pak se 3180 lekë/m². Më të larta do të jenë qiratë sipas tabelës së referencës për Komunën e Farkës, edhe kjo pjesë e Tiranës. Një lokal në këtë zonë rezidenciale, sipas Tatimeve, do ta ketë qiranë minimale 3870 lelë/m². Ndërsa për lokalet në pallatet e vjetra në këto zona, qiraja minimale mujore llogaritet në kufirin e poshtëm 126 lekë/m². Si bazë për përllogaritjet e referencës së qirasë përdoret udhëzimi i qeverisë i muajit gusht 2014, “Për miratimin e kostove mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave”. Çdo vit, qeveria miraton tabelat me vlerat e tregut të pasurive të patundshme, që shërbejnë si bazë për programet sociale të strehimit në zonat urbane, por edhe për fushën fiskale. Në gusht 2014, kostoja mesatare e ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave, në shkallë republike, ishte 39 482 lekë/m², për sipërfaqe shfrytëzimi. Kostoja mesatare e ndërtimit dhe vlera mesatare e apartamenteve në tregun e lirë të banesave, sipas qyteteve, përgatitet nga Ministria e Zhvillimit Urban.

Qytetet 

Qiratë më të shtrenjta në Durrës, më lirë në Fushë-Arrës

Durrësi është qyteti që klasifikohet i dyti pas Tiranës për qiranë më të lartë të lokaleve dhe objekteve të tjera tregtare. Një lokal në qytetin e Durrësit e ka qiranë mesatare mujore minimale 322 lekë/m². Ndërsa një zyrë e dhënë me qira e ka pagesën mujore 210 lekë/m². Po kaq është qiraja minimale për një magazinë me qira në qytetin bregdetar. Ndërsa pagesa mujore për një garazh me qira është mesatarisht 147 lekë/m². Po kaq është edhe vlera minimale e lejueshme për qiranë e një bodrumi. Vlera e minimale e qirasë mujore të një parkimi të hapur në Durrës është 61 lekë/m². Ndërsa një lokal në pallatet e vjetra (ndërtuar para vitit ’92) e ka qiranë minimale 147 lekë. E treta, në shtrenjtësinë e qirave për lokalet, është Vlora. Sipas përllogaritjeve, qiraja minimale për një dyqan në Vlorë është 287 lekë/m². Ndërsa, zyrat dhe magazinat në Vlorë, duhet ta kenë qiranë minimalisht 184 lekë/m². Për garazhet dhe bodrumet, në Vlorë qiraja minimale llogaritet 129 lekë/m². Pas Vlorës renditet Shkodra, ku qiraja mesatare për një lokal e ka dyshemenë 258 lekë/m². Fieri e ka qiranë minimale mujore të dyqaneve 238 lekë/m². Menjëherë pas Fierit renditet Kamza. Në këtë bashki, qiraja minimale e lokaleve llogaritet në 232 lekë/m² në muaj. Qiraja më e ulët vlerësohet për lokalet në Bashkinë e Fushë-Arrësit, 34 lekë/m².

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button