Te ndryshme

Louis de Funès, mjeshtri që bëri botën të qeshë

Profil / 100-vjetori i lindjes

Mashtruesit, kurnacët, borgjezët e vegjël dhe nevrikët ishin specialiteti i tij, pasi askush nuk i luante dot ata me aq shpirt e humor sa ai. Për adhuruesit e tij, ai do të mbetet i pavdekshëm

Yvonne Schymura

Mësuesit tanë nuk e kishin të lehtë në vitet tetëdhjetë. Çdo të hënë e njëjta histori: ne qëndronim në oborrin e shkollës, bënim fytyra të habitura, silleshim si të dehur e bënim potere. Ata nuk mund të kuptonin dot se përse ne vajzat shembullore, papritur po silleshim kaq në mënyrë “jovajzërore”. Natyrisht se ata nuk kishin asnjë ide se kush ndodhej pas kësaj anarkie: një francez tipik plot humor, jashtëtokësor dhe shumë “supë lakrash”.

“Louis dhe jashtëtokësorët e tij kokëzbathur” quhej filmi i vitit 1982, që e kishte bërë Louis de Funès heroin tonë. Komiku luante në të rolin e fshatarit Claude Ratinier, që kishte nxitur një konkurs gazrash me shokun e tij të vjetër Francis – e kësisoj kishte joshur papritur alienët. Fryrjet që kishin shkaktuar lakrat – që luanin një rol kryesor në filmin me titullin origjinal “La soupe aux choux” (Supa me lakra) – natyrisht se për nxënësit tanë ishte një humor i parezistueshëm. Për një kohë të gjatë “supa me lakra” ishte tashmë gjella e preferuar e grupit tonë. Të paktën teorikisht. Pasi në të vërtetë, askush nuk e kish provuar ndonjëherë me të vërtetë pjatën tonë “plot aromë”.

Para së gjithash, na mrekullonte loja plot ritëm e humor të jashtëzakonshëm e De Funès: mënyra se si ai shkonte përtej konvencioneve tona të guximshme, shante pa kufi, fliste pa fre për dehje e ngrënie paq, e bënë atë idhullin tonë të padiskutueshëm. Askush nga ne nuk e kuptonte se ai karrierën e vet e kish nisur sikurse edhe ne, pikërisht si një nxënës anarkik e arrakat, siç ishim dhe ne në atë kohë.

Rrugë e gjatë për në majë

Talentin e vet të veçantë, djaloshi i lindur në afërsi të Parisit më 31 korrik 1914, nën emrin Louis Germain David de Funès, e kishte shfaqur qysh herët: në rininë e hershme, ai ra në sy nëpërmjet disa gjesteve “të palavdishme”, kur humbi të drejtën për studime. Prindërit e tij duhet të kenë mbetur pa frymë pastaj kur djaloshi i tyre rrëmujaxhi, tashmë në vitin 1932, më në fund mbushi 18 vjeç dhe vendosi të shkonte në Shkollën e Filmit të Parisit, për të mësuar një zanat.

Mirëpo edhe atje, ai shumë shpejt bëri një emër “të keq” – me sulme të rafinuara e përplasje të bujshme. Gjithnjë e më shumë, ai depozitonte manekinët e zjarrfikësve nëpër laboratorë, derisa një ditë ato jo vetëm u përplasën e u rrëzuan tërë shamatë, por shkaktuan edhe zjarr. Plasi kështu rrëmuja, mësuesit u lëshuan sa andej-këtej duke ndihmuar njëri-tjetrin me kova me ujë. Dukej si në ato skenat perfekte të rrëmujave nëpër filma, në të cilat gjenia komike më vonë do të shfaqej plotësisht, me shumë bujë. Për mësuesit, megjithatë, ajo që panë të ndodhte aty, nuk ishte as gjeniale e as komike: ata e përjashtuan shkaktarin e rrëmujës nga shkolla.

 

De Funès nuk e la veten të demoralizohej: sapo kishte mbushur 20 vjeç, ai u përpoq ta provonte veten si dizajn industrial, si llogaritar që e përmbushte detyrën me shumë vështirësi e në fund, edhe si dekorator vitrinash. Këtu, më në fund, ai duket se zbuloi talentin e tij. Derisa do ta godiste sërish një “fatkeqësi e rëndë”: një shitës parfumesh e ngarkoi atë të prezantonte diçka të jashtëzakonshme nga mallrat e tij plot aromë. De Funès bëri gjithçka dhe krijoi një piramidë të madhe prej shishesh parfumi “Eau-de-Cologne”. Vepra ishte thuajse e pambaruar, kur konstruksioni që ai kishte përgatitur, thjesht u rrëzua. I lagur e i mbushur plot me aroma, si një dyqan parfumesh, “i pafati” po qëndronte në një pellg prej parfumi fin – përballë një farse komike. Punëdhënësi i tij, sidoqoftë, nuk e kuptoi këtë si një shaka: si përfundim, ai e humbi edhe këtë punë.

Nën dritat e skenës

Më në fund, De Funès u shfaq si pianist xhazi në baret dhe në teatrot e varietesë në “Pigalle”, një lagje e Parisit. Përveç saj, ai merrte ndërkohë edhe mësime aktrimi. Shpresonte që të fitonte më shumë në film, pasi ndërkohë, tashmë ai duhej të kujdesej edhe për një familje: në vitin 1936, ai u martua me Germaine Louise Élodie Carroyer, e një vit më vonë, u lindi edhe djali, Danieli. Mirëpo, martesa zgjati vetëm gjashtë vjet. Në vitin 1943, ai u martua sërish. Jeanne Barthélemy de Maupassant duhej të ishte tashmë dashuria e jetës së tij. Me të, ai pati edhe dy djem: Patrikun dhe Olivierin.

Paraja sigurisht se tashmë ishte shumë e nevojshme, mirëpo De Funès do të duhej të mjaftohej për një kohë të gjatë me role dytësore. Filmat në të cilët ai deri në fund të viteve pesëdhjetë kishte luajtur në skena të shkurtra, sot thuajse nuk i njeh askush – si ai në 1945-n për shembull, në “Satani dhe udhëtimi i muajit të mjaltit” apo ai i vitit 1951, në rolin e një burri xheloz në “Në net të caktuara” apo edhe ai i vitit 1954 në “Ingridi – historia e një fotomodeli” në rolin e një njeriu të modës. Mbi 40 role në të tillë filma, ai i konsumoi pa rënë në sy. E tanimë çdo gjë do të ndryshonte.

De Funès ishte tashmë 45 vjeç kur fitoi “rolin e jetës”: ai bërtiti, shau dhe turfulloi si një fabrikant sapunësh, duke luajtur Bertrand Barnier, në pjesën teatrale “Oscar” të Claude Magnier. Pasioni i tij e preku publikun, sikurse dhe kritikët. Kështu konstatonte asokohe “Figaro”, ku lexuesit e saj me shumë gjasa kishin parë “Oscar”-in – por ata nuk e kishin parë akoma Louis de Funès në “Oscar”.

Forca e tij: Dobësia njerëzore

Papritur, aktori i gjallë tashmë nuk kishte më nevojë të bëhej merak për rolet e tij: në 20 vitet në vijim, ai do të xhironte më shumë se 30 filma, do të shkruante skenarë dhe do të piqej si “gjeni i improvizimit” para kamerave. Premierat e tij shpërthyese si hajdut i fshehtë bankash (“Balduini, shpërthyesi i kasave të parave”, 1964), si gjuetar i një supermashtruesi (“Fantomas”, 1964) apo si menaxher i një trupe kërcimtarësh (“Gjithkush kërcen sipas fyellit tim”, 1970) e kthyen atë në një legjendë.

Forca e tij ishte dobësia njerëzore. “Më me qejf, unë luaj drejtorë të mëdhenj, diktatorë, shefa të padrejtë me fiksim pas pushtetit”, do të pohonte De Funès më 1978-n në një intervistë televizive. Frika dhe zilia e tërhiqnin atë: “Unë kam një dobësi për njerëz të gabuar, për gënjeshtarë dhe spiunë”.

Ndryshe nga idhulli i tij, Charlie Chaplin apo Laurel dhe Hardy, De Funès nuk e shfaqte kurrë humbësin e gëzuar apo budallain sharmant. Tullaci trupdobët preferonte borgjezë të vegjël, njerëz që e shfrytëzojnë postin e tyre dhe në fshehtësi e meskinitet ndjekin qëllimet e tyre. Rolet e tij ishin shpesh dominante, të mbingarkuara, plot përçartje dhe çmenduri – dhe nëpërmjet këtyre, edhe plot origjinalitet.

Të jetosh me kobure në brez

E megjithatë, në jetën private, mjeshtri i madh i aktrimit dhe humorit, preferonte të kundërtën: qetësinë dhe modestinë. Ai dashuronte peshkimin dhe kopshtarinë. Më së shumti e bënte këtë me një pistoletë në dorë. Pasi De Funès mbërthehej çuditërisht shpejt nga ndjesia se duhej të vetëmbrohej. Për të mbrojtur idilin e tij privat, ai e siguroi kështjellën e tij në Nantë – ku jetonte me familjen qysh nga viti 1967 – me një rrjet të sigurisë së lartë, armatosur me pajisje vetëvrasëse kundër vjedhësve. Shtëpia e tij ishte një kështjellë e vërtetë, e sigurt dhe njëkohësisht, “kafazi i tij i artë”.

Ndoshta komiku i madh ndihej shumë mirë në këtë kafaz, pasi me famën që kishte, ai nuk e gjente kurrë veten: ngado që shkonte e rrethonin njerëzit dhe e përshëndesnin. S’ka rëndësi se si ai reagonte; ata e mbanin atë për një mjeshtër të vërtetë të humorit. De Funès ndihej keq në këto takime. Në restorante, ai ndërronte shpesh tavolinat për të ngrënë i pabezdisur. Në kinema, shkonte fshehtas. Kur shfaqej ndonjë nga filmat e tij, mjeshtri i shoqëruar nga djemtë e bashkëshortja, rrasej në radhën e fundit, vetëm pasi filmi kishte filluar dhe dilte jashtë, para se ai të mbaronte.

Famë e vonë dhe fund i shpejtë

Sa vonë kishin nisur vitet e tij të arta, po aq herët përfunduan ato: në mars 1975, Louis de Funès pësoi një infarkt kardiak. Karriera e tij dukej se po mbaronte, e asnjë shoqëri filmike nuk donte ta merrte me vete rrezikun për të xhiruar me një aktor të goditur tashmë nga shëndeti.

Producenti Christian Fechner më në fund guxoi: në “Gjoks apo qafë” në vitin 1976, ai arriti ta tregonte edhe një herë mimikën e papërsëritshme të De Funès. Fechner, gjatë xhirimeve, megjithatë nuk harroi të mbante me vete vazhdimisht edhe një kardiolog. Me këtë sjellje të kujdesshme, De Funès ia rinisi sërish karrierës, duke sjellë ndër të tjera “Kokëtrashi” (1978), “Louis koprraci” (1980) dhe natyrisht “Louis dhe tullacët e tij jashtëtokësorë”. De Funès tashmë sigurisht se shfaqej më shkurt nëpër skena, xhironte më pak dhe nuk shkruante më skenarë.

Por kjo nuk do të mjaftonte: vdekja nuk e kaploi atë në një skenë filmi, por në shtëpi, në një kopsht të sigurt. Louis de Funès ndërroi jetë më 27 janar 1983, në moshën 68-vjeçare nga një infarkt tjetër zemre.

Për adhuruesit e tij, komiku i papërsëritshëm sigurisht se mbetet edhe sot e kësaj dite i pavdekshëm – pasi ai i bënte njerëzit të qeshnin. Dhe për më shumë: edhe nipi im shtatëvjeçar i pëlqen fshatarët me kokat e tyre tullace. E po … janë një hit i papërsëritshëm. A.P.

Marrë nga “Der Spiegel”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button