LSH: Propozimi i Qeverisë për jurisprudencën e barazon shqipen me gjuhët e huaja dhe minoritetet
Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës thotë se modeli i propozuar, ku pjesa teorike jepet në gjuhën e studimeve ndërsa pjesa praktike vetëm në maqedonisht, e devalvon gjuhën shqipe dhe i bën shqiptarët "të huaj në vendin e vet".
Lidhja Shqiptare (LSH) e Ziadin Selës ka reaguar ndaj propozimit të Qeverisë për provimin e jurisprudencës, siç njofton Telegrafi, duke thënë se nëse deri sot gjuha shqipe ishte gjuhë autoktone dhe zyrtare me ligj, por e ndaluar në përdorim, me këtë propozim ajo bëhet gjuhë e huaj ose gjuhë minoritetesh.
Sipas LSH-së, me propozimin ku pjesa teorike jepet në gjuhën e studimeve, përfshirë anglishten dhe turqishten, ndërsa pjesa praktike vetëm në maqedonisht, betonohet projekti i VMRO-DPMNE-së për devalvimin e gjuhës shqipe.
LSH vlerëson se kjo politikë synon t’i bëjë shqiptarët të huaj, “turistë në vendin e vet”, dhe se pasojat do të reflektohen edhe në sfera të tjera.
Shqiptarët janë bashkësia e dytë etnike në vend, me mbi 30 për qind të popullsisë, ndaj gjuha shqipe duhet të jetë gjuhë e dytë zyrtare, siç parashohin Kushtetuta dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, thekson LSH.
Çdo zgjidhje tjetër, sipas LSH-së, do të ishte antikushtetuese, antiligjore dhe degraduese për shqiptarët. Kryeministri Hristijan Mickoski prezantoi sot modelin me dy pjesë: teoria në gjuhën e arsimit të lartë, ndërsa simulimi i procesit gjyqësor në maqedonisht si “lingua franca” e sistemit gjyqësor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.