Lufta e devizave dhe idetë për rendin e ri financiar botëror
Euro, rubla, franga: një vështrim mbi këto valuta kombëtare është njëkohësisht një vështrim mbi krizën aktuale botërore. Situata na tregon se devizat nuk janë më vetëm mjete pagesash – por një armë me të cilat luftojnë jo vetëm superfuqitë. Por a sugjeron kjo situatë se tashmë ka ardhur koha për një rend të ri rregullash globale në tregjet financiare?
Për momentin, valutat e paratë janë në majë të gjuhës së gjithkujt në mbarë botën – jo vetëm në sallat e tregjeve e bursave, apo bankave e bordeve menaxheriale të koncerneve të mëdha ndërkombëtare. Madje rrugës për në punë, në metro dhe në autobus njerëzit flasin rëndom për dollarin, euron, paundin dhe frangën zvicerane.
Diçka duket se ka ndryshuar shumë: në perceptimin e shtetasve të ndryshëm në mbarë globin, valutat nuk janë vetëm mjete pagese, me të cilat shumica e njerëzve sidoqoftë konfrontohen gjatë pushimeve, apo dhe në udhëtimet e tyre të punës e biznesit. Tregjet e devizave kanë qenë e janë bërë edhe më shumë qendër e debateve të politikës ndërkombëtare.
Në vitin 2015, valutat nacionale nuk janë një simbol vetëm për fuqinë ekonomike të një shteti të caktuar, por edhe i fuqisë së tyre politike. Valutat kthehen në një mjet për të ushtruar interesat ekonomike dhe në raste ekstreme, edhe për të treguar forcën e sanksioneve.
Amerika po përpiqet ta zgjerojë ndikimin
Superfuqi e devizave e valutave tashmë më shumë se kurrë më parë, po bëhet dollari. Deviza amerikane zë 20% të ekonomisë botërore dhe 80% të flukseve financiare globale. Në vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur edhe një herë fort me “privilegjin e paturpësisë”, siç e cilësonte dikur ish-presidenti francez, Valéry Giscard d’Estaing, statusin e veçantë të dollarit.
Uashingtoni “kërcënon” Parisin
“Amerika po përpiqet ta zgjerojë ndikimin e vet me mjete financiare”, shkruan Ian Bremmer, themelues i institutit ndërkombëtar “Grupi Euraziatik”, i cili analizon trendet e mëdha gjeopolitike. Bremmer diagnostifikon armatosjen me armët e financave, të ashtuquajtur ndryshe “weaponization of finance”.
Sipas tij, këtë e dëshmon një ndryshim i paradigmave: kështu, Uashingtoni “domestifikoi” bankën e madhe franceze BNP Paribas (që sidoqoftë mban ende vendin e parë të një grupimi bankash perëndimore) para disa muajsh me kërcënimin se do ta përjashtonte atë nga veprimet me dollarin.
Francezët nuk iu përmbajtën strikt rregullave të tregtisë, të cilat sigurisht se vlejnë për koncernet amerikane, por që në asnjë mënyrë nuk janë të detyrueshme për zbatim nga europianët.
Rusia madje u kërcënua me përjashtim nga kodi ndërkombëtar i Swift-it, që përdoret për mesazhet dhe transaksionet globale mes komisionerëve, bankave dhe bursave. Përjashtimi do ta izolonte Moskën faktikisht nga financat botërore.
Armë financiare me shumë logjikë
Logjika e përdorimit të kësaj arme financiare për qendrat financiare, gjendet në faktin se ata mund ta aplikojnë atë pa rënë më parë dakord me qeveritë e tjera. Përveç kësaj, ndërhyrja me këtë armë financiare të paktën në vështrim të parë, duket se sjell leverdi, pasi popullsia civile së pari nuk është se do të duhet të numërojë viktima. Arma e financave nuk prodhon as imazhe të urryera ushtarësh që kthehen në atdhe me arkëmorte.
Megjithatë, rreziqet në këtë rast janë të konsiderueshme. Politizimi i devizave dhe valutave mund të jetë në terma afatshkurtër një shpatë e mprehtë kërcënuese, që mund të farkëtohet lehtë. Por në terma afatmesëm e afatgjatë, ajo depërton edhe në besimin se ka një sistem financiar botëror të unifikuar, dhe që i detyron blloqet kundërshtare të ndërtojnë strukturat e tyre.
Rusia ra nën presion
Kjo i rrit edhe pasiguritë për ndërmarrjet kombëtare. Kreditë jashtë kufijve të vendeve dhe blloqeve për bankat shndërrohen në një biznes të rrezikshëm, pasi shpejt ata duhet të bëjnë hesapet me një ndëshkim të hidhur që pason këtë hap.
Banka me qendër në Bazel të Zvicrës, për balancimin e pagesave ndërkombëtare (BIZ), në njëfarë mënyrë, eminenca gri që gjendet pas bankave qendrore të botës, ka konstatuar ndërkaq se aksionet ndërkombëtare vetëm në Rusi në çerekun e tretë të 2014, kanë rënë me 11 miliardë dollarë. Në krahasim me një vit më parë, borxhet e kreditë u pakësuan nën 15%.
Pasojat janë dramatike. Koncernet ruse gjatë mbledhjes së parave duhet të paguajnë një rrezik qartazi shumë më të madh. Ky mund të jetë një shembull ekstrem, ngaqë Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Moskës së Putinit. Por tik-taku po rreh në drejtim të kundërt.
Moska hedh në qarkullim ar
Rusia me Kinën dhe Brazilin ndërkaq kanë themeluar një bankë zhvillimore të vetën, që mund të shndërrohej në bërthamën e një sfere monetare të pavarur, e cila do të operonte jashtë diktatit të Perëndimit. Përveç kësaj, Banka Qendrore në Moskë po i shton gjithnjë e më shumë sasitë e arit, që mund të përdoreshin për ta bërë ekonominë e vet, sa më të pavarur nga dollari.
Firma të vogla e të mëdha që operojnë edhe përtej kufijve shtetërorë, duhet të mbahen fort te fakti se financimi i bizneseve të tyre ndërkombëtare, po bëhet gjithnjë e më shumë i shtrenjtë e më i ndërlikuar. Kjo hedh rërë në ingranazhet e globalizmit, që ka nisur qysh tani të tregojë problemet e veta. Potenciali i rritjes kësisoj reduktohet, ekspansioni i tregjeve botërore bllokohet. Shanset për mirëqenie që rriten nga loja e lirë me tregjet, zhduken.
Por valutat nuk politizohen vetëm në përmasat e fuqishmërisë së superfuqive, por edhe në përpjekjet për të mbrojtur nga zhvlerësimi produktet kombëtare.
Tokio po zhvlerëson veten
Më brutal ky fenomen po shihet aktualisht në Japoni. Tokio zyrtare po mbështetet shumë në zhvlerësimin e jenit. Kombi ishullor i zhytur në borxhe në shumë pikëpamje tashmë ndodhet “me shpatulla për muri”. Një popullsi e aftë për punë në rrudhje dhe një aftësi konkurruese gërryese, duket se e kanë “mallkuar” ekonominë e tretë botërore me rënie. Kryeministri Shinzo Abe përballë saj po ushtron një politikë të zbrazjes, apo të shkarkimit monetar.
Qysh prej vjeshtës së vitit 2012, kur u shënjua fitorja në zgjedhje e partisë së tij nacional-konservatore, jeni japonez ka humbur 40% kundrejt dollarit amerikan. Kjo është edhe rënia më e madhe e kësaj monedhe kombëtare, qysh nga dhënia e lejes për këmbim në tregjet globale në vitet ‘70.
Në situatën aktuale, megjithatë, është e paqartë nëse stabilizimi koniunkturor atje është i qëndrueshëm. Nëpërmjet rënies së vlerës së Jenit, ekonomia e mbështetur te këmbimet me dollarin, është rrudhur më shumë se sa “rritja” e pretenduar prej saj.
Një palë shifra të thjeshta e bëjnë edhe më të qartë këtë: në mesin e viteve ‘90-të, pjesa që zinte Japonia në tregun global të dollarit, ishte 17%. Sot ajo, me gjithë paketat koniukturore të aplikuara, ka rënë nën 6%.
Lulëzim afatshkurtër në Europë?
Europianët si pasojë, duhet të mos besojnë që kjo goditje në kursin e këmbimit të euros me dollarin, apo blerja e kredive nga Banka Qendrore Europiane, mund të ishin vetëm një çështje e tyre e brendshme. Shumë më tepër, kjo lëvizje mund të shkaktonte një lulëzim të përkohshëm në dukje, që shpërndan pikërisht atë që mund të perceptohet si “mirëqenie e popujve”: rritje e produktivitetit, plus përparimi teknik.
Rreziku i madh i luftës financiare, gjendet në atë që valutat mund të kthehen tërësisht në një armë të politikës dhe nën ndikimin e gjigantëve ekonomikë, të shkaktojnë më pas një luftë të hapur valutore. Kështu, së fundmi, bankat suedeze dhe ato daneze të kartëmonedhave ndërhynë në tregje, për të bërë presion ndaj kursit të këmbimit.
Ekonomistët paralajmërojnë qysh tani për një “volatilitet” në rritje shumë të shpejtë, domethënë: një goditje të ashpër të kurseve të devizave, sikurse ndodhi në vitet ‘20-të, apo ‘70-të të shekullit të shkuar. Para së gjithash, epoka mes Luftës së Parë Botërore dhe Depresionit të Madh, njohu një luftë të ashpër e të pamëshirshme të secilit kundër secilit.
Të pengohet lufta e devizave
Për ta penguar shpërthimin sërish të kësaj gare të devizave të luftës, në fund të Luftës së Dytë Botërore u krijua sistemi “Bretton Woods”, i cili i detyronte qeveritë dhe valutat kombëtare, të verifikoheshin deri në detaj. Valutat kombëtare rezultonin me një kurs fiks në këtë sistem, e për një dollar në fillim për shembull, duhet të paguheshin 4,20 marka gjermane.
Ky sistem i kursit të paracaktuar të këmbimit valutor, sigurisht, nuk ishte perfekt. Një njollë brenda tij ishte, për shembull, se kurset e fiksuara me kalimin e kohës duhet të largoheshin nga realitetet ekonomike dhe të përshtateshin me kohën. Ndryshe ata do të sillnin refuzim, që do të rrezikonin si pasojë stabilitetin e gjithë sistemit.
Një “Bretton Woods” i ri
Sot, aplikimi i një sistemi të kurseve fikse të këmbimit, vështirë se do të zinte vend si praktikë. Aty ku dikur vlenin kontrollet e mallrave e të kapitaleve, sot xhirohen çdo ditë deviza në vlera prej miliarda dollarësh. Sidoqoftë, një bashkëpunim më i madh me marrëveshje të besueshme, mund ta shpëtonte botën nga kaosi valutor, që e vendos globalizimin përballë një goditjeje të rëndë.
Christine Lagarde, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, është ankuar se ajo nuk ishte paralajmëruar me kohë nga Banka Kombëtare Zvicerane mbi detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Eurozonë. Nga kjo ankesë, iniciativa për futjen e një tjetër mase “Bretton Woods” nën kushte të reja, është rritur ndjeshëm. Pararendësve të një rendi të ri valutor botëror, u shkon shpesh ndër mend ngritja e një “Këshilli Mbikëqyrës” botëror, jo për politikën, por për sferën e financave.
Sistemi i devizave i shekullit të 21-të, ka rënë pré e parregullsive. Një “Bretton Woods” i ri po kërkohet tashmë që të lidhë më fort fleksibilitetin me besueshmërinë. Nuk shkon pa amerikanët, por edhe pa europianët me devizën e tyre të përbashkët të rënë në vështirësi – dhe nuk shkon kjo punë as pa kinezët, Renminbi-ja (sistemi monetar në qarkullim zyrtar prej vitit 1948 në Kinë) e të cilëve po njeh sukses të shpejtë në tregjet ndërkombëtare të devizave. Po shënjohen edhe konturet e një sistemi të ri monetar, por gjithsesi në mënyrë e në zhvillime shumë të paqarta.A.P
Marrë nga “Die Welt”