Lufta e kryebashkiakut të Nisës ndaj myslimanëve
Kryebashkiaku Estrosi vendosi që të mbyllte një xhami në Nisë, ndërkohë që ua bëri të qartë klubeve të futbollit, se nuk do t’u japë më fonde nëse lojtarët do të vazhdojnë që të luten në fushë. Ky kërcënim erdhi më pak se dy javë përpara, kur u raportua se IS-i po planifikon një sulm në plazhet e Francës së Jugut dhe Italisë
Mbajtja e shamisë në kokë nga vajzat myslimane është e ndaluar në Francë që prej vitit 2004. Tani, kryebashkiaku i Nisës ka ndërmarrë një nismë të re, të ndalojë futbollistët myslimanë që të luten në fushë.
Shumë në qytetin francez pyesin se përse kryebashkiaku Christian Estrosi në mënyrë të papritur po ndërmerr një veprim më të ashpër sesa zakonisht kundër Komunitetit Mysliman, i cili nga viti në vit po rritet në qytet.
Ai vendosi që të mbyllte një xhami në Nisë, ndërkohë që ua bëri të qartë klubeve të futbollit, se nuk do t’u japë më fonde nëse lojtarët do të vazhdojnë që të luten në fushë. Ky kërcënim erdhi më pak se dy javë përpara, kur u raportua se IS-i po planifikon një sulm në plazhet e Francës së Jugut dhe Italisë.
“Ai dukshëm po ndez një zjarr që ka për qëllim që të shtyjë banorët vendas ndaj myslimanëve vendas”, tha 21-vjeçari Karim, një aktivist i ri në një nga lagjet myslimane të Nisës. “Ai po përdor një formë shantazhi për të tërhequr nga vetja më shumë jomyslimanë dhe po vepron kundër komunitetit tonë. Po çfarë qëllimi ka? Ai mund të çojë në radikalizimin e shumë të rinjve me këtë gjë”.
Estrosi lajmëroi javën e kaluar se klubet e futbollit të Rivierës, duhet që të respektojnë një statut sekularist, që e ndalon futjen e fesë në lojë. Ai kujtoi ligjin e vitit 1905 që në mënyrë strikte e ndan Kishën dhe shtetin.
Ky vendim erdhi pas dhjetë rasteve të futbollistëve, të cilët luteshin në fushë apo në dhomat e stadiumit gjatë ndeshjeve që prej muajit tetor. Dy lojtarë janë pezulluar nga ndeshjet.
Madje disa prej gjyqtarëve myslimanë, praktikantë të devotshëm, refuzuan që t’u jepnin dorën futbollisteve femra.
“Ne kemi qëndrimin se sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti, si sporti më universal në botë, nuk duhet që të ngatërrohet me praktikat fetare apo politike”, tha Eric Borghini, drejtues i degës së Rivierës franceze të federatës së futbollit francez.
Etrosi, i cili dallohet për pamjen e tij djaloshare, edhe pse i ka mbushur të 60 vitet, është mjaft i famshëm në rrethin e ekstremit të djathtë. Madje dhe ai është pjesë e partisë së djathtë franceze.
Në të shkuarën, ai ka qenë ish-motoçiklist profesionist dhe për shumë konservatorë, që janë kundër myslimanëve ai shikohet si hero.
Por anëtarët e Komunitetit Mysliman janë mjaft të shqetësuar për këtë politikë të re të kryebashkiakut, ndërkohë që banorë të tjerë të Nisës janë të mahnitur nga ky qëndrim, në kohën kur frika për sulme terroriste është shtuar edhe më shumë.
“Kjo është qesharake. Ai po i hedh benzinë zjarrit pa pasur asnjë arsye”, tha një banakier në një nga baret “irish” të qytetit. “Lojtarët katolikë e bëjnë shenjën e kryqit para lojës. Çfarë ndodhi me tolerancën fetare. Nuk është moment tani që të diferencojmë myslimanët”.
Edhe pse në qytetin e vjetër ka shumë turistë, të mahnitur nga kafenetë dhe ëmbëltoret e qytetit, disa pronarë biznesesh thonë se këtë herë numri i turistëve është ulur si pasojë e frikës nga sulmet terroriste.
Inteligjenca italiane raportoi se kishte informacione për ndërmarrjen e sulmeve terroriste nga militantët e IS-it, të cilët do të godisnin turistët në rivierën franceze dhe italiane të veshur si shitës ambulantë të akulloreve, si dhe do të fshihnin bomba në kanoçet e pijeve të gazuara, poshtë shezlloneve.
Përveç kryebashkiakut që ka vendosur mbylljen e xhamisë, në Francë autoritetet lokale kanë marrë vendimin që të mbyllin 160 xhami të tjera, të cilat promovojnë radikalizmin.
Disa prej xhamive të mbyllura në Francë që prej shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme pas sulmeve të kryera më 13 nëntorin e shkuar janë dy në Paris e një në Lion.
Por ndryshimi me xhaminë e madhe të Nisës është se besimtarët luftonin për këtë objekt kultit të ndërtohej që prej 30 vitesh, por sapo kishte ardhur data e hapjes, kryebashkiaku e mbylli. Kjo ka bërë që besimtarët të krijojnë ambiente jo shumë të përshtatshme për t’u falur.
Liderët e tri organizatave kryesore myslimane të qytetit thonë se në fillim Estrosi ishte pro ndërtimit të xhamisë, por vendosi ta mbyllë pas presionit të madh nga partia e tij.
Të tjerë thonë se kryebashkiaku ka qenë kundër që kur u dha miratimi i saj.
Madje ai akuzoi Arabinë Saudite që financoi ndërtimin dhe ministrin e Çështjeve Islamike të Mbretërisë Sheikh Saleh bin Abdulaziz, se promovon ligjin sharia dhe po tenton që të sjellë konceptin vahabist në rivierën franceze.
Imami i caktuar për të drejtuar këtë xhami, Mahmoud Benzamia tha se akuzat e kryebashkiakut nuk janë të sakta. “Qesharake. Sauditët thjesht dhanë financimin për ndërtimin e xhamisë. Asnjë nuk ka ndërhyrë në planin për menaxhimin e saj dhe ne nuk kemi për qëllim të sjellim rrymën vahabiste këtu. Kjo sjellje e kryebashkiakut Estrosi është tërësisht politike”.