Opinion

Lufta e policive sekrete n’Kumanovë!

Halil Matoshi
Halil Matoshi

Një shteti të degjeneruar që fabrikon armiq e projekton dhunë unë nuk i besoj më edhe nëse më shfaqet në profilin e Nënës Terezë. I tillë është shteti pa emër por me akronimin FYROM, i kërcënuar nga vesi për pushtet i Gruevskit dhe Ahmetit, që, me diskriminimin e shqiptarëve dhe me keqtrajtimin e të gjithë shtetasve, ka krijuar kushte që u japin legjitimitet aksioneve të grupeve rebele edhe nëse nuk janë nën kontrollin e vetë Qeverisë…

Ky është fillimi i fundit të “spy-klikës” Gruevski, por që nuk do të thotë edhe fund i krijesës së quajtur FYROM. Mirëpo nëse nuk këndellen politikëbërësit në Shkup, agonia e shtetit mund të hyjë në fazën e zhbërjes.

Nëse opozita qytetare përreth Zaevit vërtet angazhohet për një shtet qytetarësh dhe flak diskriminimin e shqiptarëve duke bashkëpunuar me ta dhe duke ua kërkuar ndihmën dhe besnikërinë e tyre për një shtet vërtet modern të Maqedonisë, atëherë plagët e Kumanovës mund të shërohen ngadalë. Nëse edhe opozita lakmon qasjet dominuese dhe ultranacionaliste dhe u bie në qafë shqiptarëve, atëherë maqedonasit me dorën e tyre do ta nënshkruajnë ndarjen e shtetit, përkatësisht fundin e Republikës së Maqedonisë.

Para “luftës” së Kumanovës i kisha thënë INA-s se BDI-ja duhet të dilte nga Qeveria për ta detyruar Gruevskin në dorëheqje, që vendi të shkonte në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Shqiptarët etnikë atje duhej të protestonin kundër gjuhës fashiste të ministres së Gruevskit, Jankulovska, që i cilësoi ata si të egër, bash sikur ish-ministri kosovar Jablanoviq, i cili u shkarkua kohë më parë nga Qeveria e Kosovës.

Po ashtu në kontekstin aktual shqiptarët duhej të rreshtoheshin rreth një force unike politike të mendësisë së re, evropiane, dhe vërtet demokratike, dhe të hynin në koalicion vetëm me ato parti ose grupime politike maqedonase që angazhohen për barazi dhe të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet – që premtojnë zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit – sepse edhe ashtu qeverisja Gruevski po perëndon!

Sa herë e kam përsëritur se FYROM-i mund te mbijetojë vetëm si shtet qytetar i deetnizuar e jo si etnokraci klero-fashiste!

Porse për ta shkatërruar imazhin e kësaj Maqedonie normale që po projektohej (shumë shqiptarë sapo u rreshtuan me liderin opozitar Zaev) shteti policor i Gruevskit me ndihmën e Ahmetit dhe shërbimeve sekrete ballkanike lansoi një armik (armiku kujdestar për klerofashizmin maqedonas natyrisht se janë shqiptarët) dhe ethet e luftës kapluan shtetin, kur grupe të armatosura sulmuan forcat e sigurisë, me ç‘rast u vranë 22 njerëz, policë e rebelë…

Vrasja e një polici shqiptar, një serbi dhe disa maqedonasve e fuqizoi simbolikën kur në protestat antiqeveri u panë të lidhur nyje tre flamujt e këtyre etnive që bashkëjetojnë në FYROM?

A e bëri Gruevski këtë luftë për ta shkatërruar këtë imazh “bashkim-vëllazërim” në kondita të reja e për shtetin unik maqedonas?

A ndërhynë shërbimet sekrete nga rajoni, e veçmas nga Serbia, por edhe nga Rusia?

Përse reagoi me aq ngutësi Ministria e Lavrovit?

Këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjet lidershipi i shqiptarëve në FYROM, por edhe të gjithë ata qytetarë maqedonas që e duan shtetin unik dhe një demokraci qytetare në FYROM.

Vetëm shqiptarët nuk përfituan asgjë, pos që humbën disa trupa kot.

FYROM-i ka hyrë në krizën më të thellë politike që nga lufta civile e vitit 2001.

Kaosi në Kumanovë, ku pati luftime mes forcave qeveritare të Gruevskit & Ahmetit dhe grupeve “enigmatike” rebele, nuk e trandi lidershipin kosovar për të parë nëse vërtet Qeveria Mustafa ka kontroll mbi popullin, territorin, segmentet e sigurisë dhe grupet paramilitare. Kosovarët vazhduan deklarativisht ta mbrojnë Shkupin zyrtar – për të mos u dekonspiruar – ngase ka indikacione se segmente të ish-UÇK-së dhe SHIK-ut kanë influencuar konflikte të intensitetit më të ulët në FYROM, për ta neglizhuar (eventualisht anuluar) votimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kuvendin e Kosovës…

Ose edhe për të bërë “histori”, duke ia nisur një lufte të re për njëfarë kreature demoniake, të quajtur “Shqipni Etnike” – kreaturë të cilës po i japin zë shumë televizione, portale e gazeta shqiptare, duke bërë garën se cili na dalka më patriot se tjetri!?

Zëdhënësi maqedonas i Policisë, Kotevski, tha me ngutësi se grupi i armatosur vinte nga Kosova, përderisa presidentja kosovare Jahjaga dhe kryeministri Mustafa fillimisht po heshtin – e heshtja është pranim – dhe në fund e pranuan këtë fakt tragjik!?

E në anën tjetër, ministri i Brendshëm kosovar, Hyseni, po thoshte se “gjithçka është nën kontroll” (sic!) edhe pse nuk u beson as veshëve të vet!

Në mungesë të informative të sakta zyrtare, hamendësimet e mbushin hapësirën bosh.

Askush s’e di me saktësi se kush “luftoi” përballë shtetit maqedonas në Kumanovë, a ishin vërtet kaçakë të vetmuar e donkishoteskë shqiptarë, apo grupe speciale të rekrutuara nga shërbimet sekrete maqedonase-kosovare, për ta mbajtur Qeverinë e Gruevskit dhe të Ahmetit në pushtet?

Derisa institucionet e FYROM-it e kanë humbur busullën, ky shtet mund të bjerë sakaq dhe të bëhet arenë ku ndahet plaçka ballkanike dhe ku disa shtete përreth do të haheshin ndërmjet vete se kush do të merrte më parë ndonjë copë, që etnonacionalistët ballkanas e konsiderojnë të tyren…

Nga Moska kryetari i shtetit pa emër shpërndante akuza majtas e djathtas, madje duke akuzuar edhe opozitën maqedonase, e ky do të duhej të ishte përfaqësues i unitetit të popullit.

Gjorgje Ivanov, si një trup i pamend, në një intervistë për “Anadoly”, tha se fajtorë për krizën politike dhe ngecjet në eurointegrime janë opozita, BE-ja dhe NATO-ja!?

Në anën tjetër, një grup virtual i ashtuquajtur UÇK (vetëm se jo e Kosovës, por ajo e ashtuquajtur kombëtare!?) e ka marrë përgjegjësinë e atakimit të forcave të sigurisë në Kumanovë, përmes kumtesës nr. 3 të lëshuar nga Gostivari, nja 112 kilometra larg perimetrit të luftimeve dhe në qytetin pa probleme të theksuar ndëretnike, i cili, si qytet edhe gjatë konfliktit të vitit 2001, kishte qëndruar i përmbajtur…

Dhe madje duke u shprehur hapur se kauza e kësaj “lufte” na qenka thjesht hakmarrje!

Porse më interesantja në tërë këtë tregim mbetet fakti se liderët ultranacionalistë maqedonas janë në valë të njëjta me eksponentët nacionalromantikë shqiptarë dhe me shërbimet sekrete ilegale të Kosovës.

Fundja, forcat retrograde në Kosovë që kanë krijuar fuqi të pakontrollueshme duke u pasuruar nga zyrat publike, pra nga politika, e në dëm të Republikës, ka kohë që janë kryengritur për t’i dëshmuar BE-së dhe Perëndimit se nuk u janë shterur fuqitë, se ende janë në gjendje për të krijuar ose edhe eksportuar dhunë dhe destabilitet, prandaj kujdes!

Konflikti në FYROM paradoksalisht u konvenon Serbisë (për t’i demonizuar shqiptarët) dhe për ta vështirësuar pozicionin e Kosovës në negociata, Greqisë, për ta ndrequr pozicionin karshi Shkupit rreth emrit dhe pretendimeve mbi historinë antike greke; Bullgarisë, për ta dobësuar pozicionin kombkrijues të maqedonasve dhe posaçërisht vetë kryeministrit Gruevski dhe vartësit të tij Ahmeti, për t’i forcuar pozicionet karshi opozitës qytetare.

Pra shumë faktorëve iu konvenon konflikti në FYROM.

E atij që do të duhej ta evitonte konfliktin, Gruevskit, i duheshin viktima që t’i stigmatizonte shqiptarët në Maqedoni, Republikën e Kosovës si eksportuese të terrorizmit dhe për t’i ndërsyer nacionalistët maqedonas kundër shqiptarëve e për të mbijetuar vetë, sepse ishte buzë greminës…

Po kush e shpëtoi kështu Qeverinë e tij?

Pas gjendjes së rëndë të krijuar në Kumanovë dhe në tërë FYROM-in, nga klika e klerofashistit Gruevski dhe e ndihmuar prej nacionalkomunistit Ali Ahmeti dhe partisë së tij BDI, që është në koalicion qeveritar me VMRO-në e kryeministrit Gruevski, Ahmetit shqiptarët duhet t’ia kthejnë shpinën përfundimisht.

Subjektet politike shqiptare një orë e më parë duhet të unifikohen rreth një këshilli emergjent për mbrojtjen e popullsisë, jo vetëm nga shteti maqedonas por edhe nga “çlirimtarët” e dyshimtë që vijnë nga jashtë dhe të ndihmojë institucionet e shtetit, (nëse ende vërtet dikush ka mbetur normal në ato institucione!?) që transicioni deri në zgjedhje të jashtëzakonshme të kalojë pa viktima…

Ky këshill do të duhej të kishte për obligim moral e qytetar që të identifikojë grupet kriminale që eventualisht mund t’i ketë paguar shërbimi sekret i Gruevskit për të shkaktuar tensione ndëretnike, sepse ky njeri (Gruevski) ka probleme serioze egocentrike e paranoike dhe mund ta kallë FYROM-in për hesapet e tij dhe të pushtetit të tij personal, duke provokuar, nxitur ose paguar eksponentë të krimit nga radhët e etnisë shqiptare ose duke bashkëpunuar me shërbime sekrete nga rajoni që synojnë destabilizimin, duke shkaktuar konflikt të kontrolluar në fqinjësi!?

Ashiqare, këto grupe të pretenduara “terroriste” nuk janë të udhëhequra nga arsyeja dhe as nuk janë në shërbim të ndonjë kauze të shqiptarëve përgjithësisht e aq më pak të atyre që jetojnë në FYROM!

Mirëpo Ali Ahmeti është në listën e veteranëve të luftës së UÇK-së në Kosovë, bashkëluftëtar në ideologjinë marksiste – leniniste me themeluesit e SHIK-ut dhe Hashim Thaçin, natyrisht dhe dihej se ndërlidhja me Prishtinën e këtyre grupeve të armatosura ishte evidente, por vështirë të identifikoheshin interesat e këtij grupi ose për interesat e cilit faktor po vepronin!?

Prandaj Ahmeti, për të mos i dëmtuar më tej interesat e shqiptarëve në FYROM dhe imazhin e Republikës së Kosovës, duhet të tërhiqet urgjentisht nga politika.

E sa u përket kuazipatriotëve n’Tiranë e Prishtinë (Edi ekscentriku fliste nga Ulqini për bashkim kombëtar) e Hashim nacionalromantiku thoshte në Shkup se ky është kryeqyteti i Vilajetit të Kosovës, ata kanë për të përfunduar kurdoherë palavdishëm, sepse qytetarët një ditë do t’u kërkojnë llogari, sepse u kanë dhënë shumë patriotizëm bosh dhe i kanë lënë pa bukë e pa mbrojtje.

Doli se grupet rebele në Kumanovë janë kryesisht të përbërë nga “komandosë” që në Kosovë janë mbi ligjin, që hetohen ose ndiqen penalisht për armëmbajtje, zhvatje, kërcënim e rrëmbim personash dhe në vend se në Kosovë të përfundonin në burg, ata e nxitën një valë terrori në tërë një qytet që s’u kishte borxh as hak, as gjak.

Paradoksalisht, aksionet e tyre në Kumanovë vetëm ia forcojnë pozitat klerofashistit Gruevski, i cili, merre si ta marrësh, i ka fabrikuar vetë këto “grupe terroriste”, ose me keqqeverisjen e tij ka krijuar terren të pjellshëm për grupe e akte të tilla ekstremistësh…

Nga kafenetë e Prishtinës, ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me përtesë e vonesë deklarativisht u del në ndihmë Gruevskit dhe Ahmetit në terrorizimin e civilëve, që nuk i marrin vesh lojërat e fabrikuara nga milicitë (falangat) e fshehta ballkanase.

Për turp, këto falanga asociojnë në Brigadën maqedonase-kosovare – të ashtuquajtur të përgjakshme – gjatë Luftës së Dytë Botërore, që ka masakruar qytetarët e Gjilanit me rrethinë, në dhjetor 1945…

Siç thuhet, ra kjo dekë e u pamë, ngase nacionalromantikët ballkanas (e sidomos ata shqiptarë e maqedonas) po i pengon fort bashkimi qytetar në FYROM, përreth Zaevit, pa dallim etnie, kundër despotizmit të Gruevskit, e për ta rrënuar përfundimisht sundimin e spiunëve dhe kleptokratëve në Shkup.

Pra në Kumanovë u pengua bashkimi i qytetarëve të FYROM-it në një shtet modern, demokratik dhe unik!???

Për interesa jo të qytetarëve të FYROM-it, por të klikave klerofashiste maqedonase dhe atyre nacionalromantike shqiptare…

Derisa Hashim Thaçi – duket pa informata të sakta dhe krejt nga pozita inferiore – i jep mbështetje te plotë Qeverisë Gruevski & Ahmeti, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, angazhohet për ta ruajtur FYROM-in – edhe pse ka indikacione se këto grupe janë te influencuara nga ish-pjesëtarë të strukturës që dikur ai vetë e ka udhëhequr dhe nga shërbimi sekret i FYROM-it:

1. Për ta ndihmuar mbijetesën e Qeverisë Gruevski;

2. Për ta vënë në rend të dytë ose për ta neglizhuar votimin e Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës;

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, nga VV-ja, ka shkuar më së largu në injorancën e saj agresive dhe dalldinë nacionalromantike:
“… Le të bëjnë kujdes pushtetarët e Maqedonisë e mos të na detyrojnë të reagojmë si komb 7-milionësh, se po ia mësymë, edhe duarthatë ua zhbëjmë shtetin”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Së pari nuk do t’ia mësyjnë “zhbërjes” së FYROM-it shtatë milionë shqiptarë, sepse nuk janë që të shtatë milionët krejtësisht të marrë dhe se ky nuk është në interesat e tyre, lufta dhe fatkeqësitë nuk janë në interesin e tyre dhe besohet, të askujt normal në Ballkan, por zhvillimi ekonomik dhe demokratik në paqe e bashkëpunim rajonal.

Lufta dhe fatkeqësitë shkojnë në favorin e shumicës së liderëve ballkanikë që për ta ruajtur pushtetin e tyre personal, si të papërgjegjshëm që janë dhe me shëndet mental të rrënuar, ata janë në gjendje t’i flijojnë popujt e tyre dhe fqinjët e tyre!?

Vështirë që kjo Aida mund t’i mobilizojë këta shtatë milionë shpirtra kundër një shteti fqinj dhe, së dyti, a flet ajo në emër të Kuvendit, të partisë apo në emër të popullit shqiptar, qysh e ka zakon VV-ja!?

Zoti ua ruajt mendtë e kresë qytetarëve të Kumanovës, se po të ishin të vetëdijshëm se kë e kanë votuar dhe kush i sundon, në emër të asaj se kinse ua kanë sjellë lirinë, kishin për të shkuar në Shkup për të bërë vetëvrasje masive duke u hedhur nga Ura e Gurit n’Vardar, prej inati e dëshpërimi…

Kolegu ynë nga Kumanova, veterani i gazetarisë Emin Azemi, po thoshte: “Asnjë shqiptar në Kumanovë nuk ishte i rrezikuar nga askush që të ketë nevojë dikush prej anësh të vijë dhe t’i ‘’mbrojë’’ ata. Asnjë shqiptar në këtë qytet nuk pati nevojë që dikush të futet në shtëpinë aty afër dhe prej aty të zhvillojë njëfarë “lufte heroike” ala Vojo Kushi kundër shtetit të Maqedonisë.”
S’kam qysh mos t’i besoj.

Sidoqoftë, ata që mendojnë se kjo ishte “luftë” për ndonjëfarë “Shqipnie Etnike” janë të marrë!

Ajo që dua ta them për krye të rreshtave është se “lufta” e Kumanovës me gjithë viktimat e shumta, nuk është as luftë dhe as “luftë” mes kombesh apo shtetesh, por luftë për t’i mbajtur në pushtet klikat e degraduara qeverisëse në tërë rajonin e Ballkanit, që po e ndihmojnë njëra-tjetrën qoftë edhe duke i flijuar qytetarët e vet, si në legjendën e Rozafatit.

Prandaj në Ballkan secila ngrehinë sikur është e shkruar të qëndrojë në këmbë, vetëm e ujitur me gjak kurbanesh…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button