Libri

Lufta me fantazmat

Nga Alban Dudushi

Kur Manlio Graziano publikoi librin e tij “Lufta e shenjtë dhe e shenjta aleancë” shumë pak ditë kishin kaluar nga tragjedia e Charlie Hebdo. Në Tiranë, në studion e “Top Show”-t, ai erdhi vetëm tri javë përpara të premtes së zezë së 13 nëntorit në Paris. Graziano jeton në Paris. Aty libri i tij nuk është botuar ende. Nuk është një libër për islamin. Është një libër për fetë dhe gjeopolitikën e tyre. Është një libër që hipotetizon se feja ka filluar dhe, do të ketë, gjithnjë e më shumë rol në jetën publike dhe politike. Koha e shekullarizmit ka përfunduar. Feja nuk do të jetë më e sferës private. Nga “inlightment” në “indarkment” thotë ekzaktësisht Graziano (nga ndriçimi edhe njëherë drejt errësirës). Në krye të procesit qëndron Kisha Katolike, si e vetmja që ka një qendër botërore dhe është e aftë të bëjë politikë. Një hipotezë e zymtë, si vetë koha ku po jetojmë.

Kur mësova për ngjarjet në Paris, atë mbrëmje, isha në një bar të Tiranës, nga ata të populluarit e jetës së natës. M’u kujtua ajo që më tha Graziano në emision për terroristët e “Charlie Hebdo”: “ata janë njerëz që kanë nevojë për psikiatër”. Dukej sikur nuk i përfillte, nuk i interesonin shumë individët në studimin e tij. I interesonin më shumë hapësirat dhe të gjitha lojërat gjeopolitike në të cilat  fetë, por jo vetëm, ishin të përziera.

Por atë natë në barin e Tiranës, instinktivisht filluam të shikonim nëse kishte ndonjë që kishte  nevojë për “psikiatër” vërdallë. Dhe po kështu në ditët në vazhdim. Faqet online u mbushën me flamurin francez. Por gjithashtu nëpër forume vërshuan ata të cilët flisnin për viktimat myslimane që nuk janë më pak viktima sesa ata të Parisit. Një mikeshë më tha sot në mëngjes se si në një bar ku mblidhen “mjekrat” shihej gëzimi në sytë e tyre për terrorin në Paris. Lajmet e gazetave sot flasin për forcim të masave të sigurisë dhe armë të rënda në kryeqytet, pasi shërbimet inteligjente kanë paralajmëruar që edhe këtu mund të ketë ngjarje. Si gjithmonë në shtyp, vërshuan komentet në lidhje me mundësinë ose jo të shpërthimit të këtyre akteve edhe në Shqipëri, ose Kosovë. Madje dhe shkrime budallaqe që japin versionin e lumtur se këtu nuk do të sulmojnë, pasi ne jemi aq keq sa nuk na e varin as myslimanët radikalë (si me thënë “nuk bie rrufeja në hale”).

Por ka një pyetje që është shtruar prej kohësh dhe që mundohen t’i japin përgjigje mendimtarët në botë: “Si mbërritëm deri këtu?”. Unë do të shtroj pyetjen: “si mbërritëm të shikojmë me frikë çdo mjekër të zgjatur në rrugët e Tiranës, Prishtinës  apo Shkupit? Si arritëm deri këtu të shikojmë me frikë çdo vajzë apo grua të mbuluar?”. Dikur në vitet ’90, i shikonim me përçmim dhe ca keqardhje, këta njerëz që në kohën e lirisë dhe të hapësirës për të provuar gjithçka, shfaqeshin njëri pas tjetrit si personazhe të një kohe të shkuar. I shikonim dhe indiferentë kalonim pranë tyre. Një pjesë djem të rinj, që një farë kohe kishin eksperimentuar me droga të lehta apo të rënda dhe një ditë, nuk di se si, i kishin lënë të gjitha, ishin transformuar dhe kishin gjetur paqe te Xhamia e rrugës së Kavajës, apo ajo e Urës së Tabakëve. E dinim të gjithë që “arabët” financonin ata dhe xhamitë e tyre. Ishte një kohë kur shteti nga të qenët i kudogjendur, kishte hequr dorë, apo kështu pretendonte dhe hapësirën e tij të përkrahjes dhe solidaritetit e mbushnin lloj-lloj fondacionesh që sillnin para, ushqim dhe shkollim fetar. Frika nga aksidentet e lirisë, skamja e bukës së sotme dhe të nesërme, afroi shumë njerëz në qytete dhe fshatra rreth këtyre fondacioneve. Në parimin; pará të mira janë ato që mbeten këtu dhe na lehtësojnë punë, i lejuan dhe gëluan këto lloj fondacionesh. Paratë e tyre u trajtuan njësoj si remitancat e emigrantëve. Por në ndryshim nga paratë e emigrantëve, këto pará, nuk ishin para të falura. Vakumi i shtetit, vakumi religjioz për shkak të ndërprerjes 20 e ca vjeçare u mbush me të gjitha teoritë e mundshme që feja myslimane i ka me shumicë. Disa radikale e të tjera jo. Por jo vetëm kaq. Protokapitalizmi shqiptar është shumë i egër për supet e brishta të individit. Egërsia e pasurimit krijoi prapë një peshë të madhe boshllëku te shumë individë, të cilët mungesën e parasë e barazojnë me mungesën e dinjitetit (jo një normë e tyre, por një normë e pranuar nga kjo shoqëria jonë). E për këta individë ku ka më mirë sesa një ideologji që përbuz botën materiale për atë shpirtërore, urren “degjenerimin” dhe “konsumizmin perëndimor” si “një helm që shkatërron moralin dhe familjen”? Në botën globale kanë rënë ideologjitë e mëdha, ato që bënë historinë e dhunshme të shekullit të njëzetë. Në botën globale të tregtisë dhe internetit, edhe politika ka keq të përcaktojë boshtin e saj ideologjik. E Shqipëria është më keq se kaq. Mungesa e boshtit ideologjik zëvendësohet me pragmatizmin e firaunit politik. Dhe firauni politik kthehet dhe në magjistarin ekonomik. Të ekonomisë së tij, jo të vendit. Ai që ka pushtet ka çelësat e punës dhe të parasë, ka lejen për të bërë gjithçka, pasi ai mundet, ai është i zoti. Ai ia ka dalë. Ai vendos se cilat janë rregullat morale me të cilat luajnë. Dhe rregullat morale janë për një rreth të ngushtë, për ata që munden, të tjerët duhet të durojnë, ose… të radikalizohen. A ka fushë më të mirë sesa kjo për të luajtur të gjithë ata që vijnë me llafet e ngushëllimit, por që ushqejnë dhe sensin tënd të dëshpërimit, dhe urrejtjes se “kjo botë perëndimore është e padrejtë”? A mund të gjejë çmenduria ushtarë më të mirë sesa të dëshpëruarit?

—-

A ka filluar lufta e tretë botërore? Nëse po, si mund të fitohet kjo luftë ndaj çmendurisë që quhet ISIS dhe të gjithë atyre të çmendurve që e besojnë dhe e mbështesin atë? A është kjo një luftë e gjeneralëve? Mjafton çizmja dhe raketa për ta fituar një luftë të tillë? Si t’ia bëjmë fqinjit tonë që një ditë të bukur transformohet dhe çmendet? A është kjo një luftë e “psikiatërve”? I mbyllim në çmendinë dhe merren psikiatrit me ta. Apo është një luftë e shoqërive, mendimtarëve, teologëve, edukatorëve, organizatave jofitimprurëse dhe gjithashtu e ushtarakëve dhe siguruesve të rendit dhe qetësisë? A është kjo një luftë e qytetarëve që guxojnë, por edhe solidarizohen. Që refuzojnë një rend moral “ku më i shkathëti, më i zoti, është ai që është më i pasur, ai që mundet sepse ka”? A është kjo një luftë e të rinjve? Shumë pyetje të cilave duhet doemos t’u jepet përgjigje. Duket si një luftë me fantazmat vështirësisht e fitueshme. Manlio Graziano hipotetizon “nga ndriçimi në errësirë” do të jetë bota e së ardhmes. Besoj është hera e parë që thellë-thellë një shkencëtar, mendimtar dëshiron me gjithë forcën e shpirtit të përgënjeshtrojë hipotezën e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button