“Luftërat e gazit” në Evropë
Nga Peter Iskenderov
Rusia po shton eksportet e gazit natyror në Evropë. Në vitin 2018, Gazprom dërgoi në kontinent një sasi rekord prej 201.8 miliardë metra kub gaz, ose 7.4 miliardë metra kub më shumë se në vitin 2017. Drejtuesi ekzekutiv i Gazprom, Aleksei Miler i bëri publike këto shifra gjatë një takimi me presidentin Vladimir Putin më 12 mars.
Të shqetësuara nga këto të dhëna, një numër vendesh dhe institucionesh të BE-së, si dhe Uashingtoni, po përpiqen të ushtrojnë presion mbi blerësit kryesorë të gazit rus, që të ndalin biznesin me Moskën, dhe të parandalojnë ndërtimin e gazsjellësve “Nord Stream 2” dhe “Turkish Stream”.
Gjermania është një nga blerëset kryesore të gazit rus në Evropë, dhe dëshiron të blejë sasi edhe më të mëdha. Sipas Miler, “konsumi i gazit rus në Gjermani është rritur me 9.5 për qind nga viti në vit, ç`ka do të thotë që ne e kemi furnizuar me 58.5 miliardë metra kub në vitin 2018. Kjo është më shumë sesa kapaciteti i Nord Stream”.
“Duhet të theksojmë, që prirja në rritje e kërkesës për gazin rus vazhdon. Prandaj, në periudhën afatmesme, ne presim që vëllimi i furnizimeve me gaz në tregun evropian do të rritet edhe më shumë. Deri në fund të vitit 2018, pjesa e gazit rus në tregun evropian ishte 36.7 për qind”- tha Miler .
Të tronditur nga ky trend, konkurrentët rusë në tregun evropian të energjisë, kanë ndërmarrë hapat e tyre, kryesisht ende ne nivelin propagandik, duke nxjerrë më në pah çështjet e lidhura me energjinë. Gjatë fjalimit të tij të 12 marsit, ndaj drejtuesve kryesorë të kompanive më të mëdha energjitike në botë, që morën pjesë në një konferencë në Hjuston, Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, u bëri thirrje të promovojnë “idealet amerikane” dhe përfitimet e “tregut të lire”.
Duke deklaruar se vendet, përfshirë Rusinë dhe Iranin, i kishin përdorur prej kohësh burimet e tyre të naftës dhe gazit, për të ndërshkuar kombet më të dobëta, sipas diktatit të tyre, Pompeo theksoi: ”Ne nuk po eksportojmë vetëm energjinë amerikane. Ne jemi duke eksportuar sistemin tonë të vlerave tregtare, tek miqtë dhe partnerët. Sa më shumë që të mundemi të eksportojmë sipërmarrje të lirë, sundim të ligjit dhe transparencë, aq më të suksesshme do të jenë Shtetet e Bashkuara”.
As Kina, e parë nga administrata Trump si rivalja kryesore tregtare dhe ekonomike e SHBA-së, nuk u kursye nga Pompeo, që e akuzoi Pekinin se është angazhuar në projekte energjetike në Afrikë dhe Azi, në dobi të interesave të veta. Ai shtoi se për t’i rezistuar presionin e Pekinit, një numër vendesh presin që kompanitë amerikane t’u vijnë në ndihmë.
Presioni i Shteteve të Bashkuara, është më i dukshëm në rastin e projektit të gazsjellësit “Nord Stream 2” nga Rusia në Gjermani, që shihet nga Uashingtoni si një konkurrent i drejtpërdrejtë për furnizimin me gaz natyror të Evropës. Në janar të këtij viti, ambasadori amerikan në Gjermani, Riçard Grenell, paralajmëroi se Uashingtoni mund të vendosë sanksione ndaj kompanive gjermane të përfshira në projektin “Nord Stream 2”.
Por Departamenti Amerikan i Shtetit, nxitoi më pas të thoshte se fjalët e ambasadorit nuk duhet të perceptohen si kërcënim, por vetëm si një shprehje e “pozicionit amerikan”. Ndërkohë, Ministria e Jashtme gjermane, e bëri të qartë se veprimet e ambasadorit Grenell, janë në kundërshtim me praktikën diplomatike.
Pavarësisht shpjegimeve të DASH, mbi deklaratat e pashembullta të ambasadorit Grenell, e përditshmja amerikan “The Ëall Street Journal”, raportoi duke iu referuar disa zyrtarëve të administratës Trump, se Uashingtoni është realisht i gatshëm të vendosë sanksione ndaj investitorëve dhe kompanive, që do të ndërtojnë gazjellësin “Nord Stream 2”.
Shtëpia e Bardhë, po bën përpjekje për të penguar ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, duke u përpjekur të bashkërendojë përpjekjet e saj, me forcat anti-ruse në Bashkimin Evropian. Duke vepruar në përputhje me fjalimin e Pompeos në Hjuston, dhe informacionin e publikuar nga “The Ëall Street Journal”, shumica e deputetëve të Parlamentit Europian, votuan po më 12 mars pro forcimit të politikës energjetike të BE-së përkundrejt Rusisë, përmes një rezolutë të miratuar nga 402 deputetë, me vetëm 163 deputetë që votuan kundër.
Dokumenti i hartuar mbi bazën e një raporti, të përgatitur nga deputetja letoneze e Partisë Popullore Evropiane, Sandra Kalniete, dhe më herët e miratuar nga Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, u bën thirrje vendeve evropiane të ndalojnë ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, dhe të braktisin projekte të tjera të mëdha bashkëpunimi me Rusinë.
“Pavarësisht nga deklaratat politike, zbatimi i projekti “Nord Stream 2”, është në përputhje me një kornizë ligjore e detyrueshme, e cila gjithashtu është hartuar nga Parlamenti Evropian. Kuadri ligjor përbëhet nga ligji i BE-së, konventat ndërkombëtare dhe ligjet kombëtare të vendeve, përgjatë rrugës së planifikuar”- ishte reagimi i drejtuesve të projektit.
Ndërkohë, për t’u mbrojtur kundër çdo zhvillimi të padëshiruar, kompania Nord Stream 2 AG, vendosi të ndërmarrë veprime parandaluese. Sipas “The Financial Times”, kompania po shqyrton mundësinë që pjesa fundore e gasjellësit, 50 kilometra në brendësi të territorit gjerman, të ndërtohet nga një kompani e veçantë, ndërsa pjesa tjetër e gazsjellësit (rreth 1.200 kilometra), të mbetet jashtë juridiksionit të BE.
Ndërkohë, shumë njerëz në Evropë, janë shumë skeptikë rreth rritjes së blerjeve të gazit natyror të lëngshëm të SHBA-së, në kurriz të importeve të gazit të gazsjellësit nga Rusia. Sipas llogaritjes më të fundit të Komisionit Evropian, deri në vitin 2023, vendet e BE-së, do të blejnë 8 miliardë metra kub gaz natyror amerikan, ose 2.4 herë më shumë se sa sasia aktuale.
Por edhe atëherë, do të mbulonte vetëm 1.6 për qind të konsumit të gazit në union. Njëkohësisht, një rënie e prodhimit të gazit nga vetë BE, do të krijojë një ”gropë” vjetore, prej 30-40 miliardë metra kub, shumica e së cilës do të mbushet me gazin rus, nga gazsjellësit Gazprom dhe LNG.
Përballë një kërkese në rritje për gazin natyror, Britania e Madhe mund të rifillojë përpjekjet për të ndërtuar depozita të mëdha të gazit argjilor, pas zbulimit në pjesën qëndrore të vendit, të një vendburimi me një kapacitet prej 37 trilionë metër kub.
Megjithatë, të gjitha përpjekjet e mëhershme, për të nisur prodhimin në shkallë industriale të gazit argjilor në Evropë, dështuan për shkak të kushteve natyrore të ndryshme nga ato në SHBA, normat legjislative dhe qëndrimin e opinionit publik. Duke pasur parasysh situatën që ekziston sot, ka shumë arsye të pritet një përpjekje në rritje nga ana e SHBA-së, dhe forcave pro-amerikane brenda Bashkimit Evropian, për të penguar zbatimin e projekteve energjetike ruse me mjete politike.
Megjithatë, shumë ç`ka do të varet nga ndryshimi i kërkesës për energji, si në vendet evropiane, ashtu edhe në Azi (kryesisht në Kinë), ku do të shkojë në mënyrë të pashmangshme pjesa më e madhe e gazit natyror të lëngshëm të SHBA-së, duke lënë duarbosh vendet evropiane.
Modern Diplomacy