Rajoni

Maas: Nuk e ndajmë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut

Gjermania garanton mbështetje për Maqedonine e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo u tha në takimin e ministrave të jashtëm Heiko Maas e Bujar Osmani në Berlin. Maas i cilësoi si “fake news” “non-paper” për Ballkanin.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas nuk është për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Në një konferencë  të përbashkët shtypi me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, shefi i diplomacisë gjermane tha të hënën (03.05.2021), në Berlin:

“Ky është një diskutim që e kemi bërë edhe më parë, por anasjelltas. Në të kaluarën këto vende nuk janë ndarë dhe ka qenë në rregull. Ne mbështesim presidencën portugeze që të gjejë sa më shpejt zgjidhje për çështjet dypalëshe, në mënyrë që të hapen sa më shpejt konferencat e anëtarësimit, si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë. Nuk mendojmë t’i ndajmë nga njëra-tjetra.”

Këtë qëndrim e ndan edhe Bujar Osmani: “Edhe pse Komisioni anëtarëson secilin vend në përputhje me përparimet që ka bërë: përvoja ka treguar se një rrugëtim i përbashkët është më i frytshëm, sepse përfiton nga efektet sinergjetike.”

Shpresat te presidenca portugeze

Maqedonia e Veriut është prej vitit 2005 zyrtarisht kandidate anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Çështja e emrit me Greqinë u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës (2019), por negociatat ende nuk janë çelur formalisht për shkak të grindjes me Bullgarinë për përkatësinë historike të gjuhës maqedonase. Gjermania gjatë presidencës së saj, vitin e kaluar, nuk arriti ta bindte palën bullgare të hiqte dorë nga vendosja e kësaj grindjeje në agjendën e kornizës negociuese. Shqetësimi i vëzhguesve është se kjo çështje do të zvarritet për shkak të gjendjes së paqartë politike në Bullgari. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme tha në Berlin se kjo çështje duhet të zgjidhet nga historianët e dy shteteve, pa presion nga jashtë.

Non-paper: ajër i nxehtë

Në konferencën e shtypit Maas foli edhe për fenomenin e non-paper-ve, dokumentet jozyrtare që qarkullojnë nëpër media e ku hidhen ide për zgjidhjen e problemeve të pazgjidhura në rajon. Ai i quajti ato “ajër i nxehtë”, “fake news” dhe sugjeroi që të mos u kushtohet shumë vëmendje. “Parimi bazë i politikës gjermane eshte: heqja dorë nga ndryshimi i kufijve,” tha Maasi në përgjigje të pyetjes së DW.

Osmani ishte për herë të parë në Berlin në cilësinë e Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut. Në qeverinë e mëparshme të kryeministrit Zoran Zaev, politikani 40-vjeçar i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim kishte qenë zëvendëskryeministër, përgjegjës për integrimin evropian dhe e kishte vizituar shumë shpesh Gjermaninë.

Gjermania është partneri numër një tregtar i Maqedonisë së Veriut, me një vëllim shkëmbimesh tregtare prej rreth 4 miliardë eurosh. Osmani tha se ka propozuar të krijohet një partneritet strategjik mes Maqedonise së Veriut dhe Gjermanisë. Por në këtë moment duket e vështirë te thuhet se kjo kërkesë do të marrë një përgjigje pozitive. Nga qarqet qeveritare në Berlin thuhet se Gjermania e ruan termin partneritet strategjik për vende të një rëndësie të madhe gjeostrategjike, si p.sh. India. Megjithatë, qasja konstruktive e vendit të vogël ballkanik dhe sukseset e arritura në marrëdhëniet me fqinjët, kanë bërë që Maqedonia e Veriut të gëzojë besim te qeveria gjermane, thonë diplomatët. Edhe ministr Maas i premtoi kolegut të tij: “Ju mund të llogarisni gjithnj ndihmën e Gjermanisë.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button