Macron bën thirrje për ndalim të përkohshëm të luftimeve për të mundësuar negociatat
Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për qetësi teksa Lindja e Mesme hyn në festën myslimane të Fitër Bajramit dhe ka kërkuar një ndalim të përkohshëm të luftimeve për të mundësuar negociatat, mes sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes së Teheranit.
“Teksa rajoni hyn në një periudhë festash fetare, besoj se të gjitha palët duhet të qetësohen. Luftimet duhet të ndalen, të paktën për disa ditë, për t’i dhënë një shans negociatave”, u tha Macron gazetarëve teksa liderët e BE-së po mblidheshin në Bruksel.
Ai shprehu mbështetje për idenë e një “moratoriumi” ndaj sulmeve kundër infrastrukturës civile dhe civilëve në konflikt, së bashku me një de-përshkallëzim të shpejtë.
“Franca, si gjithmonë, mbështet rikthimin në negociata, rikthimin në dialog dhe uljen e tensioneve në rajon”, tha Macron.
Ai gjithashtu theksoi se situata në Iran nuk duhet t’i bëjë të harrojnë gjendjen humanitare në Gaza, “për të cilën duhet të mbetemi të angazhuar”.
“Dua të them se dje pata mundësinë të flas me emirin e Katarit, vendi i të cilit u godit drejtpërdrejt, me objektet e prodhimit të gazit që u shënjestruan. Disa vende të tjera të Gjirit u goditën gjithashtu për herë të parë në një mënyrë të ngjashme me atë se si Irani ishte goditur më herët atë mëngjes. Ky përshkallëzim është i pamenduar”, shtoi ai.
Më tej, Macron theksoi nevojën për të ofruar “mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar” për Libanin, për ta ndihmuar vendin të ruajë integritetin territorial, sovranitetin dhe sigurinë.
“Për ta bërë këtë, duhet të ndihmojmë autoritetet libaneze, si politike ashtu edhe ushtarake, të rifitojnë kontrollin dhe të kenë monopol mbi armët. Pika e dytë është të bindim Izraelin se kjo punë duhet të bëhet nga vetë libanezët, nga Forcat e Armatosura të Libanit, dhe jo duke shkelur sovranitetin territorial të Libanit apo duke bombarduar territorin e tij”, theksoi Macron. /os/


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.