Majko nderohet me ‘Çelësin e Qytetit’ të Worcester në Massachusetts
Në ceremoninë e dorëzimit të këtij simboli, ku ishte i pranishëm ministri Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Faber, si dhe komuniteti shqiptar që jeton në këtë qytet, kryebashkiaku Petty theksoi se “është kënaqësia ime t’ju dorëzoj juve Çelësin e Qytetit të Worcester, në shenjë mirënjohjeje për vizitën tuaj në këtë qytet. Shpresoj të jetë e qartë se banorët shqiptarë të Worcester janë një pjesë jetësore dhe me shumë vlerë e qytetit tonë dhe ne ju falenderojmë që na nderuat me praninë tuaj këtu”.
Ai u shpreh se shkëmbimet kulturore janë tepër të rëndësishme për të ruajtur paqen dhe prosperitetin.
Ministri i Shtetit për Diasporën shprehu mirënjohjen për vlerësimin dhe falenderoi autoritetet lokale të qytetit për përpjekjet e tyre në mbështetje të komunitetit shqiptar.
Gjatë qëndrimit në Worcester, Pandeli Majko vizitoi qendrën ‘Ilirian Garden’, e konceptuar si një shtëpi për brezin e tretë pikërisht nga emigrantë shqiptarë.
Ministri u takua me drejtuesin e qendrës, Gregory Stefan, i cili vlerësoi kontributin e dhënë nga komuniteti shqiptar në ndërtimin e shtëpisë për të moshuarit.
Më pas, delegacioni shqiptar zhvilloi një vizitë në Kishën Ortodokse të shqiptarëve St. Mary’s Assumption.
Majko në Harvard: Të shfrytëzojmë potencialin e shqiptarëve të suksesshëm
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, mbajti një diskutim të hapur në Universitetin e Harvardit në Boston ku theksoi se “përfshirja e personave të suksesshëm në lidershipin e shqiptarëve të diasporës dhe një koordinim më i madh mes shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, janë thelbësore për ta shndërruar diasporën në një vlerë të shtuar të Shqipërisë”.
I shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, znj. Floreta Faber, z. Pandeli Majko u takua me profesorin Ricardo Hausmann, drejtues i Qendrës për Zhvillimin Ndërkombtar (DCI) dhe me studentë shqiptarë që studiojnë në universitetin prestigjoz.
Ministri u prezantoi atyre politikat për diasporën, duke i njohur me hapat institucionalë të ndërmarrë deri më tani dhe planet për të mundësuar një angazhim më të madh të shqiptarëve jashtë vendit në zhvillimet politike dhe ekonomike të Shqipërisë.
Majko informoi të pranishmit mbi përpjekjet që po bëhen për të përmirësuar lidhjet e shtetit me diasporën, duke përmendur krijimin e Nënkomisionit Parlamentar, Komisionit Shtetëror për Diasporën, Agjencisë e gjithashtu Këshillit Konsultativ për diaporën.
Ministri e vuri theksin tek rëndësia e ngritjes së një rrjeti të komuniteteve shqiptare.
“Detyra ime është të mundësoj krijimin e lidhjeve mes shqiptarëvë të diasporës”, u shpreh Ministri, duke i kërkuar studentëve e shqiptarëve të tjerë të pranishëm, të gjejnë mënyrat për tu mbledhur së bashku në aktivitete vjetore.
“Jemi në fazën e ndërtimit dhe jo të gjitha muret janë të dukshme, por kemi hedhur hapa shumë të rëndësishëm drejt përfshirjes më të madhe të diasporës në axhendën politike”, shtoi më tej Ministri.
Ai përmendi planet për krijimin e një rrjeti të grave në diasporë. Nga ana e tyre, studentët e talentuar shqiptarë i drejtuan pyetje Majko lidhur me strategjinë për diasporën, të cilën e vlerësuan si impresionuese. Të rinjtë u interesuan mbi mënyrat për të patur një bashkëpunim sa më të efektshëm.
Ministri theksoi nevojën e komunikimit dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, për të shfrytëzuar potencialet e të gjithë shqiptarëve të suksesshëm që jetojnë jashtë vendit.
Në këtë aspekt Majko sugjeroi krijimin e një Këshilli Koordinues. Ministri i Shtetit prezantoi për panelin në Harvardit edhe një video që shpaloste resurset natyrore e njerëzore të Shqipërisë.