Opinion

Makiaveli kishte të drejtë

MICHAEL IGNATIEFF

Makiaveli nuk ishte aspak teoricieni i parë, që shkruante se politika është një biznes i pamëshirshëm, e cila kërkon që udhëheqësit të bëjnë gjëra, të cilat ndërgjegjja e tyre private mund t’i urrejë. Mund ta themi me siguri, se politika është një nga ato fusha të jetës, ku njeriu vë shpirtin e vet në rrezik.

E mbani mend fotografinë: Presidenti Obama në një qoshe të Situation Room, me stafin e sigurisë kombëtare, përfshirë Hillary Clintonin që mbulon gojën me dorë, duke parë pamjet live që vijnë prej ndërtesës në Pakistan, ku po ndodh vrasja e Osama bin Ladenit. Eshtë një moment makiavelian: një udhëheqës politik që ndërmerr riskun final, që shkon bashkë me ushtrimin e pushtetit, dhe që nuk pret gjykimin e fatit. Ai e di se, nëse misioni dështon, presidenca e tij merr fund, ndërkohë që nëse del me sukses, askush nuk do të vërë më në dyshim gatishmërinë e tij për të riskuar gjithçka.
Eshtë moment makiavelian edhe në një kuptim të dytë: një moment kur nevoja publike kërkon veprime që, etika private dhe vlerat fetare mund t’i dënojnë si të padrejta dhe imorale. I quajmë këto momente makiaveliane, sepse ishte “Princi” i Nikolo Makiavelit, i shkruar në vitin 1513, që për herë të parë nxorri zbuluar botën morale të politikës, dhe hendekun mes ndërgjegjes private dhe kërkesave të veprimit publik.
Fakti që “Princi” i thotë gjërat troç, ka shkaktuar skandal për 500 vjet. Libri u vendos në Indeksin Papnor të librave të ndaluar në vitin 1559, dhe autori i tij u denoncua në skenat Elizabetiane si “I Ligu Makiavel”. Zemërimi nuk është shuar me kalimin e kohës. Teoricieni më i madh konservator modern, Leo Strauss, u thoshte studentëve të tij në Universitetin e Çikagos në vitet 1950, që ta shihnin Makiavelin si “një mësues të së keqes”. Provokimi i Makiavelit është që të këmbëngulë se në politikë, veprimet e këqia pushojnë së qëni të tilla, nëse interesi publik i bën të domosdoshme.
Përpjekje të shumta po bëhen, për t’i hequr thumbin këtij mesazhi të zymtë. Katër libra të rinj argumentojnë se për të kuptuar sinqeritetin brutal të Makiavelit, duhet të kuptojmë kohët që e formuan atë: politikat e ndërlikuara dhe të dhunshme të Italisë mes viteve 1498, kur mori detyrën si një zyrtar i lartë në Firence, dhe 1527, kur Makiaveli vdiq. Alan Ryan e kthen Makiavelin në kontekstin e tij të zhytur në gjak, me dobësimin dhe rënien e republikës fiorentinase. Philip Bobbitt e pozicionon Makiavelin si teoricienin e madh i shtetit të hershëm modern, mendimtari i parë që kuptonte se nëse pushteti nuk ishte më personal, jo i ushtruar më nga një lord mesjetar pra, ai duhej moralizuar, në një etikë të re publike, të bazuar në “ragion di stato”.

Maurizio Viroli dëshiron që ne të kuptojmë se Princi nuk ishte një traktat cinik me devijime, por më tepër një apel patriotik për një politikan, që të dilte dhe ta shpëtonte Italinë nga pushtuesit e huaj dhe sundimtarët e saj dritëshkurtër. Biografia intelektuale e Corrado Vivantit përforcon imazhin e Viroli-t për Makiavelin, si një paraardhës i keqkuptuar i rilindjes italiane, që bënte thirrje për shpengimin e republikanizmit italian, katër shekuj përpara ribashkimit përfundimtar të shteteve italiane.

Të gjithë këta autorë përpiqen shumë të theksojnë se “Makiaveli i keq” ishte në të vërtetë një shkrimtar i shkëlqyer, një shok i mirë dhe një patriot pasionant. Të gjithë theksojnë se angazhimi i tij etik, kishte për qëllim ruajtjen “vivere libero”, jetës së lirë të qytet-shtetit fiorentin dhe republikave të tjera të Italisë. Vetë Makiaveli vjen i gjallë në letrën e tij të mrekullueshme, për mikun e tij, Francesco Vettori, të shkruar në vitin 1513, pasi ishte dëbuar, plasur në burg torturuar. (Makiaveli u akuzua gabimisht për komplot kundër Medici-ve, të cilët kishin mundur ushtrinë fiorentine dhe kishin rrëzuar qeverinë republikane një vit më herët.) Në letër, ai përshkruan ditë të vetmuara pas lirimit nga burgu, duke gjuajtur zogj në pronën e tij të vogël, duke pirë në tavernën e fshatit, dhe si pastaj kthehej në shtëpi gjatë natës, në studion e tij, ku merrte “rrobat e oborrit dhe pallatit” dhe bashkohej me “oborret e nderuar të të lashtëve”.
Këto studime të reja interesante, e rikthejnë Makiavelin në kohën e tij, por nuk e heqin vështrimin nga pyetja, se pse “entuziasmi dhe prirjet e tij amorale” (fraza e Alan Rjanit) mbeten fortësisht provokuese, edhe në kohën tonë. Makiaveli nuk ishte aspak teoricieni i parë, që shkruante se politika është një biznes i pamëshirshëm, e cila kërkon që udhëheqësit të bëjnë gjëra, të cilat ndërgjegjja e tyre private mund t’i urrejë. Mund ta themi me siguri, se politika është një nga ato fusha të jetës, ku njeriu vë shpirtin e vet në rrezik.
Çfarë është tronditëse për Makiavelin, është se atij nuk i bëhej vonë. Ai besonte jo vetëm që politikanët duhet të bëjnë të këqia, në emër të së mirës publike, por gjithashtu që ata nuk duhet të shqetësohen për këtë. Me fjalë të tjera, ai nuk e vriste mendjen, për atë që mendimtarët modernë e quajnë problemi i duarve të pista.
Filozofi i madh i Princetonit, Michael Ualzer, duke huazuar nga Jean-Paul Sartre, përshkruan ndjenjën e duarve të pista në politikë, si ndërgjegjen fajtore, me të cilën politikanët duhet të jetojnë, kur ata autorizojnë akte që përbëjnë nevojë publike, por që gjykimet private i hedhin poshtë. “Këtu është politikani moral,” thotë Ualzer thotë: “është pikërisht prej duarve të tij të pista, që ne e njohim”. Ualzer mendon se ne duam që politikanët tanë të jenë shërbyes që vuajnë, që rrinë zgjuar gjithë natën, të munduar shumë prej konfliktit midis moralit privat dhe të mirës publike.

Makiaveli thjesht nuk besonte se politikanët duhet të shqetësohen për duart e tyre të pista. Ai nuk besonte se ata meritonin lavdërime për skrupujt moralë, ose vrasjen e ndërgjegjes. Ai do të kishte rënë dakord me The Sopranos: “ndonjëherë bën atë që duhet të bësh”. Por Princi vështirë se do të kishte mbijetuar kaq gjatë, nëse do të kish qenë, asgjë më shumë se një apologji për gangsterë. Tek gangsterët, mizoria e paarsyeshme është shpesh efikase, ndërsa në politikë, siç Makiaveli e kuptoi qartë, është më keq se një krim. Është gabim. Ragion di Stato duhet të disiplinojë çdo zbritje të politikanit në hapësirën e diskutueshme morale. Një udhëheqës i orientuar nga nevoja publike ka më pak të ngjarë të jetë mizor dhe i lig, se ai i udhëhequr nga moralizmi fetar. Etika e Makiavelit, duhet thënë, ishte tejet indiferente ndaj parimit të krishterë, dhe jo më kot. Në fund të fundit, dikush që beson se ka Perëndinë në anën e tij, është në gjendje të bëjë çdo gjë.
Makiaveli gjithashtu kuptoi se një politikan, ndryshe nga një gangster, nuk mund të luante shpejt dhe kollaj me ligjin. Ligji ishte i rëndësishëm, sepse tek republikat kishte rëndësi mendimi i qytetarëve, dhe nëse një princ e vinte veten shumë shpesh mbi ligjin, njerëzit do ta largonin. Makiaveli nuk ishte demokrat, por ai e kuptoi se zemërimi popullor në rrugicat e qytetit të tij, mund ta çonte sundimin e princit, drejt një fundi të përgjakshëm. Nëse Makiaveli i këshillonte politikanët që të shtireshin, të bënin sikur kishin virtyte që nuk i praktikonin në jetën private, kjo ndodhte sepse besonte që njerëzit në rrugicat e qytetit, interesoheshin më shumë që princi t’u siguronte atyre paqe dhe siguri, sesa nëse ai ishte origjinal, apo edhe njeri i ndershëm.
I gjithë ky duket si cinizëm, vetëm nëse nuk arrijmë ta shohim realizmin e tij të thellë. Në librin e tij, Alan Ryan kap ndikimin e Makiavelit mbi imagjinatën morale moderne, kur thotë: “Fuqia qëndrore e Princit vjen nga … këmbëngulja e tij mbi nevojën për një vlerësim të qartë të mënyrës se si njerëzit vërtet janë aq të ndryshëm, nga gjepurat moralizuese për mënyrën se si duhet të jenë”.
Kjo qartësi morale mbetet e fortë në një epokë si e jona, kur politikanët fshehin mizorinë e domosdoshme të jetës politike, prapa retorikës së vlerave familjare dhe parimeve të krishtera dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të ndiejnë dhimbjen e tyre, kur marrin vendime të vështira. Ne jemi ende të tërhequr nga Makiaveli, sepse e ndiejmë se sa nuk i duronte dokrrat e ngjashme në kohën e tij, dhe sa i vendosur ishte që të përballej me një problem që na shqetëson edhe ne: kur dhe sa mizori është e domosdoshme në botën e politikës.

Ai këmbëngulte se, kur duhet që të merren vendime politike të vështira ose të rrezikshme, mirësia e krishterë ose ndjeshmëria private, thjesht nuk bëjnë punë. Në politikë, ylli polar duhet të jetë vetëm shëndeti i republikës. Të ndjekësh zërin e brendshëm që grindet, apo të bësh para-mbrapa kur moralizuesit majtas e djathtas kundërshtojnë, është thjeshtë dobësi. Dhe nëse hezitimi yt e vë republikën në rrezik, kjo është dobësi e përbuzshme. Etika e Makiavelit vlerësonte vendosmërinë në politikë, dhe jo kërkimin e dëshpëruar të moralisht korrektes.

Ajo çfarë Makiaveli refuzon të çmojë, janë njerëzit që vlerësojnë ndërgjegjen dhe shpirtin e tyre, më shumë se sa interesat e shtetit. Ajo që Makiaveli nuk fal, është shfaqja publike e pavendosmërisë. Nuk duhet të zgjedhim udhëheqës që mundohen, duke u shqetësuar për dëmet morale të pushtetit që ushtrojnë në emër të popullit. Duhet të zgjedhim udhëheqës që flejnë të qetë, pasi marrin risqet më të mëdha sa i përket virtytit të tyre. Ata po bëjnë atë që duhet bërë.

 The Atlantic

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button