Ekonomia

Malaj: Shqiptarët festuan jashtë, 65 % e tyre në Ballkan

Pavarësisht situatës së vështirë ekonomike shqiptarët nuk kanë kursyer për të festuar të paktën festat e fundvitit jashtë vendit, kryesisht në vende të rajonit, por edhe në kryeqytetet evropiane ku jetojnë shumë nga të afërmit e tyre emigrantë.

kolashiKolashin, Mavrovë, Dubrovnik, Pragë, Paris, apo Romë, kanë qenë disa nga qytetet më të preferuara këtë vit nga shqiptarët për të festuar Krishtlindjet apo Vitin e Ri 2015.
Kreu i operatorëve turistikë të Shqipërisë, Sadik Malaj, thotë në një intervistë për KosovaPress, se kërkesat këtë vit në krahasim me vitet e mëparshme kanë qenë shumë më të larta, pasi edhe ofertat kanë qenë të leverdishme.
Sipas tij, më të preferuara kanë qene vendet me borë, nga vetë stina e dimrit, por edhe kryeqytetet evropiane që njihen për bukuritë dhe kulturën e tyre.
“Në krahasim me një vit më përpara pati një tendecë rritje, pavarësisht problematikave ekonomike që vet Shqipëria përjeton apo vendet e rajonit. Ne patëm një lëvizje të tillë ku shihej një tendencë në rritje në krahasim me një vit më parë, kryesisht në vendet rajonale që ishin me çmime më të lira, vendet me borë; Kolashin në Malin e Zi, në Mavrovë në Maqedoni apo në Bullgari apo në disa nga këto vende të tjera. Tendencë rritje patën edhe grupet turistike të cilat shkuan për festimin e Festave të Fundvitit në disa nga qytetet e vendeve rajonale të cilat janë qytete me interes turistike siç pati një rritje në Selanik dhe në Korfuz; por rritje pati edhe në Budva dhe në Dubrovnik; si dhe në qytete si Struga apo Ohër. Pati kërkesa edhe në Sofje dhe Stamboll. Klientela turistike shqiptare e fokusuar në vendet e rajonit përbënte rreth 65 % të daljeve turistike që ne kishim planifikuar për Vitin e Ri dhe për Krishtlindjet. Ka një tendencë rritje edhe ajo kategori turistike që festoi në disa kryeqytete evropiane si Paris, Vjenë, Romë, Budapest, Pragë etj”, thekson Malaj.
Kreu i operatorëve turistikë të Shqipërisë shprehet se edhe pse dimër nuk munguan këtë fundvit prenotimet për në vendet ekzotike si në Dubai, gjithashtu edhe destiancionet brenda Shqipërisë u preferuan mjaftueshëm këtë vit të ri.
“Mund të them se një element risie pati këtë vit dhe tendenca për të festuar në disa vende ekzotike, siç ishte festimi në Dubai. Grupet turistike që prenotuan për në Dubai kanë qenë pothuajse sa dyfishi i vitit 2013, aq sa kishin problem në gjetjen e mundësive të transportit. Po rritet edhe numri i klientelës turistike shqiptare, që bëjnë festimin e vitit të ri brenda Shqipërisë në disa destinacione turistike. Viti i Ri u bë në Valbonë, që ishte risi, pati një kërkesë në rritje, por edhe për festimet në Voskopojë, Dardhë, Vithkuq afër Korçës, por pati aktivitete festive edhe në Pukë dhe në Përmet,” tha Malaj.
Çmimet që ofruan agjencitë turistike këtë fundvit kanë variuar nga 100 euro për person brenda vendit, në 400 euro në rajon e deri në 850 euro në Dubai për një kohqëndrim nga 3 ditë deri në 6 ditë.
Lidhur me çmimet që kanë ofruar operatorët këtë vit për festimet e Vitit të Ri 2015 dhe Krishtlindjet, Malaj, thekson se “sot agjencitë turistike dhe turoperatorët janë duke ofruar çmime të leverdishme mbi bazën e një negocimi që bëhet me shërbimet hoteliere të atyre vendeve. Shumica kanë qenë në vendet rajonale 2 ditë e 3 netë.(përfshirë darka e vitit të ri dhe e datës 1). Ndërsa në vendet evropiane kanë qenë paketat 54 netë që janë më masivet, në Dubai kanë qenë 6 ditë e 5 netë. Çmimet kanë variuar po them në vendet rajonale më e lira mund të ketë qenë rreth 100 euro për destinacionet brenda vendit, ndërsa në vendet rajonale kanë variuar nga 399 euro deri rreth 500 euro, ndërsa në Dubai ka qenë 850 euro”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button